Ndërlidhjet

Tensione ndërpartiake në Maqedoni


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Tensionet mes partive politike në Maqedoni kanë kaluar në kërcënime për qërim fizik hesapesh. Për dallim nga e kaluara kur kërcënimet dëgjoheshin mes partive shqiptare, tani ato kanë kaluar në bllokun politik maqedonas. Analistët thonë se vokabulari i këtillë i papranueshëm bëhet me qëllim të frikësimit të qytetarëve, ende pa u caktuar data e zgjedhjeve.


Ende pa u caktuar data e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, janë ngritur në maksimum tensionet mes blloqeve politike, që, përveç fyerjeve dhe etiketimeve të ndryshme, kanë kaluar edhe në kërcënime për konfrontime fizike.

Paralajmërimet e kryeministrit Nikolla Gruevski se zgjedhjet do të mbahen edhe pa praninë e opozitës, kanë alarmuar këtë të fundit, e cila në vazhdimësi paralajmëron se mbajtja e zgjedhjeve pa praninë e opozitës do ta destabilizonte vendin.

“LSDM-ja nuk mund t'i bojkotojë zgjedhjet në mënyrën që të rrijë brenda në shtëpi dhe të shohë se si tjerët do të votojnë pa praninë e tyre. Kjo nuk do të ndodhë pasi do të ketë konfrontime, protesta dhe zgjedhjet do të bojkotohen ashtu siç duhet”,
kishte deklaruar Lubomir Fërçkovski nga LSDM-ja.

Prononcimi i tij ka irituar palën tjetër. Një nga mbështetësit e politikës së kryeministrit Gruevskit, Dragan Pavlloviq, Llatas ka ftuar publikisht Fërçkovskin që ditën e zgjedhjeve të paraqitet në vendvotimin, në të cilin ai voton dhe nëse ka forcë, ta pengojë atë në realizimin e së drejtës për të votuar.

Kërcënime dhe fyerje të këtij lloji janë dëgjuar edhe në tubime, tribuna e konferenca shtypi.

Analisti politik, Albert Musliu, ka thënë se pas një vokabulari të tillë politik të papranueshëm, fshihen qëllime tjera, të frikësimit të popullatës për të dalë në votime.

“Mendoj se është e papranueshme, në veçanti për ata persona fizikë që janë me autorizime të veçanta që të përdorin vokabular politik të papëlqyeshëm dhe të papranueshëm. Por, them se ky është një skenar i frikësimit të qytetarëve që, nëse ky vokabular edhe më tej tensionohet, parashtrohet pyetja se cili qytetar do të ketë guxim të shkojë në vendvotim kur e di se ai vendvotimi është i tensionuar dhe mund të ketë probleme”,
ka vlerësuar Musliu.

Ndërkohë, sa i përket tensioneve mes bllokut politik shqiptar, zoti Mulsiu ka thënë se situata është më e mirë, pasi ata tashmë siç duket e kanë kaluar fazën, në të cilën tani ndodhet blloku politik maqedonas.

“Shqiptarët këtë fazë e kanë kaluar qysh para dhjetë vjetëve, kur ishte rrezik të shkosh në vendvotime. Mendoj se është i papranueshëm përdorimi i këtij vokabulari tani në vitin 2011 kur Maqedonia është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”.

“Të gjitha ata që përdorim vokabular të tillë duhet të kërkojnë falje para qytetarëve dhe të mos i përsërisin ato gabime dhe nëse janë persona publik, më të mos merren me punë publike, sepse ne, si qytetar, nuk jemi të detyruar që edhe frustrimet personale të personave publikë, të bëhen pjesë e përditshmërisë sonë
", ka shtuar Albert Musliu.

Lidhur me tensionet politike dhe paralajmërimet për protesta dhe pengimin e procesit zgjedhor ditën e zgjedhjeve, është prononcuar edhe ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila qartë bëri me dije se institucionet do të veprojnë ndaj çdokujt që tenton të shkaktojë trazira apo të pengojë të drejtën e qytetarëve për të votuar.

Ndërkohë, partitë politike në pushtet në seancën e Kuvendit më 15 mars, do të zgjedhin kryetarin e ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe do të miratojnë ligjet tjera që kanë të bëjnë me zgjedhjet, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së.

Kryeparlamentari Trajko Veljanovski nuk ka përjashtuar mundësinë e caktimit të një seance urgjente në rast të paraqitjes së iniciativës për shpërndarjen e Kuvendit.

Nga ana tjetër, opozita të gjitha këto aktivitete ka paralajmëruar se do t'i bojkotojë pasi për kthimin në Kuvend kërkon plotësimin e kërkesës kryesore, zhbllokimin e llogarive bankare të mediumeve që konsiderohen si opozitare, e të cilat, akuzohen për fshehje tatimi dhe keqpërdorimet tjera financiare, për çka drejtuesit e tyre po mbahen në paraburgim.
XS
SM
MD
LG