Ndërlidhjet

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, thotë se regjistrimi në këtë mënyrë shkel ligjin themelor të shtetit.

“Në qoftë se duhet të bazohemi në Kushtetutën shqiptare, ky është një deklarim, i cili është antikushtetues, sepse në Kushtetutën shqiptare flitet për një shtet të qytetarëve shqiptarë të barabartë, pavarësisht nga kombësitë e tyre fetare dhe etnike”
, thotë Idrizi.

Por, sipas kryetarit të Partisë Bashkimi për Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, shqetësimi i krijuar është i pajustifikuar.

“Është një proces i domosdoshëm që edhe ne të ngremë një shtet të së drejtës konform standardeve të Evropës. Që ta bëjmë këtë, duhet të bëjmë edhe ‘inventarizimin’ e popullsisë nga këndvështrimi i përbërjes etnike, i besimit fetar dhe veçorive të tjera që karakterizojnë individë që ju përkasin grupeve të veçanta. Është një proces i pashmangshëm, është i panegociueshëm”,
thekson Dule.

Këtij arsyetimi, zoti Dule i shton qëndrimin se Qeveria shqiptare nuk është e interesuar të realizojë regjistrimin bazuar në kombësinë dhe fenë e shtetasve.

Kjo, sipas Vangjel Dules, prodhoi edhe shtyrjen e procesit:

“Qeveria deklaronte se do të organizonte një proces të tillë, që në fakt nuk e dëshironte dhe nuk ishte e bindur për të. E trajtoi si shumicën e gjërave si një element demagogjik. Nuk punoi me opinionin publik që të shpjegojë çfarë është sensusi, përse nuk ekzistojnë shqetësimet që ngrenë disa qytetarë të vendit apo disa shoqata”.


Shqetësimet e ngritura me këtë proces, lidhen kryesisht me mundësinë e rritjes artificiale të numrit të shtetasve me kombësi të huaj, kryesisht minoritetit grek. Këtij shqetësimi zoti Idrizi i shton dhe rrezikun e aktivizimit, sipas tij, të qarqeve ultranacionaliste.

“Rasti i konsullit grek në Korçë, i cili duke qenë një person, që përfaqëson Athinën zyrtare, në mënyrë skandaloze u artikulua që regjistrimi i popullsisë në baza etnike dhe fetare, është fillimi i betejës për Vorio-Epirin, tendencë që nga qarqe të caktuara ultranacionaliste po tentojnë ta bëjnë fakt këtë gjë”.

“Në qoftë se në bazë të kësaj tendence do të dalin 400 mijë - 500 mijë shqiptarë me kombësi greke, padyshim që vjen ajo që quhet diskriminim pozitiv. Ne si taksapagues do të paguajmë që vërtet Himara të jetë krahinë autonome, vendet në Parlamentin shqiptar të minoritarëve të jenë të garantuara, do të thotë Shqipëria të kthehet automatikisht në një shtet multi-etnik, prandaj ne mendojmë që ky proces e cenon rëndë sovranitetin e shqiptarëve”
, thekson Idrizi.

Për kreun e PPDNJ-së, Vangjel Dule, janë tendencioze deklaratat për mundësi rritjeje artificiale të minoritetit grek.

“Mund të ketë edhe spekulime të këtilla, por do të jenë kaq periferike dhe të parëndësishme në numra, saqë nuk mund të ndikojnë në produktin përfundimtar të regjistrimit, e jo më të krijojnë një shqetësim, që i ngjan thjesht një furtune në gotë”,
shprehet Dule.

Çështja e regjistrimit të popullsisë ku përfshihen elemente të vetë-deklarimit të kombësisë dhe fesë, është dërguar për shqyrtim edhe në Gjykatë Kushtetuese. Por, nëse kjo do të jetë e pamjaftueshme për të penguar këtë proces, sipas zotit Idrizi, do të ndërmerren të tjerë hapa.

“Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet mendon se duhet të fillojë një peticion në gjithë Shqipërinë, i cili pse jo të kthehet në një referendum në mënyrë që shqiptarët vetë të shprehen apo të pengojnë pikërisht procese të tilla”,
përfundon Idrizi.
XS
SM
MD
LG