Ndërlidhjet

logo-print

Aspirata - hyrja në BE dhe NATO


Manifestimi tradicional " Epopeja e UÇK-së", në kazermën "Adem Jashari", Prishtinë 05 mars 2011.

Manifestimi tradicional " Epopeja e UÇK-së", në kazermën "Adem Jashari", Prishtinë 05 mars 2011.

Krerët e institucioneve të Kosovës mbështesin përfshirjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse ndërkombëtare. Presidenti Behxhet Pacolli dhe kryeministri Hashim Thaçi thanë të shtunën, gjatë manifestimeve tradicionale “Epopeja e UÇK-së”, se ambiciet e vendit janë integrimi në BE dhe në NATO.


Kosova ka aspirata të qarta për integrim në NATO, thanë të shtunën udhëheqësit më të lartë të institucioneve.

Këto komente ata i bënë gjatë manifestimeve tashmë tradicionale “Epopeja e UÇK-së”, të organizuara me rastin e 13-vjetorit të rënies së komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.

Manifestimi treditor filloi me rreshtimin e pjesëtarëve të FSK-së në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë, ku morën pjesë presidenti Behxhet Pacolli, kryeministri Hashim Thaçi, si dhe udhëheqës dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.

Presidenti Pacolli tha se Kosova është sot një shtet i pavarur falë sakrificës së popullit të saj dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai theksoi se tani kur vendi është i pavarur, kjo Forcë e Sigurisë që është ndërtuar dhe po ndërtohet, një ditë do të jetë pjesë e misioneve paqeruajtëse ndërkombëtare dhe pjesë e forcave të shoqërive të civilizuara.

“Do ta konsiderojmë pozitivisht kërkesën që ju, në të ardhmen të jeni pjesë e misioneve ndërkombëtare, e misioneve paqeruajtëse. Unë, personalisht, me të gjitha institucionet e Kosovës, do të angazhohem që ju të renditeni aty ku janë të renditura forcat e shoqërive të civilizuara”,
deklaroi Pacolli.
Krerët më të lartë të shtetit dhe familjarë të familjes Jashari në kazermën "Adem Jashari" në Prishtinë, 05 mars 2011.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi tha se aspiratat e Kosovës janë që të bëhet pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Ai tha se lufta çlirimtare në Kosovë bashkoi pranë një vizioni të gjithë shqiptarët, por edhe komunitetin ndërkombëtar, i cili mbështeti aspiratat e Kosovës dhe popullit të saj për liri e pavarësi.

“Ne, këto 13 vjet realizuam synimet tona shekullore për Kosovën e lirë. Tani kemi synimin tonë tjetër të drejtë të vlerave euroatlantike për të integruar shtetin e suksesshëm të Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian”
, tha Thaçi.

Për zhvillimin e FSK-së foli ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku. Ai tha se kjo forcë do t’i përmbushë kapacitetet e plota operacionale gjatë këtij viti.

FSK-ja do t’i shërbejë vendit dhe do t’i shërbejë partneritetit me NATO-n dhe KFOR-in, tha Çeku.

“FSK-ja do të ndërtohet në përputhje me standardet më të larta të NATO-s, por me stil dhe identitet kombëtar, e besueshme, me shpirt e moral të lartë ushtarak, forcë e cila do të jetë burim i krenarisë. Pavarësia nuk është stacioni ynë i fundit, stacioni ynë i ardhshëm është integrimi i Kosovës në BE dhe në NATO”,
theksoi Çeku.

Në këtë ceremoni, përveç arritjeve para të pranishmëve, janë prezantuar edhe pajisjet e FSK-së. Kjo forcë është duke u ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.

Bazuar në Pakon e Ahtisarit, Forca e Sigurisë së Kosovës duhet t’i ketë 2.500 pjesëtarë të rregullt dhe 800 rezervë, të pajisur me armatim të lehtë.

Ambiciet e institucioneve vendase, ndërkaq, janë që Forca e Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në një ushtri të Kosovës, e cila do të ishte në partneritet me NATO-n.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG