Ndërlidhjet

logo-print

Petroviq: Jemi pjesë e delegacionit


Slobodan Petroviq

Slobodan Petroviq

Ne jemi pjesë e institucioneve të Kosovës dhe Qeverisë së saj dhe sipas këtij definicioni, ne jemi në delegacionin e saj për dialogun, tha Sllobodan Petroviq, zëvendëskryeministër dhe ministër Administrimit të Pushtetit Lokal, në intervistën për Radion Evropa e Lirë.





RADIO EVROPA E LIRË
Zoti zëvendëskryeministër, Partia e Pavarur Liberale, të cilën ju e kryesoni, tashmë është në koalicion qeveritar me tri poste ministrore, ndërkaq ju keni marrë postin e zëvendëskryeministrit. Cilat janë objektivat që do t’i ndiqni për të realizuar ato që i keni premtuar komunitetit tuaj?

SLLOBODAN PETROVIQ
Sigurisht që premtimin e parë që ua kemi dhënë, e kemi përmbushur me hyrjen në Qeverinë e Kosovës. Në anën tjetër, është e dukshme, sa i përket Partisë së Pavarur Liberale, se në mandatin e kaluar kemi pasur rezultate të dukshme dhe këtë e ka vërtetuar edhe bashkësia jonë, e cila ka dalë në votime, në zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu, ajo që është e dukshme nga ana jonë është se ne do të punojmë në të njëjtin drejtim. Do ta kemi një politikë. Qeveria e Kosovës, siç dihet, ka një shumicë të ngushtë dhe nisur nga kjo, të gjithë ne që jemi në qeveri, kemi obligime më të mëdha që të punojmë në mënyrë sa më kualitative dhe të mirë, ashtu që, para së gjithash, qytetarëve t’iu sigurohet një jetë më e mirë dhe më e sigurt.

Aktiviteti ynë mëton përmirësimin e kushteve të jetës, jo vetëm të bashkësisë serbe, por të të gjithëve, sidomos tash nga pozicioni, në të cilin jemi dhe sidomos unë, si zëvendës i kryeministrit dhe ministër i Pushtetit Lokal, ku do të kem përkrahjen dhe pjesëmarrjen konkrete dhe të drejtpërdrejtë me të gjitha komunat. Kjo, me siguri se do ta ndihmojë punën tonë.

Unë jam pothuajse i sigurt se do të ketë rezultate.

RADIO EVROPA E LIRË
A ekzistojnë kushte që të arrihen rezultate të tilla?

SLLOBODAN PETROVIQ
Fatkeqësisht, kushtet nuk janë më të mirat, por për çdo rast, kjo është edhe një arsye pse ne duhet të jemi pjesëmarrës, në mënyrë që ato kushte t’i përmirësojmë. Jam i vetëdijshëm se situata në Kosovë nuk është ideale dhe ka mjaft probleme. Por, kjo është edhe një arsye më shumë që të jemi në një drejtim të përbashkët, thjesht, për shkak se problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë.

Unë nuk u frikësohem sfidave dhe pres që në këtë rrugë ta kemi edhe përkrahjen e miqve tanë nga bashkësia ndërkombëtare, para së gjithash mendoj në Bashkim Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq, a do të përpiqeni dhe në çfarë mënyre, që të thyhen barrierat ekzistuese ndërmjet komunitetit serb dhe atij shqiptar?

SLLOBODAN PETROVIQ
Ne këtë e bëjmë tash e pesë vjet. Nga kjo distancë mund të them se kemi krijuar mjaft rezultate në këtë drejtim. Me siguri që ka mundësi të bëhet më shumë dhe më mirë. Por, fundja, kjo edhe pritet nga ne, nga të dyja anët. Ne dëshirojmë që të jemi parti e zgjidhjeve, e jo e problemeve dhe kur e them këtë, mendoj jo vetëm në mënyrë deklarative, por edhe në anën praktike.

Megjithatë, periudha që e kemi lënë pas, ka treguar qartë se ne këtë dimë, duam dhe mund ta bëjmë. Ndërkaq, në periudhën prej katër vjetësh, do të thotë, në mandatin e tashëm që do ta kemi, unë jam gati se i sigurt se në këtë fushë do të japim rezultatet më të mëdha.

RADIO EVROPA E LIRË
Oponentët tuaj nga radhët e politikanëve serbë ju kanë cilësuar, siç kanë thënë ata, si një lider i improvizuar dhe e kanë quajtur subjektin politik që ju drejtoni, si fraksion të Partisë Demokratike të Kosovës. Cili është komenti juaj lidhur me këto cilësime?

SLLOBODAN PETROVIQ
Komentin më të mirë lidhur me këtë, e kanë dhënë qytetarët që kanë votuar. Këta njerëz janë ata që kanë marrë vetëm disa dhjetëra vota dhe për mua është nën çdo nivel që t’i komentoj ata. Do të thotë, vlerësimin dhe kualifikimin më të mirë e bëjnë qytetarët dhe zgjedhjet janë vlerësuesit më të mirë.

