Ndërlidhjet

Bajden në Rusi: Takim me Putinin dhe liderët opozitarë

  • RFE /RL




Vizita dyditëshe e zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara, Xhoe Bajden, në Rusi, në masë të madhe iu kushtua forcimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet dy vendeve dhe ndërtimit të ripërtëritjes së raporteve, proces ky që filloi para dy vjetësh.

Gjatë takimit të tij me kryeministrin e Rusisë, Vlladimir Putin, tregtia përsëri ishte në krye të agjendës.

Zoti Bajden tha se administrata e mëparshme amerikane kishte bërë pak për thellimin e lidhjeve ekonomike me Rusinë, të cilën ai e përshkroi si “vend të madh” me kapital të madh intelektual.

Ai i tha Putinit se ka ardhur koha që të rregullohen këto mangësi.

Zoti Putin e shfrytëzoi avantazhin e shkrirjes së re në raporte, për të propozuar heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve, një hap, që sipas tij, do t’i thyente stereotipat.

“Nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara pajtohen për heqje të vizave, para se Rusia dhe Bashkimi Evropian ta bëjnë këtë, ky do të ishte një hap historik në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-amerikane. Do t’i rrëzonte të gjithë stereotipat ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ne do ta kthenim një faqe të re shumë të rëndësishme nga e kaluara jonë dhe gjërat e reja do të fillonim”
, tha Vlladimir Putin.

Kjo deklaratë e paplanifikuar dukej se erdhi si befasi te zëvendëspresidenti Bajden, i cili u përgjigj duke i thënë Putinit se “ka diferencë reale ndërmjet presidentit dhe zëvendëspresidentit” në Shtetet e Bashkuara, dhe është presidenti Barak Obama, që e përcakton politikën.

Por, lajm shumë i mirë është se presidenti dhe unë pajtohemi 100 për qind për nevojën e vazhdimit të krijimit të marrëdhënieve gjithnjë e më të afërta me Rusinë”, tha Xho Bajden, dhe shtoi se “tash është koha për fokusim në ekonomi”.

Ai gjeti kohë që të takohet edhe disa aktivistë udhëheqës për të drejtat e njeriut, para takimit me Putinin.

Svetllana Ganushkina, bashkë-kryesuese e grupit më të madh për të drejtat e njeriut, Memorial, tha se zoti Bajden e ka përsëritur mbështetjen e Uashingtonit për shoqëri civile të fuqishme në Rusi.

“Ai tha se sa e rëndësishme për secilën qeveri është të punojë me shoqërinë civile dhe se si shoqëria civile do të duhej të kishte ndonjë kontroll ndaj autoriteteve”,
nënvizoi Ganushkina.

Xho Bajden u tha aktivistëve rusë se hyrja e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë ishte e kushtëzuar me përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale do të jenë, po ashtu, edhe test për përkushtimin e Kremlinit për demokraci, duke shtuar se Kongresi i Shteteve të Bashkuara vështirë se do ta shfuqizonte amendamentin Xhekson-Vanik, që përmban një sërë kufizimesh tregtare të Luftës së Ftohtë, të Shteteve të Bashkuara ndaj Rusisë, nëse vlerësohet se në zgjedhje ka pasur mashtrime.

Aktivistët për të drejtat e njeriut në Rusi, shprehën shqetësim se shumë masa të miratuara nga qeveritë e Rusisë dhe të Shteteve të Bashkuara, në emër të luftës kundër terrorit, i kanë shkelur të drejtat e njeriut, pasi ka pasur edhe rrëmbime, tortura dhe burgje sekrete.

Ata, po ashtu, e kritikuan presidentin amerikan, Barak Obama, për dështim që ta realizojë premtimin për mbylljen e burgut kundërthënës në Guantanamo Bej.

Veterania për të drejtat e njeriut në Rusi, Ludmilla Aleksejeva, që mori pjesë në takimin me zotin Bajden, tha se veprimtarët e kuptojnë se varshmëria e perëndimit ndaj gazit dhe naftës ruse, i ka parandaluar zyrtarët e jashtëm, përfshirë edhe zotin Bajden, nga dënimi më i fuqishëm i shkeljeve të të drejtave të njeriut në vendin e tyre.

Megjithatë, vizita e Bajdenit ishte e mirëseardhur si sinjal se të drejtat e njeriut në Rusi, nuk kanë rrëshqitur nga agjenda e Uashingtonit.

Për këtë aspekt aktivistja Ganushkina u shpreh:

“Një vizitë e vetme nuk mund të sjellë ndryshime radikale, por llogaritet çdo pikë e vogël”.


Zëvendëspresidenti amerikan, gjithashtu, mbajti një takim të gjatë me liderët opozitarë, një takim që mund t’i largojë spekulimet se vizita e tij sinjalizon mbështetje për presidentin Dmitri Medvedev, që përsëri të zgjidhet në këtë post.

Në takimin me liderët opozitarë u prekën temat e censurës së mediave, korrupsionit zyrtar dhe vështirësitë e partive opozitare për regjistrim për zgjedhje.

Liderët opozitarë kërkuan nga Shtetet e Bashkuara që të imponojnë sanksione kundër zyrtarëve rusë, të akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe i dorëzuan zotit Bajden një listë të individëve, të cilët nga opozita shihen si të burgosur politikë.(f.b.)
XS
SM
MD
LG