Ndërlidhjet

Ambasadori i ri, problemet e vjetra


Peter Sorensen
Peter Sorensen
Ambasadori evropian, Piter Sorensen, me dorëzimin e letrave kredenciale presidentit të shtetit, u zotua se do ta ndihmojë Maqedoninë për të kapërcyer të gjitha pengesat në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

“Do të investoj të gjitha përpjekjet dhe kapacitetet për t’i ndihmuar vendit tuaj në përpjekjet për të realizuar perspektivën në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, të krijojmë edhe marrëdhënie sa më efikase me institucionet e BE-së”,
tha diplomati i ri i emëruar në zyrën e BE-së, Piter Sorensen, duke nisur të premten dhe zyrtarisht misionin e tij diplomatik në Maqedoni.

Sorensen apostrofoi se “përkrahja e gjerë e qytetarëve të Maqedonisë për integrimin e vendit në BE, është një përparësi e madhe në procesin euro-integrues, me ç’ka, ky disponim do të bëjë punën e tij më të vlerësuar”.

Nga ana tjetër, presidenti Gjorgje Ivanov shprehu optimizmin që Maqedonia këtë vit kur shënon 20-vjetorin e pavarësisë dhe 10-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, mund të nisë dhe bisedimet për anëtarësim me BE-në.

“Për fat të keq, sjelljen e këtij vendimi po e bllokon një anëtare e BE-së, për shkak të problemit me emrin që ka. Unë dëshiroj që ju të dini se Republika e Maqedonisë është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për emrin. Neve na duhet zhbllokimi i proceseve euro-integruese një orë e më parë. Por, për zgjidhjen duhet konstruktivitet edhe nga pala tjetër”,
deklaroi Ivanov.

Ndërkohë, Sorensen vjen në detyrën e ambasadorit të BE-së në Maqedoni në vend të diplomatit të deritashëm skocez, Ervan Fuere. Diplomati danez, 44-vjeçar, njihet për një karrierë diplomatike me pjesëmarrjen në misionet e BE-së në Beograd dhe Prishtinë.

Ndryshe, paraprijësi i tij, Ervan Fuere, u përcoll nga vendi me raporte të acaruara me kreun e Qeverisë dhe zyrtarëve partisë së kryeministrit Gruevski për shkak të kritikave të drejtpërdrejta që vinin nga zyra e Bashkimit Evropian për zhvillimet politike në vend.

Ekspertët vlerësuan se ndihmesa e përfaqësuesve diplomatikë është më se e nevojshme për Maqedoninë në rrugëtimin drejt realizimit të kërkesave për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike.

Megjithatë, Albert Musliu, nga Instituti për Zhvillime Demokratike, theksoi se lë për të shpresuar sjellja e krerëve politikë të Maqedonisë kur bëhet fjalë për përshtatjen e funksionimit sipas vlerave të BE-së.

“Ne duam të na ndihmojnë, të kemi miq, por ata miq t’i përshtaten shabllonit tonë të të menduarit dhe jo të na kritikojnë për mossukseset tona. Bashkimi Evropian është një institucion, ndaj të cilit Maqedonia synon. Por, gjithsesi duhet ditur se ky institucion ka rregullat e veta fundamentale të zhvillimit të demokracisë, të cilave ne duhet t`u përshtatemi”.

“E, problemi qëndron në atë se politikë-bërësit në Maqedoni dëshirojën të ndihmohen ashtu siç u përgjigjet atyre, duke mbyllur sytë kur shfaqen gabimet dhe problemet
”, vlerësoi Musliu, duke theksuar se nëse kjo qasje e strukturave udhëheqëse të Qeverisë së Maqedonisë nuk ndryshon, edhe ndaj ambasadorit Sorensen do të zbehet entuziazmi dhe simpatia.
XS
SM
MD
LG