Ndërlidhjet

Kosova dhe Serbia do t'i zhvillojnë sot bisedimet e para direkte prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka njoftuar Bashkimi Evropian.

Sipas një zyrtari të lartë të Komisionit Evropian, i cili ka folur në kushte anonimiteti, bisedimet do të fokusohen në tre tema: sundimin e ligjit, lirinë e lëvizjes dhe bashkëpunimin rajonal.

Raundi i parë i dialogut do të mbahet në dy pjesë, të martën pasdite dhe të mërkurën paradite. Takimet do të mbahen në zyrën e Robert Kuper, këshilltar i posaçëm i zyrës për politikë të jashtme, që drejtohet nga kryediplomatja Ketrin Eshton.

Para takimit, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton, do të lëshojë një komunikatë, e cila pritet të mbështesë fuqishëm dialogun Prishtinë-Beograd dhe qëllimet e përcaktuara.

Bisedimet në Bruksel nisin pa bekimin e Kuvendit të Kosovës, i cili miratimin e rezolutës e shtyu për ditën e enjte.

Pas një debati që zgjati rreth gjashtë orë, ku pozita dhe opozita shprehën qëndrime krejtësisht të kundërta rreth këtij dialogu, me 60 vota për dhe 45 kundër, të martën u vendos që Kuvendi, përmes shefave të grupeve parlamentare, të provojë hartimin e një rezolute për seancën e së enjtes.

Kjo rezolutë u tha se do të jetë një produkt i dy drafteve në përmbajtje krejtësisht të kundërta mes vete të propozuara të hënën, njëra nga PDK-ja dhe tjetra nga Lëvizja Vetëvendosje në lidhje me bisedimet. (v.p.)
XS
SM
MD
LG