Ndërlidhjet

logo-print

Independent: Bisedimet, triumf i heshtur për BE-në


Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parashihet të fillojnë këtë javë në Bruksel.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parashihet të fillojnë këtë javë në Bruksel.

"Independent"

Aftësia e Bashkimit Evropian për të qenë i unifikuar në qëllimet e politikës së jashtme shpeshherë është nënvleftësuar në Britani, ku dështimet janë përkrahur apo sukseset janë injoruar. Por, fillimi i bisedimeve të para ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është padyshim triumf i “forcës së butë” të Bashkimit Evropian.

Asnjëra palë normalisht nuk do të dëshironte të kishte punë me palën tjetër po të mos ishte diplomacia këmbëngulëse e BE-së në vitet e fundit. Thënë më thjeshtë, dëshira e ndarë e serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës për t’iu bashkangjitur klubit evropian, i tejkalon pothuajse të gjitha konsideratat, madje edhe urrejtjet legjendare ballkanike.

Bisedimet në Bruksel nuk do të zgjidhin brenda natës një mosmarrëveshje etnike dhe territoriale që daton me shekuj. Për shumë serbë, Kosova mbetet pjesë e trashëgimisë së lashtë, dhe ata ndoshta në asnjë shkallë, nuk shpejtojnë ta njohin deklaratën e njëanshme të pavarësisë.

Fyerja kundër NATO-s për intervenimin ushtarak të saj në anën e kryengritësve të Kosovës në vitin 1999, mbetet thellë e ngulitur, dhe për shumicën e serbëve është shkaktari kryesor kundër çdo hapi për t’iu bashkangjitur Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Nga ana tjetër, shqiptarët e Kosovës, mbeten ekstremisht të hidhëruar për shkak të refuzimit të Serbisë që të kërkojë falje për rreth 10 mijë shqiptarët, të cilët forcat serbe i vranë përpara se NATO-ja t’i detyronte të tërhiqen.

Ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian janë mirë të vetëdijshëm për këtë prapavijë të bisedimeve dhe do të përpiqen të ecin përpara me çështjet më të lehta, sesa të përpiqen të bëjnë kryelajme me çështjet e mëdha të njohjes dhe kërkim-faljeve zyrtare.

Një ndër pengesat e para që duhet të adresohet është bllokada ekonomike e Serbisë ndaj ish-krahinës së saj, akt i pakuptimtë i inatit, dhe refuzimi i saj që të marrë pjesë në çfarëdo forumi rajonal ku është ftuar edhe Kosova, sjellje kjo që nga fqinjët tjerë të Kosovës është parë si e mërzitshme dhe shqetësuese.

Në qoftë se Brukseli mund të arrijë diçka në këto fusha, ai do t’i bëjë shërbim tërë rajonit. Zgjatja e mosmarrëveshjes serbo-shqiptare i vonon gjasat e të dyja palëve për anëtarësim në BE, dhe e mban gjithë Ballkanin në një pritje të panevojshme.
XS
SM
MD
LG