Ndërlidhjet

logo-print

Kosovari vret dy ushtarë amerikanë

  • RFE /RL

Pas incidentit në aeroportin e Frankfurtit, 2 mars 2011.

Pas incidentit në aeroportin e Frankfurtit, 2 mars 2011.

Dy ushtarë amerikanë janë qëlluar për vdekje nga një person i armatosur në Aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.

Autoritetet rajonale nuk përjashtojnë as mundësinë e një lidhjeje terroriste, por asgjë nuk është e qartë.

Personi, i cili vrau dy ushtarë dhe plagosi rëndë dy të tjerë, sipas informacioneve, është nga Kosova, tha ministri i Brendshëm i shtetit Hes, Boris Rein.

Incidenti ka ndodhur kur është sulmuar autobusi që transportonte ushtarët amerikanë. Nuk është e qartë nëse sulmi ka ardhur nga brenda autobusit. Vrasja ka ndodhur në terminalin 2 të Aeroportit të Frankfurtit.

Zëdhënësja e Forcave Ajrore Amerikane për Evropë, majorja Beverli Mok, tha se të katër viktimat, dy të vrarët e dy të plagosurit, u takojnë këtyre njësive. Ajo nuk dha detaje se ku ishin të stacionuara viktimat apo emrat e tyre.

Zëdhënësi i Pentagonit, kolonel lejtnant Todd Vician, tha se ushtarët duhej të dërgoheshin në Afganistan, Irak apo gjetkë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e dënoi sulmin e së mërkurës.

Dua që çdokush ta kuptojë se nuk do të lëmë asgjë pa bërë derisa të mësojmë si ndodhi ky akt i tmerrshëm. Do të punojmë me autoritetet gjermane për të siguruar që të gjithë autorët të dalin para drejtësisë”, tha Obama.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, konfirmoi se policia gjermane e ka identifikuar të dyshuarin si Arid Uka, shtetas i Kosovës nga Mitrovica.

"Kjo është një ngjarje dërrmuese dhe tragjike. Po përpiqemi të kuptojmë nëse ishte diçka e organizuar apo çfarë natyre kishte sulmi", tha Rexhepi.

Presidenti dhe Qeveria e Kosovës e dënuan ashpër vrasjen e dy qytetarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve.

"Institucionet e Kosovës u shprehin ngushëllimet më të thella popullit amerikan, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ushtrisë amerikane dhe familjarëve të viktimave", thuhet në komunikatë.

"Ky rast makabër është një akt individual kundër vlerave civilizuese dhe kundër traditës së popullit të Kosovës, që gjithmonë dhe përjetësisht do t'u jenë mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe Qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e fuqishme që i kanë dhënë popullit të Kosovës gjatë procesit të lirisë, pavarësisë dhe tani zhvillimit dhe integrimit të Kosovës", thuhet në reagimin e Qeverisë.

I dyshuari gjendet në paraburgim. Burimet gjermane raportuan se sulmuesi është i moshës 21-vjeçare.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e dënoi sulmin duke e cilësuar si "ngjarje të tmerrshme". Ajo shtoi se vendi i saj do të bëjë “gjithçka që është e mundur” për ta hetuar deri në fund sulmin ndaj autobusit të ushtarëve amerikanë.

Dua t'iu shpreh ngushëllime ushtarëve amerikanë, familjeve dhe të afërmve të tyre! Kjo është një tragjedi e tmerrshme dhe Gjermania do të bëjë gjithçka që është e mundur për të gjetur shpejt çfarë ka ndodhur”, deklaroi Merkel.

Një raport i AP-së citojnë anëtarë të familjes së Arid Ukës, ta kenë përshkruar të dyshuarin si "mysliman i devotshëm".

Në Uashington, anëtari i Dhomës Përfaqësuese, republikani Patrik Mehan, tha se vepra duket si sulm terrorist. Por, kryesuesi i nënkomitetit që fokusohet në terrorizmin dhe inteligjencën shtoi se ai nuk i ka të gjitha faktet.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të forcave ajrore, gjenerali Norton Shvarc, u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.

