Ndërlidhjet

logo-print

Guardian: Gra e burra të guximshëm po çlirohen


Libi

Libi


"Guardian"

Timothy Garton Ash

Të ndërhysh apo të mos ndërhysh? Kjo është çështja. Gatishmëria e diktatorit libian, Muamar Gadafi, për të vrarë libianët, për të cilët thotë se e duan, ndonëse po e shprehin çuditshëm këtë dashuri, na kthen në një argument bazë të kohës sonë.

Sfidoj këdo, duke i kërkuar që të shohë aeroplanët e Gadafit duke sulmuar qytetet dhe të mos pranojë faktin se së paku debati mbi mundësinë e ndërhyrjes nga jashtë nuk është legjitim. Ndërhyrja do të duhej të parandalonte vrasjet e mëtejshme të libianëve nga Gadafi.

Në faqen e internetit në Guardian një komentues nga Libia argumentonte bindshëm qëndrimin e tij kundër ndërhyrjes ushtarake nga jashtë. Por, ai ishte në mbështetje të krijimit të një zone të ndalim-fluturimeve mbi Libi.

Fakti se disa vende perëndimore si Britania dhe Italia ishin deri vonë duke iu vardisur Gadafit e duke iu shitur armë, të cilat ai tashmë i ka kthyer kundër njerëzve të tij, e bën pyetjen rreth ndërhyrjes edhe më të rëndësishme.

Gjithë debati për të ashtuquajturat “ndërhyrje liberale” janë të ndara në dy grupime. Në grupin e parë bëjnë pjesë ndërhyrjet e kufizuara në ato ushtarake. Kjo mënyrë nuk merr parasysh se ka shumë rrugë, nëpër të cilat shtetet mund të ndërhyjnë në çështjet e brendshme të një shteti tjetër.

Një nga mundësitë është ofrimi i ndihmës humanitare për viktimat e asaj që duket të jetë fillimi i një lufte civile.

Duke nisur me punën e agjencive humanitare, e cila është thuajse e pranuar nga të gjithë, gjenden një mori formash për të ndërhyrë, nga ato ekonomike, diplomatike e deri te metodat kundërthënëse për ndihmë mediave të pavarura dhe grupeve opozitare, përfshi këtu dhe aftësimin e tyre për lëvizje jo të dhunshme.

Këto forma liberale të ndërhyrjes, që i takojnë tipit ndihmoni njerëzit që të ndihmojnë veten për t’u çliruar, janë të shumta dhe njëherësh përjashtojnë ndërhyrjen e drejtpërdrejtë ushtarake. Këto metoda i kemi përdorur shumë pak gjatë 30 vjetëve të fundit në Lindjen e Mesme.

Një tjetër problem që lidhet me ndërhyrjet ka të bëjë me faktin se operacionet ushtarake tashmë lidhen ngushtë me ato në Afganistan dhe në Irak, të cilat nuk konceptohen si ndërhyrje liberale. Kjo prë dallim me faktin e pranuar se ndërhyrjet në Bosnjë, Sierra Leone dhe në Kosovë ishin realisht liberale.

Arsyet janë të ndryshme. Në Afganistan u ndërhy për shkak të Al Kaidës, e cila kishte bazën e vetë në këtë vend, në kohën që sulmoi Shtetet e Bashkuara. Më vonë misioni mori një tjetër rrjedhë duke u shndërruar në një lloj misioni shtet-ndërtues.

Iraku është një histori më e ngatërruar. Motivet këtu janë të shumta, nga frustrimi amerikan me dështimin për të kapur Osama Bin Ladenin, te dëshira amerikane për përdorimin e armatimit superior deri tek interesi amerikan për naftën irakiane.

Një nga argumentet e përdorura ishte se Sadam Huseini me armë bërthamore do të ishte një tjetër Sllobodan Millosheviq. Për të qenë të saktë, Sadami ka qenë Millosheviq para këtij të fundit, pasi ka përdorur armë kimike kundër kurdëve të Irakut.

Vetëm një i marrë nuk do të pranonte faktin se ndërhyrja në Irak nuk i ka vënë një emër të keq ndërhyrjeve liberale.

Askush nuk ka kontribuar më shumë në këtë drejtim se Toni Bler. Bleri, të cilin e mbështeta fuqishëm në Kosovë dhe Sierra Leone, lë sot një përshtypje të keqe. Ai jo vetëm që mori peng argumentet e ndërhyrjeve liberale për t’i keqpërdorur në Irak, por shkoi dhe më tej duke vajtur e përqafuar Gadafin, Sadamin e Afrikës së veriut.

Pavarësisht të gjitha debateve nuk jam i bindur që krijimi i një zone të ndalim-fluturimit mbi Libi është e justifikuar. Kjo mund të ndryshojë vetëm nëse Gadafi ka depo sekrete me armë kimike, të cilat mund t’i hedhë nga ajri.

Ne duhet të përgatitemi, por para së gjithash duhet të përdorim në maksimum të gjitha rrugët e tjera. Çdo ndërhyrje ushtarake, përfshirë dhe vendosjen e një zone ndalim-fluturimi mbi Libi, do të prishte pjesën më të pastër të këtyre ngjarjeve, faktin se gra e burra të guximshëm po çlirojnë vetveten.
XS
SM
MD
LG