Ndërlidhjet

logo-print

Prokurori: Pengesa në revole parandaloi më tepër vrasje

  • RFE /RL

Fotografi nga vendi i ngjarjes

Fotografi nga vendi i ngjarjes

Revolja e përdorur nga i dyshuari Arid Uka, nga Kosova, në vrasjen e dy ushtarëve amerikanë në Aeroportin e Frankfurtit, ishte bllokuar gjatë sulmit, duke parandaluar humbjen e mëtejme të jetëve, tha të premten prokurori gjerman, Rainer Greisbaum.

I dyshuari Arid Uka, 21-vjeçar, kishte refuzuar të fliste kur formalisht ishte akuzuar para gjyqtarit për vrasje dhe përpjekje për vrasje, por kishte bërë deklarata të gjata në polici, pak kohë pas sulmit të së mërkurës, ka theksuar zoti Griesbaum.

Mëtutje, Griesbaum theksoi se Arid Uka, u kishte thënë autoriteteve se ai kishte shkuar në aeroport në mënyrë specifike për t’i vrarë amerikanët “si hakmarrje për misionin amerikan në Afganistan”.

Kur ai e ka parë autobusin me 15 persona të armatosur, të parkuar jashtë Terminalit 2, ai i është afruar një personi të armatosur dhe, nën pretekstin e kërkimit të duhanit, ka pyetur nëse të armatosurit ishin në rrugën e tyre për në Afganistan.

“Kur ushtari tha po, ai e qëlloi atë nga prapa në kokë”,
tha Griesbaum. Ushtari i vrarë ishte 25-vjeçar.

Arid Uka pastaj depërtoi në autobus dhe duke brohoritur “Zoti është i Madh”, e vrau shoferin, tha prokurori Griesbaum.

Pastaj, ai e qëlloi një ushtar 25-vjeçar dhe një tjetër 21-vjeçar, duke i plagosur që të dy, tha Rainer Griesbaum.

“Pastaj, ai u përpoq të qëllojë një 22-vjeçar”, tha Griesbaum dhe shtoi se “ai e mbështeti revolen në kokën e tij dhe e tërhoqi këmbëzen dy herë, por revolja u ndal dhe nuk pati të shtëna”.

Megjithqë mendohej se në revole ishin edhe gjashtë plumba, bllokimi i saj i parandaloi të shtënat e tjera dhe Arid Uka iku nga autobusi.

Por, ushtari i fundit, ndaj të cilit Uka provoi të qëllonte, u dha në ndjekje ndaj Ukës në terminalin e aeroportit, së bashku me dy policë federalë gjermanë dhe e kapën atë.

Arid Uka ishte i armatosur edhe me dy thika.

Agjencia AP raporton se autoritetet e Gjermanisë besojnë se Uka ishte radikalizuar aktualisht dhe kishte vepruar vetëm, por prokurori Griesbaum tha se incidenti tregon se ekziston rreziku serioz, edhe nëse ekstremistët nuk janë pjesë e rrjetit radikal.

“Kjo nënvizon rrezikun nga islamistët, që veprojnë vetëm
”, tha Griesbaum.
XS
SM
MD
LG