Ndërlidhjet

Libi: Lufta për qytete


Vazhdojnë luftimet në Libi për marrjen e qyteteve. Deklaratat e zyrtarëve pro qeverisë së Gadafit thonë të kenë marrë kontrollin në disa qytete, kurse forcat antiqeveritare hedhin poshtë këto pohime
Vazhdojnë luftimet në Libi për marrjen e qyteteve. Deklaratat e zyrtarëve pro qeverisë së Gadafit thonë të kenë marrë kontrollin në disa qytete, kurse forcat antiqeveritare hedhin poshtë këto pohime
Banorët e kryeqytetit të Libisë, Tripoli, janë zgjuar të dielën nën krismat e armëve.

Zyrtarët thonë se të shtënat kanë ardhur nga mbështetësit e udhëheqësit libian, Muamer Gadafi, të cilët kanë festuar deklaratat e qeverisë për rimarrjen e kontrollit të qyteteve bregdetare Zavijah dhe Misrata, si dhe të qytetit të naftës Ras Lanof në Libinë qendrore.

Por, këto pohime hidhen poshtë nga forcat kryengritëse. Ata thonë se Ras Lanofi mbetet në kontrollin e tyre.

“Në një deklaratë për popullin libian, forcat revolucionare konfirmojnë se kanë ende kontrollin e zonave të çliruara. Ajo çfarë kanë transmetuar kanalet pro Gadafit, është e pasaktë dhe nuk është e vërtetë në terren. Ju gazetarët e keni parë edhe vetë se ne kemi nën kontroll të plotë zonat që i kemi çliruar. Pra, këto thashetheme janë të rreme
”, thotë zëdhënësi i protestuesve, Vanif Bou Hanada, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Raportet e mediave të pavarura thonë se Ras Lanofi vazhdon të kontrollohet nga forcat opozitare.

Sipas disa njoftimeve, luftanijet kanë lansuar dy sulme me raketa pranë kompleksit të naftës. Pjesa më e madhe e naftës së Libisë përpunohet në rafineritë rreth Ras Lanofit.

Më herët, televizioni shtetëror i Libisë ka njoftuar se forcat qeveritare kanë lëvizur drejt Bengazit, ndonëse nuk ka ndonjë konfirmim të pavarur të informacioneve. Bengazi vlerësohet të jetë qendra e trazirave të vazhdueshme kundër sundimit 41-vjeçar të Muamer Gadafit.

Qindra njerëz kanë humbur jetën që nga shpërthimi i dhunës, ndërsa janë në rritje shqetësimet se trazirat mund të përshkallëzojnë në luftë civile.

Në një intervistë për mediat franceze, Gadafi ka thënë se Libia do të bëhet strehë për grupet terroriste si Al-Kaida, nëse ai përmbyset. (v.t.)
XS
SM
MD
LG