Ndërlidhjet

logo-print

Kantrimen: Statusi i Kosovës është mbyllur


Tomas Kantrimen

Tomas Kantrimen

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tomas Kantrimen do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel.

“BE-ja e ka ftuar qeverinë e SHBA-së si mysafire të dialogut dhe unë do të jem atje për të përfaqësuar Uashingtonin”,
deklaroi Kantrimen për një grup gazetarësh.

Diplomati amerikan çmoi lart rolin e BE-së, por theksoi se të dyja vendet e kanë tepruar rëndësinë e dialogut, duke mos kursyer kritikat edhe për mediat.

“Politikanët dhe mediat në Beograd dhe Prishtinë po e ekzagjerojnë rëndësinë e dialogut. Është e rëndësishme për të dyja këto shtete që ta lehtësojnë dhe përmirësojnë jetën e të gjithëve në Kosovë”, theksoi Kantrimen.

“Është dialog dhe jo negociata. Është e mundur që secila palë të ngrejë çdo lloj problematike. Siç e thashë dhe më parë ne besojmë tek zoti Kuper dhe BE-ja që të mbeten të fokusuar në fushat ku mund të shënohet përparim”,
pohoi zvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit.

Në këtë kuadër Kantrimen nënvizoi faktin se ky dialog mes Prishtinës e Beogradit nuk do të ndryshojë statusin e Kosovës.

“Në qëndrimin tonë çështja e statusit është e vendosur, dhe pavarësia e Kosovës është realitet. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e morri vendimin që vetëm konfirmon për ne se statusi i Kosovës nuk mund dhe nuk do të ndryshojë nga ky dialog.”

Megjithatë dialogu do të prekë përcaktimin e statusit pasi ka tema me natyrë praktike që lidhen me shtetësinë e Kosovës.

“Gjatë dialogut nuk mund të thuhet se çështje që kanë të bëjnë me statusin nuk do të ngirhen. E dimë se disa zgjidhje praktike për një numër çështjesh do të prekin statusin".

"Por për ne statusi i Kosovës është një çështje e mbyllur, që mund të diskutohet, por nuk mund të ndryshojë”,
theksoi Kantrimen.

XS
SM
MD
LG