Ndërlidhjet

logo-print

Rezoluta miratohet pa opozitën


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Pa votat e opozitës, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën, me të cilën i jep mbështetje dialogut me Serbinë.

Përpjekjet e shefave të grupeve parlamentare që draft-rezoluta e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës të harmonizohet edhe me opozitën, dështuan, andaj Kuvendi procedoi me votimin dhe si rezultat, kjo rezolutë mori 63 vota për, 48 kundër dhe 1 abstenim.

Në emër të PDK-së, si propozuese e rezolutës, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci, tha se harmonizimi i tekstit të rezolutës me opozitën ka dështuar, andaj edhe kërkoi votimin në Kuvend me tekstin e propozuar nga PDK-ja.

“I lus deputetët ta përkrahin këtë projekt-rezolutë, e cila do t’i jepte Parlamentit të Kosovës një të drejtë që të mbikëqyrë, të përcjellë rrjedhën e bisedimeve dhe të drejtën që për çdo rast të kërkojnë sqarime në Parlamentin e Kosovës”, tha Grabovci.

Miratimi i rezolutës u përshëndet nga Qeveria e Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se kjo rezolutë fuqizon legjitimitetin e Qeverisë për bisedimet e filluara me Serbinë. Ai sërish e ftoi edhe opozitën të bëhet pjesë e dialogut.

Mirëpo, opozita tha të mos ketë parë asnjë platformë të Qeverisë për bisedimet, andaj edhe nuk e mbështeti rezolutën. Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se partia më e madhe në pushtet nuk i përfilli propozimet e opozitës dhe kësisoj nuk siguroi edhe mbështetjen e saj.

“Qeveria e Kosovës duhet t’ia dorëzojë brenda afatit, ne e kemi menduar brenda 15 ditëve, një platformë të qartë të çështjeve që nuk mund të bisedohen dhe çështjet që ka mundësi dhe duhet të bisedohen. Kjo platformë duhet të përbëjë edhe pritjet dhe përfitimet e Kosovës nga këto bisedime, përfshirë edhe anëtarësimin e Kosovës në BE”, theksoi Beqiri.

Paraprakisht, edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, e cilësoi këtë dialog të dëmshëm për Kosovën, duke e vënë si përgjegjëse për këto zhvillime Qeverinë Thaçi.
Daut Haradinaj

“Me një qeveri të hetuar nga miqtë tanë ndërkombëtarë, me politika ekonomike shpenzuese dhe jo krijuese, të cilat e kanë degraduar Kosovën - përgjegjësi i të gjitha këtyre sot po negocion".

"Me kontroll të kufizuar të rendit dhe ligjit në tërë Kosovën, me krim të organizuar fetar e ndërkombëtar që tashmë është bërë pjesë e qeverisë sonë, andaj me të drejtë mund të themi se shkuarja në negociata në këto rrethana do ta dëmtonte edhe më shumë Kosovën dhe popullin e saj, dëme këto që vështirë do të riparohen”,
tha Haradinaj.

Kundër dialogut me Serbinë që nga fillimi i diskutimeve për këtë rezolutë ishte pozicionuar Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se rezoluta e vetme që është dashur të aprovohet është ajo që kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë.

Sidoqoftë, me shumicë votash rezoluta është aprovuar dhe ajo u tha se i jep mbështetje dialogut Kosovë - Serbi, si dy shtete të pavarura e sovrane, si dhe do t'i japë një rol shtesë Kuvendit në mbikëqyrjen e procesit të filluar të bisedimeve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.


Teksti i Rezolutës


Duke respektuar Rezolutën për Kosovën të Asamblesë së Përgjithshme të OBS-së, të datës 09 shtator 2010, në mbështetje të nenit 65.1 të Kushtetutës, e në nenin 6.1 të Rregullores së vet të Punës, Grupi Parlamentar i PDK-së, me mbështetjen e Grupit Parlamentar të AKR-së, SLS-së dhe Grupit 6+ propozon për miratim në Kuvend këtë:

REZOLUTË

Për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë

• Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet dialogun midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, për çështje praktike, në interes të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe të avancimit të agjendës evropiane për të dy shtetet dhe për rajonin;

• Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon parimin që dialogu midis dy palëve të lehtësohet nga BE-ja dhe SHBA-ja;

• Dialogu i Kosovës dhe Serbisë do të jetë i përgatitur mirë, me agjendë të qartë dhe të përcaktuar paraprakisht, në marrëveshje ndërmjet palëve dialoguese, duke përfshirë edhe lehtësuesit e dialogut;

• Agjenda e dialogut do të përfshijë vetëm çështjet teknike të interesit të përbashkët, pa prekur në asnjë rast sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm kushtetues të Kosovës;

• Obligohet Qeveria e Republikës së Kosovës që t’ia paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës dokumentin themelor të dialogut brenda afatit ligjor;

• I/e emëruari nga Kryeministri udhëheqës i delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun me Republikën e Serbisë, do të informojë në baza të rregullta Komisionin për Politikë të Jashtme dhe komisionet tjera përkatëse të Kuvendit të Kosovës dhe do të raportojë, edhe në seancë plenare të Kuvendit të Kosovës;

• Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të vendosur marrëdhënie të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, në të mirë të dy vendeve tona, popujve tanë, të integrimeve evropiane dhe të stabilitetit e prosperitetit të përgjithshëm të rajonit;

• Kuvendi i Republikës së Kosovës riafirmon qëndrimin se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe dialogu, janë kontribut për paqen e stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të vendeve tona dhe të rajonit në përgjithësi, si dhe për përshpejtimin e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike;

• Kuvendi i Republikës së Kosovës e rikonfirmon të drejtën kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që i nënshkruan Qeveria e Republikës së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG