Ndërlidhjet

Libi:Të vrarë nga luftimet në qytete

  • RFE /RL

Protestuesit në qytetin Bengazi, Libi.

Protestuesit në qytetin Bengazi, Libi.

Raportohet se në Libi ka pasur të vrarë gjatë luftimeve ndërmjet kundërshtarëve të sunduesit Muamer Gadafi dhe forcave lojale ndaj tij.
Sipas banorëve lokalë, së paku 30 vetë janë vrarë, derisa forcat për Gadafin ishin përpjekur për ta marrë kontrollin nga kryengritësit në qytetin Zavijah, që ndodhet afro 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit Tripoli. Ndërkohë, luftime ka pasur edhe në rajonet e tjera.


Lufta për kontrollin ndaj Libisë e fokusuar në qytetin Zavijah, në perëndim të kryeqytetit Tripoli, ndërmjet kryengritësve dhe forcave lojale ndaj kolonel Muamer Gadafit, ka vazhduar me intensitet të shtuar. Të dy palët pretendojnë se kanë avantazh.

BBC-ja ka raportuar se forcat qeveritare e kanë nënshtruar qytetin pas të shtënave artilerike dhe sulmeve me aeroplana luftarakë, derisa janë përpjekur për ta marrë sheshin kryesor. Është thënë se së paku 18 vetë janë vrarë, megjithqë banorët lokalë thonë se kjo shifër është 30.

Në situatën ku, si kryengritësit, ashtu edhe forcat lojale ndaj Gadafit pretendojnë se e kanë kontrollin në këtë qytet, ja se çka i ka thënë agjencisë Reuters, zëdhënësi i forcës së kryengritësve, Jusef Shagan:

“Ata kanë hyrë në Zavijah në orën 6 të mëngjesit me forca të rënda, qindra ushtarë me tanke. Njerëzit tanë u përgjigjën me luftë. Tash për tash ne kemi fituar dhe civilët janë mbledhur në shesh”.


Shagan pretendon se kryengritësit i kanë zënë tri makina të blinduara dhe dy tanke, pas luftimeve, që zgjatën një orë e gjysmë. Ai tha se në qytet ende ka snajperistë qeveritarë.

Të plagosurit në qytetin Brega, Libi.

Por, këto pretendime të kryengritësve janë në kundërshtim me besimin e shprehur më herët nga zyrtarët e qeverisë.

Zëvendësministri i Jashtëm i Libisë, Khaled Kaim, ka thënë situata në Zavijah është e qetë.

“Zavijah tash është i qetë dhe nën kontrollin e lokalëve dhe armata e çdo gjë është në rregull. Atje janë disa terroristë, ata ikën me kallashnikovë dhe disa revole dhe tash ne po i ndjekim ata”,
ka thënë zëvendësministri Kaim.

Ai pretendon se atje vetëm një njeri ishte vrarë, që është në kundërshtim me raportet për më tepër vrasje.

Sipas raporteve, në qytetet e tjera ka pasur po ashtu të vrarë.

Në Bengazi, që mbahet nga kryengritësit, raportohet se janë vrarë 27 vetë të premten, gjatë një eksplodimi në një depo armatimi.

Në Raslanuf, nga luftimet janë vrarë tetë vetë dhe janë plagosur më se 20 të tjerë. Rebelët thonë se e kanë kontrollin ndaj këtij qyteti, që është 600 kilometra në lindje të Tripolit.

Në qytetin tjetër, Brega, i pasur me naftë, 200 kilometra në lindje, së paku katër vetë raportohet se janë vrarë, ndërsa 24 të tjerë janë plagosur në luftimet ndërmjet kryengritësve dhe forcave të Gadafit.

Lidhur me situatën në Brega, një mjek në spitalin e këtij qytet ka deklaruar:

“Katër njerëz janë vrarë, me këtë dua të them se raste të dokumentuara janë katër, dhe 24 njerëz janë plagosur. Ne ende po presim për njerëzit që janë vrarë larg vendit ku gjendemi ne, mendoj në fushat e naftës në Raslanuf”.


Në spital, prindi i një personi të plagosur e ka shprehur zemërimin, që shumë njerëz në Libi e ndjejnë kundër Gadafit.

“Po lutem që Zoti im ta qëllojë dhe ta largojë atë”
, është shprehur ky prind.

Larg nga zona e luftimeve, kolonel Gadafi e ka filluar ofensivën e re diplomatike duke e caktuar ambasadorin e ri të Libisë në Kombet e Bashkuara, për t’i zëvendësuar diplomatët, që e kanë tërhequr mbështetjen për Gadafin.

Nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara do t’i sigurojnë të dërguarit të ri të Gadafit vizë që ai ta marrë postin e tij të ri.(f.b.)
XS
SM
MD
LG