Ndërlidhjet

S'duam lule!


Ky vit shënon 100-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, një datë kjo që në shumë pjesë të botës, përfshirë këtu edhe Kosovën, shënohet zakonisht me lule dhe çokollata për gratë, por jo aq shumë me hapa konkretë në përmirësimin e pozitës që gruaja ka sot në një vend të caktuar.

Edhe në Kosovë deri më tani nuk është vërejtur ndonjë përmirësim në pozitën që ka gruaja në shoqërinë kosovare, thonë përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje.

Igballe Rugova, nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, thotë se kur bota shënon 100-vjetorin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, edhe pas një shekulli gratë në Kosovë kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre dhe zbatimin e ligjeve.

“Ata i aprovojnë ligjet vetëm sa për sy e faqe dhe t’i tregojnë Evropës se ne po ecim drejt barazisë gjinore. Ndërkaq, nuk kanë motivacion fare, dhe nuk kanë treguar asnjëherë që të implementohen këto ligje”, thotë Rugova.

Por, Shqipe Krasniqi, drejtore në Agjencinë për Barazi Gjinore në Qeverinë e Kosovës, thotë se pozita e gruas ka shënuar përparim. Sipas saj, Kosova ka politika të mirëfillta ligjore sa i përket përmirësimit të pozitës dhe situatës së gruas në vend.

“Kosova krahas gjendjes së saj sociale, ekonomike dhe politike, është në hapa të sigurt drejt avancimit të pozitës së femrës. Se sa janë të përfaqësuara gratë, është çështje tjetër. Në nivel të Qeverisë, pjesëmarrja e grave është 40 për qind. Mirëpo, në nivelin e pozitave menaxheriale, është punë që gratë zënë shumë pak vend”, pohon Krasniqi.

Megjithatë, zonja Krasniqi uron në këtë mënyrë gratë kosovare për festën e tyre:

“Në gjithë globin festohet 100-vjetori i Ditës Ndërkombëtare të Gruas, me moton 100 lule për gratë, të cilat kanë qenë viktima, për gratë të cilat kanë dhënë kontributin e tyre".

"Dhe, të gjitha gratë e Kosovës meritojnë nga një lule, të gjitha gratë e Kosovës meritojnë nga një përqafim dhe t’iu shprehim gatishmërinë tonë që ne jemi në gjendje që të punojmë natë e ditë për përmirësimin e pozitës së tyre”.


Por, Igballe Morina-Malushi, kryetare e Rrjetit të Gruas në Bashkimin e Sindikatave të Kosovës, thotë se gratë kosovare nuk kanë nevojë për lule.

Ajo madje paralajmëron se në të ardhmen Dita e 8 Marsit - do të shfrytëzohet si kërkesë për avancimin e grave në shoqëri dhe politikë.

“Nuk ka nevojë gruaja vetëm një ditë për lule, por 365 ditë për respekt dhe dinjitet. Por, në të ardhmen 8 Marsin nuk do ta festojmë, nuk do të jetë festë e jona, por do të jetë një ditë frymëzimi që t’i avancojmë përpjekjet për të drejtat tona".

"Kjo do të jetë një ditë, kur do të mblidhemi, jo për të festuar nëpër lokale, por për të bërë projekte që t’i arrijmë qëllimet tona”,
shprehet Igballe Morina- Malushi.

Po si ndihen ato, të cilave u kushtohet kjo ditë?

Ganimete Dumani, punëtore në Gjykatë, thotë:

“Nuk do të dëshiroja të pres që vetëm një ditë në vit të më sjellin një dhuratë, fëmijët ose dikush nga anëtarët e familjes sime. Por, do të doja që 365 ditë të kem interes, e jo vetëm një ditë dhe një lule”.

Fatmire Ulaj, pjesëtare e Policisë së Kosovë, thotë se meshkujt janë ata që pamundësojnë pjesëmarrjen e grave më shumë në pozita vendimmarrëse në politikë.

“Ekziston ai mentaliteti që mendohet se burrat janë më të mençur, gjë me të cilën nuk pajtohem unë dhe as shumë gra të tjera. Kemi shumë gra të shkolluara dhe kanë aftësi".

"Sfidat që i ka jeta dhe vendimet që marrin burrat nuk besoj se mund të kenë efekte pa ndikuar edhe mendimi i gruas”,
shprehet zonja Ulaj.

Ndryshe, 8 Marsi për herë të parë është festuar në vitin 1911 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropën Perëndimore, por atëbotë kjo ishte një lëvizje më shumë politike, që synonte më shumë të drejta për gratë.

Ndërkaq, sot kjo datë është shndërruar më shumë në një festë komerciale, e cila përshkohet kryesisht me blerje dhuratash për nënën, gruan e motrën.
XS
SM
MD
LG