Ndërlidhjet

logo-print

8 Marsi - i harruar atje ku filloi, në Perëndim!


Në shumë pjesë të botës, ka gra që ballafaqohen me sfida edhe më të këqija se gratë, që luftonin për të drejtën e votës, para më se 100 vjetësh.

Në shumë pjesë të botës, ka gra që ballafaqohen me sfida edhe më të këqija se gratë, që luftonin për të drejtën e votës, para më se 100 vjetësh.


Këtë vit shënohet 100-vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Grave, 8 Marsi, datë që në shumë pjesë të botës ka shërbyer si zëvendësim për Ditën e Shën Valentinit, me dhurata në formë të luleve dhe me çokollata, por me pak diskutim për të drejtat e grave.

Ky është një ndryshim dramatik nga synimi fillestar i kësaj date, që ishte përmirësimi i kushteve të femrave punëtore në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore.

Pa dyshim se shënimi i 100-vjetorit të Ditës Ndërkombëtare të Grave, 8 Marsi, në natyrën e tij është vërtet ndërkombëtar, pasi festohet në më tepër se 100 vende në gjithë botën.

Por, pavarësisht përvjetorit të profilit të lartë, për këtë ditë, pothuajse as që dëgjohet në perëndim, madje edhe në vendet ku kjo festë e ka origjinën.

Dita e Parë Ndërkombëtare e Grave është mbajtur në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër, më 19 Mars 1911, me ç’rast në tubimet ku kërkohej që femrave t’u jepej e drejta për punë, për votë dhe e drejta që të mbajë post publik, ishin tubuar më se një milion njerëz.

Përtej Atlantikut, në Shtetet e Bashkuara, ngjarjet kishin filluar më herët. Në vitin 1909, në harmoni me deklaratën e Partisë Socialiste të Amerikës, që atëherë ishte e popullarizuar, ishte mbajtur Dita e Grave, e para në Shtetet e Bashkuara.

Profesoresha e historisë në Kolegjin Bernar në Nju Jork, Rosalind Rosenberg, thotë se kjo festë ishte krijuar derisa punëtorët, përfshirë edhe një numër të madhe të grave, e kishin humbur durimin me kushtet e dobëta të punës.

“Do të kthehesha prapa në vitin 1908, te greva e afro 15 mijë grave në industrinë e tekstilit në Qytetin Nju Jork, që po vuanin nga pagesa e ulët dhe kushtet e punës shumë të këqija, kështu që ato e lanë punën dhe protestuan. Njëra nga protestat e tyre ishte për shkak të dështimit të punëdhënësve të tyre, që ta njihnin sindikatën. Prej se sindikata është çështje e jashtëzakonshme tash në Shtetet e Bashkuara, është disi prekëse të mendohet për 100-vjetorin në atë kontekst”, tha Rosalind Rosenberg.

Dita e Grave ka zgjatur vetëm katër vjet si festë zyrtare në Shtetet e Bashkuara, që përfundoi me fillimin e Luftës së Parë Botërore.

Uashingtoni e njohu Ditën Ndërkombëtare të Grave, që ka lëvizur në datën 8 Mars, vetëm pasi ajo formalisht u krijua nga Kombet e Bashkuara, në vitin 1975.

Përkohësisht, 8 Marsi është bërë një festë e qëndrueshme në pjesën më të madhe të ish-bllokut sovjetik. Por, nëse në fillim ishte përdorur si tubim për t’u ankuar për të drejtat e grave punëtore në Rusi dhe në vendet e tjera, më vonë është zbutur dhe është shndërruar në një lloj të Ditës së Shën Valentinit socialist, ndërsa lulet dhe dhuratat i zëvendësuan thirrjet për të drejtat e grave.

Profesoresha Rosalind Rosenberg thotë se për shkak të lidhjeve të hershme me socializmin dhe me Revolucionin Rus, kjo ditë u bë shumë jopopullore në Shtetet e Bashkuara.

“Ishte Partia Socialiste e Amerikës, që fillimisht e dizajnoi Ditën e Femrave në këtë vend, ndërsa me Luftën e Parë Botërore dhe me Revolucionin Bolshevik, socialistët, në masë të madhe, u bënë të padëshirueshëm në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, kjo parti vazhdoi, por më nuk e kishte atë lloj mbështetjeje, që e kishte para Luftës së Parë Botërore në Shtetet e Bashkuara”
, theskoi Rosalind Rosenberg.

Por, ka shenja të ringjalljes, madje edhe në Shtetet e Bashkuara. Këtë vit, presidenti Barak Obama e shpalli muajin mars të këtij viti, për Muaj të Historisë së Grave dhe u bëri thirrje amerikanëve që ta shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Grave.

Rrjedhimisht, disa organizata me seli në Shtetet e Bashkuara, që janë të fokusuara në çështjen e grave, planifikojnë ngjarje speciale.

Një organizatë e tillë është “Gratë për Gratë”, që i sponsorizon gratë në vendet e goditura nga lufta, siç janë Afganistani, Bosnja, Kosova, Iraku, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Ruanda dhe Sudani.

Organizata “Gratë për Gratë”, po e drejton një projekt të titulluar “Bashkohu në urë”, me ç’rast gratë do të mblidhen në ura në 48 vende në mbarë botën, për ta përkujtuar 100-vjetorin e Ditës së Grave dhe për të bërë thirrje për përmirësim të pozitës së shumë grave të botës.

Drejtoresha e degës britanike të organizatës “Gratë për Gratë”, Kate Nusted, e pranon se njohuritë perëndimore për 8 Marsin mbesin në nivel të ulët.

“Në vendet si Amerika, Danimarka, ose në Britani, ku unë jetoj, në shumë aspekte, ka pasur progres të madh për gratë. Por, në shumë pjesë të botës, ka gra, që ballafaqohen me sfida edhe më të këqija se gratë, që luftonin për të drejtën e votës, para më se 100 vjetësh ”, tha Kate Nustedt, duke shtuar se, për shembull, gratë e Afganistanit, që po luftojnë për ndryshime, janë ekuivalent i tashëm i grave në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, që kishin luftuar për të drejta para 100 vjetësh. (f. b.)
XS
SM
MD
LG