Ndërlidhjet

Reagimet e qytetarëve të Kosovës ndaj vrasjes së dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjes së dy të tjerëve në Aeroportin e Frankfurtit nga një i ri, për të cilin thuhet se është me origjinë nga Kosova, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë mjaft të ashpra dhe emocionale.

Por, këto reagime të qytetarëve, të cilat po regjistrohen drejtpërdrejt qoftë nga mediat në Kosovë, qoftë në forumet e ndryshme mediale, njohësit e rrethanave shoqërore dhe psikologjike i vlerësojnë si një shprehje e fuqishme e lidhjeve emocionale, që ekziston te shqiptarët e Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sociologu Shemsi Reçica, profesor në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se ngjarja në Aeroportin e Frankfurtit ka shkaktuar efekte shokuese te qytetarët e Kosovës, të cilët, sipas tij, e kanë përjetuar shumë rëndë këtë ngjarje.

“Kjo është përjetuar rëndë, sidomos për faktin se autori, dorasi i këtyre vrasjeve, humbjeve tragjike të jetëve të dy ushtarëve amerikanë dhe plagosjes së dy të tjerëve, është vepër e një shqiptari të Kosovës. E kanë gjykuar të gjithë shqiptarët e Kosovës, por edhe jashtë saj".

"Në mënyrë hipotetike, në qoftë se thuhet, po të kishte ndodhur një vrasje në radhët e një ushtrie shqiptare, fjala vjen, nuk do të përjetohej kaq tragjikisht dhe nuk do të reagohej kaq fuqishëm”,
thotë Reçica.

Ndërkaq, psikologu Dashamir Bërxulli, po ashtu profesor në Universitetin e Prishtinës, e sheh të natyrshëm shpërthimin emocional në reagimet e qytetarëve ndaj, siç thuhet, tragjedisë së skajshme në Aeroportin e Frankfurtit.

Sipas tij, në reagimet e qytetarëve vërehet dënimi i ashpër ndaj veprës së dorasit të quajtur Arid Uka, në çfarëdo rrethane, e aq më tepër nëse dyshohet se motivet përmbajnë radikalizëm fetar.
...ata thjesht shprehin mospajtimin e tyre me aktin, sepse populli shqiptar nuk është i dhunshëm, e aq më pak të bëjë vrasje të këtij niveli, siç ndodhi.


“Emocioni i dhembjes është i padiskutueshëm. Kur një anëtar i kombit mik e pëson, dhembja është një pjesë e kësaj panorame emocionale që shprehin njerëzit. Por, nga ana tjetër, kemi edhe ndjenjën e revoltës. Këto ngjarje, që bëhen në emër të fesë, të cilat bëhen në emër të elementeve që nuk na përfaqësojnë neve si shqiptarë dhe popullin e Kosovës në tërësi, atëherë njerëzit protestojnë, sepse distancohen nga ky lloj imazhi dhe nga ky lloj perceptimi që njerëzit mund t’iu japin atyre".

"Nga ana tjetër, ata thjesht shprehin mospajtimin e tyre me aktin, sepse populli shqiptar nuk është i dhunshëm, e aq më pak të bëjë vrasje të këtij niveli, siç ndodhi”,
vlerëson Bërxulli pë Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, sociologu Reçica, reagimet e qytetarëve të Kosovës, të cilët në mjaft raste skajshëm kanë shprehur zemërimin dhe revoltën e tyre, i arsyeton për shkak të, siç thotë ai, motiveve të tyre legjitime.
...shqiptarët e Kosovës, duke qenë një pjesë e madhe e tyre myslimanë me përkatësi fetare, ata janë shumë të ndjeshëm ndaj fundamentalizmit
islamik.

“E para, shqiptarët në përgjithësi dhe veçanërisht shqiptarët e Kosovës, duke qenë një pjesë e madhe e tyre myslimanë me përkatësi fetare, ata janë shumë të ndjeshëm ndaj fundamentalizmit islamik. Në çdo rast dhe në çdo moment ata dëshirojnë që të distancohen prej fundamentalizmit islamik".

"Dhe, e dyta, siç dihet, liria dhe pavarësia e Kosovës lidhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një aleat i madh dhe i fuqishëm, do të thoja, vendimtar, për pavarsinë e Kosovës”,
thekson Reçica.

Sidoqoftë, psikologu Bërxulli vlerëson se e gjithë dhembja, revolta dhe zemërimin i qytetarëve të Kosovës e shprehur në reagime, konfirmon edhe një segment tjetër të orientimit të shqiptarëve në përgjithësi.

“Kemi edhe një konfirmim tjetër të rëndësishëm, që shqiptarët në radhë të parë kanë kombin dhe elementi fetar nuk mund të jetë asnjëherë përpara atij kombëtar. Si i tillë, nëse në emër të fesë dhe elementeve fetare do të bëhen veprime të tilla që e dëmtojnë imazhin në përgjithësi të Kosovës dhe shqiptarëve, realisht ndryshojnë edhe perceptimin e njerëzve".

"Atëherë, njerëzit nuk janë dakord me të dhe e shprehin në mënyrë emocionale, sepse imazhi i Kosovës duhet të jetë i drejtë dhe i pastërt, ashtu siç është, një popull jo i dhunshëm; është popull që respekton kombet tjera dhe i ruan miqësitë e veta, në të cilat ka investuar shumë vite”,
përfundon Bërxulli.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG