Ndërlidhjet

Ban: Libia t'i ndalë sulmet ndaj caqeve civile



Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun ka kërkuar që t'i jepet fund sulmeve të pabarabarta kundër civilëve në Libi, dhe paralajmëroi se ata që shkelin ligjin ndërkombëtar do të sjellen para drejtësisë.

Ban i bëri këto komente në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Libisë, Musa Kusa.

Ata janë dakorduar që Kombet e Bashkuara të dërgojnë menjëherë një ekip në Tripoli për ta vlerësuar gjendjen humanitare.

Ban e emëroi shefin e diplomacisë jordaneze Abdelalih Al-Hatib të dërguar të posaçëm të tij në Libi.

Ndërkohë, forcat besnike ndaj Moamer Gadafit kanë përdorur tanke, mortaja dhe helikopterë luftarakë për t'i rimarrë qytetet që kontrollohen nga kryengritësit.

Në Misrata, 200 km në lidje të Tripolit, forcat pro Gadafit dolën të hyjnë në qytet, por pas disa orësh u zbrapsën nga rebelët.

Trupat e Gadafit gjithashtu i sulmuan pozicionet e kryengritësve në portin Ras Lanuf, 660 km në lindje të kryeqytetit.

Rebelët u detyruan të tërhiqen nga Bin Xhavad, vendlindja e Gadafit.

Ndërkohë, sekretari i jashtëm britanik, Uiliam Hejg, tha se një ekip, siç e quajti, i diplomatëve, që ishte kapur në Bengazi, tash është larguar nga Libia.

Gazeta Sunday Times raportoi se njësiti i forcave speciale britanike ishte kapur gjatë një misioni sekret diplomatik për të kontaktuar me liderët e opozitës.

Ministri i jashtëm gjerman, Guido Vestervele, ka deklaruar se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të vendosë sanksione tjera kundër Gadafit.
XS
SM
MD
LG