"Kjo humbje u ndje në tërë shërbimin tonë", tha Shvarc.

Ushtarët e vrarë në Frankfurt ishin stacionuar në bazën ajrore Lakenheath në Angli, ku ndodhet Krahu Luftarak i 48-të, i vetmi njësit ajror me aeroplanë F-15 në Evropë.

* * * * *

Kush është Arid Uka?


Edona Peci


Autoritetet kosovare nuk kanë arritur të krijojnë një profil të hollësishëm për Arid Ukën, i cili vrau të mërkurën dy ushtarë dhe plagosi dy të tjerë në aeroportin e Frankfurtit. Policia e Kosovës shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet gjermane lidhur me këtë rast, ndërsa hodhi poshtë mundësinë për përfshirjen e Ukës në vepra terroriste në Kosovë.


Autoritetet amerikane, ato gjermane dhe kosovare dënuan vrasjen e dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjen e dy të tjerëve në aeroportin e Frankfurtit nga kosovari, Arid Uka.

Ato e quajtën “të tmerrshme”, një “rast makabër dhe një akt individual kundër vlerave civilizuese”, ndërsa kërkuan që “të gjithë autorët e veprës të dalin para drejtësisë”.

Incidenti i së mërkurës ndodhi kur është sulmuar autobusi që transportonte ushtarët amerikanë, mirëpo mbetet e paqartë nëse sulmi ka ardhur nga brenda autobusit.

Autoritetet në Gjermani po hetojnë rastin, ndërsa bashkëpunimin për të sjellë informata për kryesin e veprës e kanë shprehur edhe mekanizmat përgjegjës në Prishtinë.

Dyshimet për ekzistimin e një prapavije terroriste të rastit thuhet se janë pjesë e këtyre hetimeve. Mirëpo, ende mbetet e pasqaruar se kush, në fakt, është Arid Uka.

Policia e Kosovës njoftoi se, bazuar në informatat që ka, Arid Uka ka lindur më 8 shkurt të vitit 1990 dhe se është nga Mitrovica. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, tha se hetimet preliminare kanë përjashtuar ndërlidhjen e Ukës në vepra terroriste në Kosovë.

“Ne kemi bërë verifikimin në sistemin tonë informativ të policisë dhe i njëjti nuk ka lënë të jetë i regjistruar në regjistrat tanë për veprime anti-terroriste në Kosovë”,
deklaroi Sadriu, duke mos mundur të japë detaje se me kë ka jetuar Arid Uka në Gjermani dhe se kush nga familjarët e tij ka mbetur në Kosovë.

Megjithatë, Sadriu tha se në ditët në vijim, Policia e Kosovës do të jetë e gatshme të nxjerrë informata shtesë për sulmuesin për t’ua ofruar ato, në bazë të kërkesës, autoriteteve në Gjermani.

“Momentalisht, nuk kemi ndonjë informacion për këtë çështje, por ndoshta në të ardhmen në formën e bashkëpunimit me autoritetet e Gjermanisë mund të ketë veprime të tjera. Por, meqë vepra ka ndodhur në Gjermani, pa kërkesën e autoriteteve gjermane nuk mund të veprojmë”
, theksoi Sadriu.

Pavarësisht paqartësive që kanë të bëjnë me identitetin dhe motivin e sulmuesit kosovar, si shenjë solidarizimi me familjarët e viktimave, një grup studentësh të Universitetit të Prishtinës ndezën qirinj para Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

Atyre iu bashkëngjit në këtë aktivitet edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Përmes këtyre qirinjve ne solidarizohemi me popullin amerikan dhe ushtarët amerikanë që janë ushtarë të lirisë së Kosovës”,
tha Hoxhaj.



Trego komentet

XS
SM
MD
LG