Ndërlidhjet

Urgjenca e rezolutës


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës mund të iniciojë nesër debatin dhe nxjerrjen e një rezolute në lidhje me bisedimet me Serbinë. Ndonëse nuk është pikë e rendit të ditës për seancën e nesërme, rezoluta u cilësua si e domosdoshme nga vetë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Ai pret që rezoluta t’i përcaktojë kornizat e dialogut për palën kosovare se çka mund dhe çka nuk mund të bisedojë me Serbinë.

“Nga ky debat që presim të zhvillohet nesër, sigurisht që do të dalë një rezolutë. Ne presim që kjo të kryhet nesër mbi bazën e një debati që do të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi.

I bindur se Kuvendi po kërkon rolin e vet në këto bisedime, kryeministri Hashim Thaçi ka përkrahur debatin në Parlament. Por, ai pret nga Kuvendi që t’i japë mbështetje nisjes së këtij dialogu.

Sipas Thaçit, dialogu me Beogradin do të jetë i dobishëm si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, e madje edhe për rajonin dhe perspektivën evropiane të kësaj pjese të Evropës.

“Normalizimi i marrëdhënieve në rajon është parakusht kryesor për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO. Edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, por edhe për rajonin, ky dialog do të shënojë përmbylljen e një kapitulli të armiqësive dhe hapjen e një kapitulli të bashkëpunimit ndërshtetëror mes dy vendeve dhe popujve tanë”, theksoi Thaçi.

Në fund të këtij dialogu, sipas kryeministrit Thaçi, Kosova pret të njihet si shtet edhe nga Serbia.

Qëndrime krejtësisht të kundërta me kryeministrin paraqet opozita në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje, jo vetëm që nuk e mbështet këtë dialog, por mendon se ai duhet të pengohet.

Nënkryetari i Kuvendit nga “Vetëvendosja”, Glauk Konjufca, tha se kjo lëvizje do të marrë pjesë në debat dhe përmes Kuvendit do të tentoj t’i pengojë këto bisedime.

“Përpiqemi t’i pengojmë këto negociata, sepse mendojmë se ato po bëhen vetëm për Kosovën. Po bëhen vetëm për Kosovën dhe Kosovës do t’i kërkohet që të japë diçka. Ne boll kemi dhënë, tash është koha që Kosova të bëhet shtet tamam dhe jo t’i lëshojë pe Serbisë për këto çështje”, tha Konjufca.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zotohet se nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë, e cila nuk miratohet nga Kuvendi. Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, tha se këto nuk janë bisedime teknike. Ai mohoi disa paralajmërime se AAK-ja do të jetë pjesë e grupeve punuese për dialogun me Serbinë.

Nuk njohim asnjë rezultat që del nga këto bisedime dhe që nuk e ka mandatin nga Kuvendi i Kosovës. Çështjet mes Kosovës dhe Serbisë janë politike dhe nuk ka çështje teknike. Nuk ka askund në botë që çështjet teknike udhëhiqen nga zëvendëkryeministrat”, u shpreh Arifi.

Qeveria e Kosovës ka emëruar tashmë zëvendëskryeministren Edita Tahiri në postin e koordinatores për bisedimet me Serbinë. Këto ditë, i dërguari i BE-së për bisedimet, Robert Kuper, po zhvillon bisedime të kohëpaskohshme dhe pa praninë e mediave si me Prishtinën, ashtu edhe me Beogradin, në përpjekje për përgatitjen dhe nisjen e këtij dialogu.
XS
SM
MD
LG