Ndërlidhjet

Gadafi kërkon rikthimin e kontrollit


Muamer Gadafi
Muamer Gadafi
Kanë rifilluar sërish luftimet në qytetin lindor të Libisë, Maras El Bregas, për të cilin forcat besnike të Muamar Gadafit deklaruan se e rivunë nën kontroll. Maras El Brega është një nga pikat kyçe, përmes së cilës zhvilohet eksporti i naftës.

Forcat ajrore të Libisë kanë sulmuar një mori caqesh në qytet. Mësohet se sulme ajrore nga forcat e Gadafit janë zhviluar edhe në qytetin tjetër të Axhabijas, i cili ka qenë nën kontrollin e forcave anti-qeveritare që nga java e kaluar.

Ka informacione nga terreni që thonë se trupat qeveritare nuk e kanë marrë dot kontrollin e pjesëve që kontrollohen nga kundërshtarët e Gadafit dhe ish-pjesëtarët e ushtrisë që u janë bahskuar protestuesve.

Jusuf Shaga, zëdhënës i forcave anti-qeveritare në qytetin Al Zauijas në perëdnim të vendit, deklaroi për agjencinë Reuters se mbështetja për opozitën po rritet çdo orë. Forcat anti-Gadafi kanë nisur organizimin e qeverisë paralele. Kjo vjen në kohën kur numri i dezertorëve nga radhët e ushtrisë po rritet, e bashkë me ta dhe sasia e armatimit.

“Ne e ndjejmë se jemi në një situatë shumë të mirë dhe jemi të gatshëm të sulmojmë Gadafin në Tripoli”, tha Shaga.

Haitham, luftëtar me forcat opozitare në qytetin e Al Zauijas, tha se morali i trupave po rritet për çdo ditë që forcat qeveritare po dështojnë të rimarrin kontrollin.

Bengazi, 2 mars 2011.
Ne kemi armë. Kemi gjithçka. Kemi gjithë mbështetjen e nevojshme aktualisht. Ne do ta rrëzojmë dhe do ta eleminojmë Gadafin. Nuk e duam më në territorin tonë. Neve na duhet një organizim i një sistemi të ri. Tani jemi në liri. Ne nuk duam naftë, para apo pasuri të tjera. Ne duam vetëm lirinë. Do të fitojmë”, tha Haitham, luftëtari i forcave anti-Gadafit në qytetin e Al Zauijas.

Dy luftanije amerikane janë nisur drejt Libisë, çfarë përputhet me faktin se perëndimi ka nisur të tregojë muskujt.

Megjithatë, duket se nuk ka shumë mbështetje ndërkombëtare për të miratuar një zonë ndalim fluturimi mbi Libi, çfarë do të ndalonte aeroplanët luftarakë të Gadafit t’i sulmonin protestuesit.

Londra zyrtare theksoi se krijimi i një zone të tillë nuk kërkon detyrimisht miratimin e OKB-së, por Rusia është dyshuese rreth saj.

Kreu i sapozgjedhur i diplomacisë franceze hodhi poshtë çdo mundësi për ndërhyrje ushtarake kundër Gadafit pa një miratim të qartë nga Kombet e Bashkuara.

Megjithëse regjimi i Gadafit nuk ka ndonjë armatim modern, sërish raketat tokë ajër që ai zotëron, mund të vënë në shënjestër aeroplanët e NATO-s.

Lidhja Arabe ka thënë se nuk do të pranojë asnjë ndërhyrje ushtarake nga jashtë ndaj Libisë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, deklaroi se përdorimi i foracve ushtarake amerikane në konfliktin e Libisë duhet menduar mirë.

“Ne kemi parë shumë opsione dhe plane. Nuk është marrë asnjë vendim për veprimet e mudnshme”, tha Gejts.

Në planin humanitar, Kombet e Bashkuara raportojnë se gjendja në kufirin libiano-tunizian po arrin nivelet e krizës, pasi mijëra njerëz të dëshpëruar përpiqen të largohen nga Libia. Mbi 100 mijë njerëz janë larguar nga Libia që kur kanë filluar trazirat. (i.b.)

XS
SM
MD
LG