Ndërlidhjet

logo-print

Autostrada, pjesërisht e përfunduar brenda 2011-s


Punimet në autostradën "Rruga e Kombit", që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Punimet në autostradën "Rruga e Kombit", që lidh Shqipërinë me Kosovën.

Tri seksionet e autostradës Vërmicë - Merdar do të përfundojnë brenda këtij viti, konfirmojnë përfaqësues të kompanisë amerikano-turke “Bechtel & Enka”. Sipas tyre, punimet në seksionin e parë dhe të dytë parashihen të përfundojnë tre muaj para afatit dhe në seksionin e tretë, 11 muaj para afatit.


Punimet për ndërtimin e autostradës Vërmicë - Merdar të filluara në vitin e kaluar, janë intensifikuar dhe pritet të përfundojnë para afatit të parashikuar me kontratë.

Disa nga seksionet e autostradës do të lëshohen për shfrytëzim për qytetarët.

Zëdhënësja e kompanisë, Ela Ruçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i punimeve nuk kanë hasur në ndonjë pengesë që do të ndikonte në ngecje të punimeve.

“Punimet janë duke ecur sipas parashikimeve që ne kishim bërë, në fakt janë intensifikuar, sepse edhe koha na ka ndihmuar. Është duke u punuar që nga kufiri deri në seksionin e katërt, por objektivi ynë kryesor është që të hapim seksionin e parë, të dytë dhe të tretë, që është nga kufiri deri në Suharekë, brenda këtij viti”
, bën të ditur Ruçi.

Ndërkohë, punimet nga Vërmica në Prizren nuk i ka ndalur as moti i keq. Aty është punuar pandërprerë edhe gjatë stinës së dimrit. Ruçi tregon se deri më tani është punuar në të gjithë gjatësinë e autostradës.

Është punuar në të dhjetë urat, janë përfunduar ura 5 dhe 6, kurse është në përfundim e sipër edhe ura e tretë. Gjithashtu, sipas Ruçit, janë ngritur strukturat e të gjitha urave dhe janë të gatshme për hedhjen e trarëve.

Në anën tjetër, sa i përket pengesave që mund të ketë hasur kompania gjatë punimeve, Ruçi shpjegon:

“Plani i punës në një terren kaq të gjerë, sigurisht ka vështirësitë e tij teknike, por unë nuk mendoj që ka pengesa. Ka një ecuri, e cila na bën optimistë që ta përfundojmë brenda afateve që ishin parashikuar me kontratë. Nëse tani ne flasim për hapjen për seksionin e parë, të dytë dhe të tretë brenda këtij viti, kjo është para afatit të parashikuar në kontratë, e cila parashihte që këto seksione të hapen më 2012”.


Punimet në autostradën Vërmicë - Merdar që lidh Kosovën me Shqipërinë, kanë filluar në prill të vitit të kaluar, ndërsa afati i paraparë për përfundimin e saj, është brenda 36 muajve që nga dita e fillimit të punimeve.

Mjetet për realizimin e këtij projekti, që llogariten të jenë 700 milionë euro, do të sigurohen nga buxheti i Kosovës, donatorët dhe në rast nevoje edhe nga marrja e kredive.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se ky projekt edhe më tej duhet të mbetet prioritet i Qeverisë, megjithatë ai thekson disa nga zhvillimet ekonomike në vend që mund të prekin projektin.

“Autostrada do të jetë sfidë për Qeverinë e Kosovës. Kur dihet që nuk është miratuar ende buxheti, mund të ketë probleme. Të hyrat në Kosovë mund të rrezikohen për shkak të krizave ekonomike të ndryshme, por sidoqoftë kontrata me kompaninë duhet të zbatohet”
, thotë Shahini.

Shahini thekson se duke pasur parasysh ndëshkimet që mund t’i kenë të dy palët në rast të mosrespektimit të kontratës për autostradën Vërmicë - Merdar, atëherë ky projekt do të mund të realizohet brenda afatit të paraparë.

Në anën tjetër, sa u përket përfitimeve ekonomike që mund të ketë Kosova pas lëshimit të disa seksioneve të autostradës, Shahini thekson:

“Kjo autostradë, një aks i së cilës parashihet të lëshohet brenda këtij viti për qytetarët, mallrat dhe shkëmbimeve tjera, nuk pritet të ndikojë në një zhvillim të shpejtë ekonomik kur dihet se Kosova dhe Shqipëria zhvillimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare në krahasim me vendet tjera, i kanë më të ulëta”.


Ndryshe, projekti i autostradës Vërmicë - Merdar është një nga investimet më të mëdha të bëra nga Qeveria e Kosovës.

Lexoni edhe këto:

Ndërtimi i autostradës - 0.74 euro ora(!)
Shpresat te punësimi sezonal
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG