Ndërlidhjet

CEFTA: Takimi i parë, të premten


CEFTA
CEFTA
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës njoftojnë se të premten në Bruksel do të mbahet takimi i parë i anëtarëve të CEFTA-s, nën menaxhimin e Kosovës. Sipas, ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, takimi ka karakter teknik dhe jo politik. Ajo thotë se në aspektin politik, ky mekanizëm do të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, ndërkaq në aspektin administrativ, vazhdon të mbetet UNMIK-u si nënshkrues i kësaj marrëveshjeje.


Të premten në Bruksel, edhe zyrtarisht do të mbahet takimi i parë i anëtarëve të CEFTA-s, nën kryesimin e Kosovës, bën të ditur Mimoza Kusari-Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

Presidencën e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, Kosova e ka marrë nga janari i këtij viti, ndërsa takimi i nesërm është aktiviteti i parë në kuadër të kësaj presidence.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila thotë se ky takim është i nivelit teknik dhe jo atij politik. Ajo njëherësh tregon se ky aktivitet do të udhëhiqet nga drejtori i Departamentit të tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Flamur Keqa.

Flamur Keqa tashmë gjendet në Bruksel, në kuadër të delegacionit kosovar për bisedime me Serbinë.

Zonja Kusari-Lila sqaron se kryesimi i CEFTA-s në aspektin politik dhe përmbajtjesor do të udhëhiqet nga institucionet e Kosovës, ndërkaq në aspektin administrativ, UNMIK-u vazhdon të mbetet nënshkrues i këtij mekanizimi.
Mimoza Kusari-Lila

“Në aspektin administrativ, është UNMIK-u ai, i cili ka nënshkruar marrëveshjen, por në aspektin politik dhe përmbajtjesor, të gjitha vendimet për Kosovën, i sjellin institucionet e Kosovës dhe nuk ka dyshime”

“Kosova do të mbetet me nënshkrim të UNMIK-ut deri në momentin e njohjes nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet anëtare të CEFTA-s, në mënyrë që të mund të ratifikohet nëpër vendet anëtare të saj një marrëveshje me një nënshkrues tjetër, që në këtë rast do të jenë institucionet e Kosovës”,
thotë Kusari-Lila

Por, ajo që mbetet problem në këtë kuadër, është mos respektimi i CEFTA-s nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina.

Që nga shpallja e pavarësisë, këto dy shtete kanë bllokuar qarkullimin e mallrave nga Kosova për shkak se vulat e UNMIK-ut janë zëvendësuar më ato të Republikës së Kosovës.

Por, zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, thotë se nëse Serbia vazhdon të mos e respektojë marrëveshjen e CEFTA-s, Kosova do të marrë masa reciprociteti.

“Megjithatë, Kosova nuk mund të presë përgjithmonë dhe ekonomia kosovare nuk mund t’i vuajë sanksionet përgjithmonë. Por, gjithsesi do të jemi të angazhuar në mënyrë më aktive në këtë marrëveshje dhe të shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat, të cilët deri më tani nuk janë shfrytëzuar, për aplikimin e masës së arbitrazhit dhe kërkimin e një vendimi në raport me shkeljen e marrëveshjes, siç ka ndodhur deri më tash”
, sqaron Kusari-Lila.

Në anën tjetër, në një analizë të bërë nga Instituti për Studime të Avancuara, GAP, me titull “Kosova në CEFTA: Të jesh apo mos të jesh”, thuhet se nëse Serbia dhe Bosnja Hercegovina vazhdojnë t’i bllokojnë produktet kosovare, ekzekutivi i vendit duhet ta braktisë marrëveshjen e CEFTA-s dhe të nënshkruajë marrëveshje bilaterale me shtetet veç e veç.

Agron Demi, nga ky institut, shpjegon më shumë:
Kosova do të ishte më mirë që të lidhte marrëveshje individuale, sesa të vazhdojë të bllokohet nga Serbia dhe Bosnja...


“Në rast se Kroacia, largohet prej CEFTA-s dhe i bashkohet Bashkimit Evropian, që pritet të ndodhë në dy vitet e ardhshme, CEFTA do ta humbë rëndësinë e saj, dhe tregu i CEFTA-s do të zvogëlohet dukshëm. Kështu që Kosova do të ishte më mirë që të lidhte marrëveshje individuale, sesa të vazhdojë të bllokohet nga Serbia dhe Bosnja, e të cilat importojnë mallra në Kosovë, pa u penguar”
.

Çështja e marrëveshjes së CEFTA-s, është diskutuar edhe në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Në njoftimin e BE-së thuhet se të dyja palët e vlerësuan pozitivisht pjesëmarrjen e tyre në CEFTA dhe konfirmuan se do të marrin pjesë gjatë kryesimit të vitit 2011, edhe pse të dyja palët theksuan se problem të madh ka paraqitur përdorimi i vulave të Republikës së Kosovës në prodhimet tregtare.
XS
SM
MD
LG