Ndërlidhjet

Kuvendi miraton buxhetin për marsin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin edhe për muajin mars. Kryeministri Hashim Thaçi ka premtuar se Qeveria së shpejti do të sjellë para Kuvendit për miratim projektligjin për buxhetin e vitit 2011, në të cilin do të përfshihen pagat me rritje. Opozita është kthyer në Kuvend, për të vazhduar me kritika ndaj pushtetit për vonesën e miratimit të buxhetit 2011.


Në seancën e parë pas konstituimit të institucioneve, Kuvendi i Kosovës ka miratuar buxhetin për muajin mars, duke shfrytëzuar kështu, sipas ministrit të Financave Bedri Hamza, mundësinë e fundit për miratimin e buxhetit vetëm për një muaj.

Hamza ka sqaruar se Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit fiskal.

Kryeministri Hashim Thaçi, i cili për mosmiratimin e buxhetit për 2011, ka fajësuar procesin e zgjatur zgjedhor, ka thënë se në projektligjin që do ta paraqesë Qeveria, do të përfshihen pagat me rritje.

“Ne, shumë shpejt do ta sjellim projektbuxhetin në Kuvend, pasi që Qeveria e Kosovës është zgjedhur tash e 8 ditë dhe natyrisht që konsultat janë të nevojshme dhe të domosdoshme. Në këtë projektbuxhet do të jetë i përfshirë edhe premtimi për rritjen e pagave, ashtu siç kemi premtuar dhe garantuar. Pres që Kuvendi ta miratojë këtë muaj këtë projektbuxhet, kam besim të plotë. Se sa do të vonohet, do të varet edhe nga ju, nga Kuvendi
”, ka thënë Thaçi.

Ligjvënësit kosovarë

Për miratimin e buxhetit vetëm për një muaj kanë votuar edhe deputetët e opozitës, të cilët janë kthyer në Kuvend, pas bojkotit që i bënë seancës kur u zgjodh presidenti dhe Qeveria e Kosovës.

Megjithatë, deputetët e opozitës nuk kanë kursyer as të enjten kritikat ndaj pushtetit. Anëtari i Kryesisë së Kuvendit nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti, ka vlerësuar se nga zgjedhjet që u cilësuan të lënduara, dolën institucione me legjitimitet jo të plotë.

Megjithatë, ai ka thënë se LDK-ja nuk do ta bojkotojë punën në Kuvend.

“Pa marrë parasysh gjithë këto të vërteta, ne jemi sot këtu që të përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Kosovës. Ne vijmë në bankat e Kuvendit që të shqyrtojmë me gjithë fuqinë e dijen që kemi të gjitha problemet që lidhen me shtetndërtimin e këtij shteti. Do të jemi zëri i fortë i kërkimit të së vërtetës në secilin rast dhe zëri i fortë i korrigjimit të veprimeve qeveritare që konsiderojmë se janë të dëmshme, por edhe mbështetës të punëve të mira për Kosovën”,
ka theksuar Hamiti.

Në anën tjetër, deputeti Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar mënyrën e ndarjes së buxhetit të vitit të kaluar, duke thënë se janë lënë anash sektorët që do të zbusnin papunësinë. Ai ka akuzuar për keqpërdorim të parasë publike.

“Është bërë e zakonshme në Kosovë që përdorimi i parasë publike të jetë zakonisht i keq, pra të jetë keqpërdorim. Dhe, ky ka filluar të bëhet edhe publik. Rastin më eklatant të saj e kemi vendimin e fundit të Qeverisë së kaluar për ngritje të pagave të sektorit publik për 50 për qind - vendim që na u shfaq në formën e premtimit elektoral, si metodë perfide e blerjes së votave dhe që, të paktën deri tash, mbeti vetëm si i tillë, premtim elektoral i cili nuk u zbatua si shumë të tjerë”,
është shprehur Ymeri.

Premtimi për rritjen e pagave, sipas shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, po e vonon edhe miratimin e projektbuxhetit për vitin 2011.

Arsyeja pse ne sot e shtyjmë buxhetin e vitit 2010 dhe nuk e miratojmë projektbuxhetin e vitit 2011, të paktën në lexim të parë, është se këta kanë premtuar se do t’i rrisin rrogat dhe tash nuk mund t’i rrisin rrogat derisa t’i gjejnë të hollat, sepse nuk kanë të holla, kjo është tërë arsyeja”, ka pohuar Gjini.

Edhe pse qe paralajmëruar, të enjten nuk është miratuar rezoluta për bisedimet me Serbinë, por kryeministri Hashim Thaçi i ka informuar shkurtimisht deputetët në lidhje me procesin, si dhe me emërimin e zëvendëskryeministres në rolin e shefes së ekipit për bisedime.

Ai ka përsëritur se për këto bisedime fjalën duhet ta thotë edhe Kuvendi i Kosovës.

Në seancën e së enjtes është zhvilluar edhe një debat mbi miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar. Deputeti i AKR-së, Ibrahim Makolli, ka kërkuar që vota e presidentit Behxhet Pacolli për Qeverinë të mos vlerësohet si e vlefshme.

Kjo votë ka shkaktuar debat, duke ngritur dilema nëse me këtë votë, presidenti Pacolli kishte shkelur Kushtetutën.
XS
SM
MD
LG