Ndërlidhjet

logo-print

Të shtëna me armë në Tripoli


Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar në kryeqytetin e Libisë, Tripoli.

Raportohet se forcat besnike të Muamer Gadafit kanë festuar rimarrjen nën kontroll të qytetit të naftës Ras Lanuf, ndonëse protestuesit pohojnë se ai mbetet nën kontrollin e tyre.

“Në një deklaratë për popullin libian, forcat revolucionare konfirmojnë se kanë ende kontrollin e zonave të çliruara. Ajo çfarë kanë transmetuar kanalet pro Gadafit, është e pasaktë dhe nuk është e vërtetë në terren. Ju gazetarët e keni parë edhe vetë se ne kemi nën kontroll të plotë zonat që i kemi çliruar. Pra, këto thashetheme janë të rreme”, tha zëdhënësi i rebelëve, Vanif Bou Hanada.

Televizioni shtetëror i Libisë ka njoftuar se forcat qeveritare kanë rimarrë kontrollin edhe të dy qyteteve bregdetare, al-Zavijah dhe Misrata.

Raportet po ashtu flasin se trupat ushtarake kanë lëvizur drejt Bengazit, ndonëse nuk ka ndonjë konfirmim të pavarur të informacioneve.

Qindra njerëz kanë humbur jetën që nga shpërthimi i dhunës, ndërsa janë në rritje shqetësimet se trazirat mund të përshkallëzojnë në luftë civile.

Në një intervistë për mediat franceze, Gadafi ka thënë se Libia do të bëhet katalizator terrorizmi nëse ai përmbyset.
XS
SM
MD
LG