Ndërlidhjet

logo-print

AKP-TKPK: Fondi të kthehet në tregun kosovar


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Fondi i privatizimit prej mbi 500 milionë eurosh të grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, dhe mbi 490 milionë eurosh të Trustit të Kursimeve Pensionale, vazhdojnë të mbesin jashtë funksionit ekonomik. Lidhur me këtë, njohës të çështjeve ekonomike konsiderojnë se autoritetet kompetente duhet ta zgjidhin këtë problem, në mënyrë këto mjete të qarkullojnë në tregun kosovar.


Derisa Kosova ka mungesa të parave në tregun vendor, afër një miliard euro të Fondit të Privatizimit dhe të Trustit Pensional vazhdojnë të qëndrojnë të ngrira në banka të ndryshme vendore dhe evropiane, thonë njohës të çështjeve ekonomike

Agjencia Kosovare e Privatizimit, deri më tani ka investuar në Bankën Qendrore të Kosovës, mbi 500 milionë euro.

Ndërsa, Trusti i Kursimeve Pensionale rreth 490 milionë euro i ka të investuara në bankat perëndimore, ndërsa vetëm 5 për qind prej kësaj shume e ka të deponuar në bankat komerciale të vendit.

Muhamet Sadiku, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e pakuptimtë mbajtja e këtij fondi jashtë funksionit të zhvillimit ekonomik. Ai njëherësh kërkon nga ekzekutivi i vendit, që urgjentisht ta zgjidhin këtë problem.

“Gjithsesi, sepse këto janë mjete, të cilat janë gjeneruar në Kosovë dhe është jashtë çdo logjike ekonomike dhe për këtë moment të tashëm, është e pashpjegueshme që Kosova të mos mund t’i shfrytëzojë këto mjete, të mos mund të qeverisë me mjetet, të cilat i ka gjeneruar brenda për brenda vetes. Është e pakuptimtë që të vazhdojë një situatë e tillë”,
konsideron Sadiku.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe Trustit të Kursimeve Pensionale, tashmë kanë deklaruar se kthimi, apo vënia në qarkullim e këtyre mjeteve, nuk mund të bëhet për shkak të pengesave ligjore.

AKP-ja, ndërkaq, ka bërë kërkesë për kthimin e këtij fondi në Kosovë. Mirëpo, Banka Qendrore e Kosovës, që e menaxhon atë, është arsyetuar se mjetet i investon sipas Ligjit për BQK-në, si dhe Politikës së Investimeve që bazohet në sigurinë e mjeteve, likuiditetin e tyre dhe normën e kthimit nga investimet.

Por, analisti tjetër për çështje ekonomike, Milazim Abazi, pohon se autoritet kompetente duhet t’i eliminojnë pengesat ligjore, në mënyrë që këto mjete të qarkullojnë në tregun vendor.

Kthimi i këtij fondi brenda sistemit bankar në Kosovë, do të ndikojë në uljen e kamatës për kredi, e që rrjedhimisht, sipas tij, do të ndikojë edhe në uljen e shkallës së papunësisë.

“Nëse afaristët kosovarë do të kishin interesa më të ulëta në kredi, me siguri se do të merreshin më shumë me zhvillimin e vendit, me zëvendësimin e shumë produkteve të importuar me produktet që do t’i prodhonin vetë kosovarët. Dhe, në mënyrë të natyrshme, do të krijohen çdo vit dhjetëra – mijëra vende të lira të punës, jo vetëm sikurse në tre vjetët e fundit që kemi 60 mijë vende të punës më pak sesa në 2007-n”, shprehet Abazi.

Ndërkaq, Muhamet Sadiku, lidhur me këtë thotë:

“Kosova vazhdon të përballet me mungesë të mjeteve për investime afatgjatë. Dhe, kjo ka bërë që me një ofertë të tillë financiare, nga shkaku se këto mjete nuk janë në funksion të zhvillimit, kredia në Kosovë është bërë malli më i kërkuar dhe në të njëjtën kohë është bërë malli më i shtrenjtë. Këtu kam parasysh kamatat tejet të larta të kredive, të cilat u ofrohen bizneseve të Kosovës”.


Ekspertët e ekonomisë, madje thonë se pa kthimin e këtyre fondeve, edhe investitorët e huaj do të hezitojnë të investojnë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG