Ndërlidhjet

Vrasja në Gjilan besohet të ketë qenë e qëllimshme



Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intenzive lidhur me vrasjen e një 14 vjeçari në Uglarë të komunës së Gjilanit. Pas incidentit të së shtunës, forcat policore arrestuan një të dyshuar serb, me inicialet Zh.S., ndërsa pas bastisjes së shtëpisë së personit në fjalë konfiskoi një pushkë gjuetie dhe 14 fishekë të kalibrit 16 milimetër.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Gjilan, Ismet Hashani, i tha Radios Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka ndonjë të dyshuar tjetër dhe se gjatë hetimeve të deritanishme në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë gjurmë që mbështesin dyshimin.

Ai nuk foli për motivet eventuale të shtënies me armë zjarri, por përjashtoi mundësinë që ajo të ketë ndodhur aksidentalisht.

“Besohet se është e qëllimshme dhe ata janë gjuajtur nga prita, por nuk mund të japim paragjykime se nga kush, pasi që ende nuk kemi dëshmi të mjaftueshme për t’i ditur motivet e kësaj vepre të rëndë, por sigurisht që hetimet në vazhdim do ta zbardhin këtë rast të rëndë”, tha Hashani.

Djaloshi i 14 vjeçar me përkatësi etnike shqiptare u vra të shtunën në fshatin Uglarë gjatë kthimit nga mali me qerre të ngarkuar me drunj.
XS
SM
MD
LG