Ndërlidhjet

Japonia goditet nga tërmeti dhe cunami


Japoni, 11 mars 2011

Japoni, 11 mars 2011


Qindra persona besohet të kenë humbur jetën nga tërmeti me magnitudë 8.9, që ka goditur të premten bregun verilindor të shtetit japonez.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Kosovës arriti gjatë ditës t'i identifikojë nëntë shtetas kosovarë në Japoni, pas tërmetit të fuqishëm që lëkundi këtë vend.

"Sipas informacioneve që vijnë nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tokio, situata në Japoni është e paparashikueshme, megjithatë shumica e shtetasve kosovarë janë jashtë zonave të rrezikut",
thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Kjo e fundit tha se do të vazhdojë përpjekjet për të kontaktuar dhe identifikuar qytetarë të tjerë kosovarë në këtë vend.

Pak orë më herët, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se "Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të ndihmuar popullin japonez në këtë sprovë të madhe".

Ai tha se "administrata e tij do të vazhdojë të monitorojë nga afër cunamin në Japoni dhe Paqësor".

"Mishell dhe unë i dërgojmë ngushëllimet më të thella popullit të Japonisë, veçanërisht atyre që kanë humbur të dashurit nga tërmeti dhe cunami", thuhet në deklaratën e Obamës.

Valët e cunamit, më të larta se 10 metra, goditën të premten bregun verilindor të Japonisë, pas tërmetit me intensitet prej 8.9 shkallësh.

Qendra e Paqësorit për Alarm nga Cunami me seli në Havai, e lëshoi një alarm për cunami, për pjesën më të madhe të rajoneve bregdetare të Paqësorit.

Kryeministri i Japonisë, Naoto Kan, tha se tërmeti ka shkaktuar “dëm madhor”.

Pamjet nga helikopteri tregojnë vërshimet në qytetet veriore të bregdetit, ku valët e cunamit kishin marrë çdo gjë me vete.

Nga pasojat e tërmetit u shkaktuan zjarre, përfshirë edhe atë në një rafineri të naftës në Tokio dhe në një uzinë metalike.

Disa stacione atomike të rrymës u shkyçën automatikisht, ndërsa zyrtarët thanë se nuk ka pasur rrjedhje radioaktive.

Ushtria është dërguar në terren për t’i ndihmuar rajonet e goditura nga tërmeti..(f.b.& v.t.)


XS
SM
MD
LG