Ndërlidhjet

Mbingarkesat në sallat e operacioneve


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Përkundër kushteve mjaft të vështira dhe mungesave të kohëpaskohshme me barna nga lista esenciale, në Klinikën e Kirurgjisë kryhen 90 për qind e operacioneve, thotë drejtori i këtij reparti, Mehmet Maxhuni.

“Për shkaqe financiare, shëndetësia është në krizë. Sa i përket çështjes profesionale, jemi shumë të përgatitur dhe jemi të gatshëm t’i arrijmë rezultatet”, thotë ai.

Pacientët që e frekuentojnë këtë klinikë janë të shumtë, përfshirë dhe ata
nga rajoni. Njëri ndër ta është Hasim Dermaku, i cili shprehet i kënaqur me shërbimet, përkundër kushteve të vështira të punës.

“Kam vuajtur 2 vjet dhe nuk e kam ditur se çka kam në fakt, derisa një mjek këtu e ka diagnostikuar sëmundjen time dhe më ka operuar. Operacioni ka zgjatur shumë, por ka pasur sukses. 24 orë pas operacionit kam shkuar në shtëpi”, rrëfen rastin e tij Dermaku.

Zoti Maxhuni thotë se Qeveria e re duhet ta ketë prioritet shëndetësinë, për dallim nga qeveritë e kaluara që nuk janë marrë seriozisht me këtë çështje. Sipas tij, aparatura e vjetër diagnostike pamundëson të shfrytëzohet i gjithë kapaciteti profesional.

Unë mendoj se Qeveria duhet t’i kthehet më seriozisht shëndetësisë. Përndryshe, nëse vazhdohet në këtë mënyrë, nuk mund të ndjekim hapin”, thotë Maxhuni.

Në anën tjetër, Lulzim Emini, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, thotë se buxheti i mangët i kufizon kushtet më të mira në Klinikën e Kirurgjisë, e edhe në këtë institucion në përgjithësi.

“Kushtet varen kryekëput nga buxheti. Me buxhetin që ka pasur shëndetësia, nuk mund të kemi kushte më të mira të punës, pavarësisht specialistëve në numër të madh”, deklaron Emini.

Sipas tij, Qendra Klinike gjithmonë është përballur me mungesë anesteziologësh - çfarë lidhet direkt me punën e kirurgjisë, për shkak të operacioneve që kryhen brenda klinikës.

“Anesteziologë ka pasur gjithmonë 50 për qind më pak se që ka nevoja QKUK-ja. Ata që janë, e kanë marrë mbi supe gjithë punën, për t’iu dalë në ndihmë pacientëve”, thotë Emini.

Në këtë klinikë vetëm gjatë vitit 2010 janë kryer gjithsej 2473 opercione kirurgjike, derisa numri i të punësuarve është gjithsej 57 mjekë specialistë.
XS
SM
MD
LG