Ndërlidhjet

Kundërthëniet shqiptare: Shqipëria, Kosova dhe BE-ja


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ëndrra e Shqipërisë që të hyjë në Bashkimin Evropian është në vështirësi të madhe. Ky është vlerësimi i zymtë i Mirosllav Lajçakut, të emëruarit të BE-së në Ballkan. Lajçak është përpjekur të arrijë një marrëveshje mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama.

Lajçak pohon se nëse Berisha e Rama nuk bien në ujdi para zgjedhjeve të 8 majit, ata do të ndajnë përgjegjësinë për katrahurën e krijuar, pavarësisht justifikimeve që do të nxjerrin.

Nuk ka pasur një politikë normale në Shqipëri që nga zgjedhjet e qershorit të vitit 2009, për të cilat Rama akuzon Berishën për manipulime. Opozita e braktisi Kuvendin e shkoi deri në grevë urie, duke i ngritur çadrat para zyrës së Berishës.

Kjo është vlerësuar si e papërshtatshme për një vend që sapo i është bashkuar NATO-s dhe ka aplikuar për në Bashkimin Evropian, ndaj të huajt u përpoqën të ushtronin presion mbi të dyja palët.

Tani ata kanë hyrë sërish në mes të problemit. Xhim Stainberg, nënsekretari amerikan i Shtetit vizitoi Tiranën më 25 shkurt. Por, zoti Lajçak thotë se miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë po e humbasin durimin.

Telashi i fundit u shfaq në janar kur ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i dha një televizioni një video ku dukej se Ilir Meta po diskutonte për një ryshfet të madh. Meta, në atë kohë zëvendëskryeministër, e denoncoi videon si të falsifikuar, megjithatë dha dorëheqje.

Pak ditë pas kësaj, një protestë e opozitës u kthye në tragjedi. Vëzhguesit pohojnë se një grup ekstremist i protestuesve po kërkonin trazira. Por, askush nuk priste që Garda e Republikës, që rrethonte zyrën e kryeministrit, të hapte zjarr, duke vrarë katër veta nga turma.

Berisha menjëherë akuzoi Ramën se synoi të bënte grusht-shteti duke përdorur armë të maskuara si ombrella. Kur prokurorja e përgjithshme ngriti padi ndaj disa anëtarëve të Gardës, Berisha u përpoq të pengonte arrestimin e tyre. Ai e cilësoi kryeprokuroren si “të përdalën e bulevardit” dhe pjesë të komplotit të opozitës.

Genc Pollo, anëtar i Qeverisë së Berishës këmbëngul se “protesta ishte e mirëorganizuar si përpjekje për të sulmuar ndërtesën kryesore të Qeverisë, në të cilën gjendeshin kryeministri dhe të tjerët”.

Të pakuptimta i quan akuzat Rama.

“Ata vodhën zgjedhjet për ta plaçkitur vendin dhe tani janë në gjendje të vrasin njerëz në mënyrë që të vazhdojnë grabitjen e shtetit”
, thotë Rama.

Berisha beson se ka mbështetjen amerikane. Kjo i jep atij fuqi për të rezistuar arritjen e një marrëveshjeje me Ramën. Por, Lajçak thotë se është e nevojshme që të dy të bien dakord për t’i shmangur problemet që çojnë në keqpërdorimin e zgjedhjeve.

Kjo duhet të ndodhë përpara zgjedhjeve të majit për pushtetin lokal. Në të kundërt, akuzat do të përsëriten, paqëndrueshmëria do të vazhdojë dhe shpresa e Shqipërisë që të hyjë në Bashkimin Evropian nuk do të ishte në rend dite.

Gjendja është pak më e mirë në Kosovë. Aty u mbajtën zgjedhje me parregullsi, por përsëritjet e votimeve në shumë qendra dhe bisedimet e gjata për koalicionin qeverisës bënë që Qeveria e re të mos krijohej para 22 shkurtit.

Kryeministër është Hashim Thaçi, i cili së fundi nga një raport i Këshillit të Evropës akuzohet si kreu i mafias, i lidhur me përgjegjësit e trafikimit të organeve në fund të viteve ’90-të.

Behxhet Pacolli, miliarderi kundërthënës me lidhje të ngushta me Rusinë është zgjedhur si president. Opozita po e sfidon ligjërisht zgjedhjen e tij. Asgjë nga këto nuk do ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së. (i.b)
XS
SM
MD
LG