Ndërlidhjet

Rritja e pagave: Ende pa vendim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Kosovë ende po vazhdojnë negociatat ndërmjet autoriteteve kosovare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për rritjen e premtuar të pagave për punonjësit e sektorit publik. Qeveria e Kosovës ende nuk është deklaruar se është arritur apo jo nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë me FMN-në. Ndërkohë, ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës shprehen skeptikë se rritja e pagave deri në 50 për qind mund të realizohet.


Bisedimet e zgjatura rreth rritjes së pagave në sektorin publik ndërmjet autoriteteve kosovare dhe delegacionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, lënë të kuptohet se një marrëveshje e tillë vështirë se mund të realizohet, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Lumir Abdixhiku nga Instituti Riinvest thotë se vështirë se mund të realizohet një premtim për rritje pagash deri në 50 për qind.

“Unë besoj që kryeministri duhet të hyjë në kompromise me FMN-në dhe të heqë dorë nga premtimi i vet, ose, në anën tjetër, duhet të premtojë shitjen e aseteve nacionale. Mes shitjeve të aseteve nacionale dhe heqjes dorë nga premtimi i dhënë, është më mirë të reduktohet kjo shumë e premtimeve dhe të ruhen asetet nacionale në këtë fazë, pasi që nuk është një matematikë ekonomike e mirë për vendin”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Abdixhiku.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore, kishte premtuar rritje pagash për disa kategori që paguhet nga buxheti i Kosovës, prej 30 deri në 50 për qind, ndërkaq vendimin e mori në muajin janar, para rivotimeve të pjesshme.

Një vendim i tillë kishte rënë në kundërshtim me marrëveshjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar - marrëveshje kjo e cila nuk lejon rritje pagash mbi 8 për qind.

Të gjitha këto zhvillime, sipas ekspertit të ekonomisë, Abdixhiku, kanë treguar joseriozitet tek institucionet ndërkombëtare financiare.

Lumir Abdixhiku

“Nëse Qeveria e Kosovës arrin ta bindë FMN-në se ka fonde shtesë, se Administrata Tatimore e Kosovës dhe Doganat mund t'i mbledhin këto para, atëherë do të mund të nënshkruhet marrëveshja. Por, ne kemi bërë një dëm të paparë deri më tani, pasi që kemi dërguar sinjale mjaft të rrezikshme tek institucionet financiare ndërkombëtare lidhur me respektimin e marrëveshjes. Me një fjalë, FMN-ja nuk ka ndonjë ndjenjë mjaft fqinjësore me Kosovën për vetë faktin se ështët shkelur një marrëveshje e nënshkruar me ta”,
thekson Abdixhiku.

Delegacioni i FMN-së është duke qëndruar në Kosovë që nga fillimi i kësaj jave. Deri më tani, sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, me FMN-në është harmonizuar plani i të hyrave dhe shpenzimeve, duke përfshirë edhe planin për të hyra shtesë prej 100 milionë eurosh.

Në anën tjetër, sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thekson se në bazë të informatave që ata kanë nga takimet që po zhvillohen ndërmjet FMN-në dhe autoriteteve kosovare, do të ketë rritje pagash, por se nuk mund të thuhet se sa do të jetë kjo rritje.

“Teorikisht është e mundur të rriten pagat, por para Fondit Monetar dhe autoriteteve kompetente duhet të dëshmojmë që ne kemi burime të mjaftueshme të të hyrave që mund ta përballojmë barrën e lartë buxhetore që e kemi për këtë vit. Përveç rritjes së pagave, ne kemi një barrë të madhe për investime kapitale, konkretisht në projektin e autostradës”,
shpjegon Rukiqi.

Rukiqi mendon se të hyrat nga Administrata Tatimore e Kosovës mund të kenë bindur Fondin Monetar Ndërkombëtar që të jetë më fleksibil në raport me rritjen e pagave.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës të premten do ta procedojë në Kuvend projekt-buxhetin për vitin 2011.

Lexoni edhe këto:

Pagat e ulëta largojnë punonjësit publikë
Rritja e pagave (s’)rrezikon raportet me FMN-në
XS
SM
MD
LG