Ndërlidhjet

logo-print

Shtohen thirrjet për zonën e ndalim-fluturimit mbi Libi



Organizata e Konferencës Islamike iu bashkua thirrjeve ndërkombëtare për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi, si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të besnikëve të Moamer Gadafit kundër pozicioneve të kryengritësve.

"Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që ta bëjë detyrën e vet", tha sekretari i përgjithshëm i OKI-së, Ekmeledin Ihsanogllu, në hapje të samitit të jashtzakonshëm të organizatës 57 anëtarëshe në Xheda të Arabisë Saudite.

Franca dhe Britania kanë kërkuar autorizimin e Kombeve të Bashkuara për zonë të ndalim-fluturimit mbi Libi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, gjithashtu e ka theksuar nevojën për autorizim nga Kombet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha se është kundër intervenimeve ushtarake, dhe shtoi se libianët "duhet vetë t'i zgjidhin problemet e tyre".

Më herët, presidenti Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s po i konsiderojnë opsionet ushtarake kundër Libisë për dhunën ndaj civilëve.

Ndërkohë, qeveria e Gadafit ka ndërmarrë sulme të reja ajrore kundër portit Ras Lanuf, pasi e shtyu ofenzivën e kryengritësve përgjatë brigjeve veriore.

Të hënën, forcat pro Gadafit gjithashtu e morën qytetin e afërt Bin Xhavad.

Kombet e Bashkuara thanë se më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Libia apo janë zhvendosur.
XS
SM
MD
LG