Ndërlidhjet

logo-print
Sistemi gjyqësor në Kosovë nuk do ta ketë policinë e tij. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se Qeveria e Kosovës ka hequr dorë nga procedurat e hartimit të strategjisë ligjore për themelimin e policisë gjyqësore. Por, njohësit e sistemit të drejtësisë, formimin e kësaj policie e konsiderojnë si shumë të rëndësishëm.


Mungesa e Policisë Gjyqësore po ndikon drejtpërdrejt në mosefikasitetin e plotë të prokurorive dhe gjykatave, vlerësojnë zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Sipas tyre, formimi i kësaj policie, do të ndihmonte drejtpërdrejt në punën e sistemit të drejtësisë dhe në zgjidhjen e një numri të konsiderueshme të lëndëve të pazgjidhura.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, Prokuroria ngarkohet me punë kryesore në zhvillimin e hetimeve.

Në shumë raste, detyrat e parapara gjatë hetimeve, duhet të kryhen edhe nga ana e policisë gjyqësore. Mirëpo, ky njësit i policisë në Kosovë nuk ekziston ende.

Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, formimin e kësaj policie e konsideron si shumë të rëndësishëm.

“Kodi i Procedurës Penale që ka hyrë në fuqi në vitin 2004, ka paraparë formimin e policisë gjyqësore. Unë mund të them lirisht se mosfunksionimi i policisë gjyqësore në kuptimin siç e parasheh ligji, ka sjellë edhe telashe sa u takon hetimeve të mirëfillta, e që për pasojë kanë pasur edhe gjykimet që kanë dështuar në shumë raste”,
thotë Enver Peci.

Mungesa e Policisë Gjyqësore po ndikon drejtpërdrejt në mosefikasitetin e plotë të prokurorive dhe gjykatave, vlerësojnë zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Mirëpo, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës thonë se me rekomandimet e ekspertëve, është vendosur që për punët e policisë në sistemin gjyqësor, të kujdeset policia e zakonshme.

Këshilltari ligjor i ministrit të Punëve të Brendshme, Bardhyl Jashari, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje aktualisht nuk është duke u diskutuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Pas analizave të detajuara, duke marrë për bazë edhe kapacitetet tona të brendshme në aspektin human, përkatësisht njerëzor, por jo në atë profesional dhe gjithnjë nën rekomandimet, po ashtu, të Qeverisë dhe të partnerëve tanë, në njëfarë forme kemi ndaluar procesin e themelimit të këtij institucioni”,
konfirmon Jashari.

Nga ana tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, thekson se është në dijeni se Kodi i Procedurës Penale do të pësojë ndryshime.

Në ato ndryshime, sipas tij, pritet të shihet se a do të ketë ndonjë risi lidhur me formimin e Policisë Gjyqësore.

Megjithatë, edhe Maliqi është i mendimit se vendi aktualisht nuk ka nevojë për një polici të tillë.

“Në kuadër të Policisë, kemi njësitet e specializuara që kanë detyra dhe përshkrim të detyrave, që përputhen me ato të policisë gjyqësore. Ne jemi kundër asaj që të ketë ndonjë njësit të veçantë që do të merrej me çështje të tilla”
, pohon Maliqi.

Aktualisht, punët e policisë gjyqësore po i kryen policia e Departamentit të krimeve, që funksionon në kuadër të Policisë së Kosovës.

Bardhyl Jashari nga Ministria e Brendshme, shprehet se derisa Policia e Kosovës dhe sistemi i drejtësisë nuk arrijnë kapacitetet e nevojshme profesionale, formimi i Policisë Gjyqësore, nuk do të mund të bëhet shpejt.

“Për momentin, derisa nuk arrijmë në nivelin e caktuar të zhvillimit, si të aspektit human, po ashtu edhe profesional të vetë policisë sonë, por edhe të sistemit gjyqësor në përgjithësi, nuk mendoj se mund ta kemi një institucion të tillë. Analizat ekzistojnë dhe mendojmë se ndoshta në një të ardhme të afërt mund të mendojmë edhe për një institucion të tillë”
, theksoi Jashari.

Për të qenë sa më funksionale, efikase dhe sa më të organizuara në lëmi të ndryshme, policia gjyqësore duhet të ekzistojë dhe të veprojë nëpër polici regjionale, vlerësojnë ekspertët e sigurisë.

Ata mendojnë se policia gjyqësore do ta njoftonte prokurorin publik, do të mblidhte të dhëna të duhura, do të bisedonte me të dyshuarit e dëshmitarët, si dhe do të siguronte dëshmi materiale të nevojshme për rastet konkrete.

Lexoni edhe këto:

Varësia e Gjyqësorit
Reformimi i gjyqësorit - sfidë për 2011-ën
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG