Ndërlidhjet

logo-print

SHBA mbështet anëtarësimin e Rusisë në OBT

  • RFE /RL

Igor Shuvalov dhe Xho Bajden, Moskë, 9 mars 2011

Igor Shuvalov dhe Xho Bajden, Moskë, 9 mars 2011

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara Xho Bajden ka zhvilluar bisedime me udhëheqësit e Kremlinit, të cilët i siguroi se Uashingtoni e mbështet anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Bajden dhe presidenti Dimitri Medvedev e zhvilluan takimin e parë të mbyllur në rezidencën e presidentit rus në një paralagje të Moskës.

Të enjten, nënpresidenti amerikan do të takohet edhe me kryeministrin Vladimir Putin.

Tema kryesore e diskutimeve me Medvedevin pritej të jetë gjendja në Libi dhe planet e Shteteve të Bashkuara për sistemin e mburojës raketore në Evropë.

Më herët, Bajden u takua me zëvendës kryeministrin rus, Igor Shuvalov.

“Ne jemi duke punuar aktivisht për ta përmbyllur në vitin 2011 procesin” e anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë, tha Bajden.

Komentet e tij u bënë pasi Bajden dhe Shuvalov morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së kompanisë Aeroflot dhe prodhuesit amerikan të aeroplanëve, Boeing.

Marrëveshja parasheh blerjen e tetë aeroplanëve Boeing-777 në vlerë prej 2.2 miliarda dollarë.


* * * * *

Zëvendës presidenti amerikan, Xho Bajden, po viziton Rusinë, në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet bilaterale, nismë kjo e lansuar fillimisht nga presidenti Barak Obama dy vjet më parë.

Kjo vizitë e Bajdenit, sipas këshilltarit të tij të lartë për çështje sigurie Toni Blinken, është “një mundësi për të riaktualizuar këtë çështje” dhe për të diskutuar rrugën e të dyja vendeve në të ardhmen.

Bajden takon sot presidentin rus Dmitry Medvedev para se të zhvillojë bisedime me kryeministrin rus, Vladimir Putin, ditën e enjte.

Në krye të agjendës së Bajdenit janë çështje të mbrojtjes dhe tregëtisë.

Vizita e Bajdenit pason fuqizimin e traktatit “Start” disa javë më parë, i cili u nënshkrua nga Obama dhe Medvedev në prill të 20100ës dhe i cili muajin e kaluar u ratifikua nga ligjvënësit.

Në kuadër të këtij pakti të ri, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë zotuar vetveten në kufuzime të reja mbi arsenalet e tyre nukleare.

Të dyja vendet tani duhet të ngushtojnë hendekun në qëndrimet që kanë mbi projektin e Uashingtonit për të vendosur një sistem mbrojtës raketor në Evropë, për të cilin thuhet se do t’i kundërpërgjigjej ndonjë sulmi të mundshëm nga shtetet e rrezikshme, siç është Irani.

Ndonëse Obama ka lëvizur paksa nga planet që paraardhësi i tij, George Bush, kishte pasur për mbrojtjen raktetore, Rusia vazhdon të jetë e shqetësuar me këto plane dhe kërkon vënien e një kontrolli të përbashkët mbi çfarëdo sistemi anti-raketor të vendosur në Evropë nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-ja.

Bajden dhe nikoqirët e tij rus gjithashtu pritet të diskutojnë trazirat politike që kanë përfshirë botën arabe. Moska pritet të flasë hapur për kundërshtimet që ka në raport me aksionet ushtarake kundër liderëve libianë, të cilat Uashingtoni i ka përmendur si opsione.

Pjesa dërmuese e bisedimeve të Bajdenit me liderët rus do të fokusohet poashtu në përpjekjet 18 vjeçare të Rusisë për t’iu bashkuar Organizatës Botërore të Tregëtisë.

Administrata e Obamas ka mbështetur aktivisht anëtarësimin për Rusinë, e cila njëherit ka edhe ekonomin më të madhe jashtë OBT-së. Promotorët e kësaj ideje besojnë se hyrja e Rusisë në OBT do të ndihmonte në forcimin e stabilitetit në këtë vend, por anëtarësimi mbetet çështje e paqartë dhe mund të pengohet nga Gjeorgjia.


Zëvendës presidenti amerikan gjithashtu do të takohet me disa aktivistë të të drejtave të njeriut dhe do të përmbyllë vizitën e tij, me një fjalim në Universitetin Shtetëror të Moskës, në të cilin pritet të shpaloset vizioni i presidentit Obama për marrëdhëniet amerikano-ruse.

Të premten, Bajden do të largohet nga Moska për të vizituar Moldavinë. (a.v.)
XS
SM
MD
LG