Ne kemi punuar tre vjet përmes institucioneve. Po të kishim punuar keq, nuk do ta kishim përkrahjen dhe nuk do të kishte dalë numri më i madh i votuesve serbë, që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhor deri më tash. Nga ai numër që kanë dalë, mbi 60 për qind kanë votuar për Partinë e Pavarur Liberale. Rezultatet e zgjedhjeve janë përgjigja më e mirë për të gjithë ata që flasin.

Ata që kritikojnë, e kanë pasur mundësinë që gjatë viteve të kaluar, të jenë pjesë e këtyre institucioneve. Ata kinse i bojkotuan ato, por kanë bojkotuar vetëm aty ku është dashur të punohet dhe të luftohet për interesat e qytetarëve, për një jetë më të mirë.

Megjithatë, nëse ju kujtohet, ata nuk e bojkotuan arkën, në të cilën merrnin pagat. Këta njerëz janë të pamoralshëm dhe absolutisht, çdo kritikë e tyre, për mua është kompliment.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq, Kosova është në prag të fillimit të dialogut me Serbinë. Si e shihni ju këtë proces dhe zhvillimin e tij?

SLLOBODAN PETROVIQ
Tashmë është e ditur se ne e kemi shprehur dëshirën që të jemi pjesë e këtij procesi, në një mënyrë ose tjetër, me qëllim të forcimit të kapaciteteve dhe me qëllim që të ndihmojmë. Do të thotë, nuk dëshirojmë që në çfarëdo mënyre roli ynë t’i pamundësojë këto përpjekje. Është krejtësisht e sigurt se ka mjaft gjëra me interes për qytetarët, që mund t’i bëjmë bashkërisht dhe ne nuk i ikim përgjegjësisë.

E dimë që nuk është në rregull që të mbetemi anash dhe, thjesht, jemi të obliguar dhe të përgjegjshëm ndaj njerëzve që kanë votuar në zgjedhjet e kaluara. Do të thotë, ne dëshirojmë të ndihmojmë në çfarëdo mënyre dhe të dëgjohen problemet e vërteta të njerëzve që jetojnë këtu. Parësore janë çështjet e jetës së përditshme, do të thotë, çështjet teknike dhe zgjidhja e këtyre problemeve, e jo çështje të politikave të larta apo të statusit.

Nga ana jonë, kjo është e qartë dhe në bazë të kësaj politike, ne kemi marrë më shumë se 60 për qind të votave të qytetarëve që kanë dalë zgjedhje. Ne edhe më tutje do të mbështetemi në një politikë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni ju optimist apo pesimist lidhur me rezultatet e këtij procesi?

SLLOBODAN PETROVIQ
Për nga natyra unë jam optimist. Por, për çdo rast, unë pres që organizatorët e këtyre bisedimeve, para së gjithash Bashkimi Evropian, të jenë garantues të zgjidhjeve që do të arrihen. Gjithashtu, pres që miqtë tanë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të inkuadruar në këtë proces dhe të jenë edhe garantues i fuqishëm i zbatimit të atyre marrëveshjeve që do të ndodhin.

Sidoqoftë, pres se do të ketë gjëra që do të jenë me interes të përgjithshëm, jo vetëm të njerëzve që jetojnë në Kosovë dhe Serbi, por në të gjithë rajonin.

Mendoj që njerëzit që do të jenë pjesëmarrës në këto bisedime, duhet ta vlerësojnë këtë situatë në mënyrë shumë të përgjegjshme, sepse kjo është diçka që bazohet në përgjegjësinë e dikujt që ka për qëllim vitet e ardhshme, e jo vetëm periudhën e kaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se do të jeni pjesë e këtij dialogu. Në ç’formë dhe cili mendoni se do të ishte kontributi juaj?

SLLOBODAN PETROVIQ
Ne, gjithsesi se jemi pjesë e procesit të dialogut. Nuk mund të themi se ne jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës vetëm si një dekor i saj, por jemi partnerë plotësisht të barabartë.

Nëse e shikoni koalicionin qeveritar, ne jemi partia e dytë sipas fuqisë së mandatit dhe kjo na obligon që në atë mënyrë edhe të sillemi. Ne nuk mund të jemi të papërgjegjshëm. Sigurisht se ka mjaft të tillë që na pyesin, se a do të jemi në këtë anë apo në anën tjetër.

Ne nuk lejojmë që bisedimet e tilla të shihen si ndeshje e boksit, ku rrihen njerëzit. Thjesht, është diçka që duhet të japë rezultate për të mirën e të gjithëve. Në këtë rast, as që duhet të bëhet pyetja se në cilën anë të tavolinës do të jetë Partia e Pavarur Liberale. Qëllimi i gjithë kësaj është që me angazhim dhe punë të jepet kontribut domethënës, i cili do të sjellë rezultate për një jetë më të mirë. Gjërat periferike më nuk na interesojnë.

Ne jemi pjesë e institucioneve të Kosovës dhe Qeverisë së saj dhe sipas këtij definicioni, ne jemi në delegacionin e saj. Është çështje tjetër nëse brenda këtij delegacioni do të jemi të inkuadruar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, apo do të jemi jashtë delegacionit. Por, me siguri se ne nuk mund të ikim nga përgjegjësia dhe obligimi për të dhënë kontributin tonë, me qëllimin që të zgjidhen problemet, të cilat i mundojnë qytetarët tonë dhe në asnjë variant tjetër.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG