Ndërlidhjet

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shumë keqpërdorime të parasë publike dhe korrupsion, thonë vetë zyrtarë të sistemit shëndetësor.

Deri tani, sipas sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj, ka pasur ndjekje penale dhe vendimeve të gjykatave, por kanë qenë vetëm për raste minore, derisa shumat e mëdha të parave të keqpërdorura, asnjëherë nuk janë hetuar.
Po aq sa janë të korruptuara sistemet tjera, po aq është e korruptuar edhe Qendra Klinike.


”Po aq sa janë të korruptuara sistemet tjera, po aq është e korruptuar edhe Qendra Klinike. Në QKUK nga paslufta deri tash ka pasur dështime shumë më të mëdha në shfrytëzimin e parasë publike, që në prapavijë kanë korrupsionin dhe përfitimin e jashtëligjshëm dhe për to askush nuk është përgjigjur asnjëherë”, thotë Tolaj.

Por, Tolaj shton se njëri nga rastet e dyshimta korruptive brenda Qendrës Klinike Universitare, është edhe Instituti i Onkologjisë. Ky objekt ka filluar të ndërtohet në vitin 2004 dhe ende s’është funksionalizuar.

Në këtë objekt janë shpenzuar miliona euro dhe kjo bën që dyshimi të jetë i bazuar se në projektet e mëdha, elementet korruptive janë evidente.

”Prej kohës kur unë jam në detyrën e sekretarit, tashmë e kam bërë një padi për mashtrim të përmasave madhore të kryer në ministri dhe jemi në përgatitje të disa rasteve që përfshijnë edhe aktivitete të caktuara në QKUK dhe së shpejti edhe ato do të bëhen të ditura. Burimet e këtyre informatave janë të llojllojshme, si p.sh, ajo faktike, objekti i Onkologjisë është një objekt i ndërtuar pa leje, pa plan, e pafunksionalizuar dhe na obligon të ndërmarrim një vendim të tillë”,
shpjegon Tolaj.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit në QKUK, Lulzim Emini, shprehet skeptik të ketë korrupsion brenda këtij institucioni.
Përgjigja mund të jetë relative, sepse në bazë të informatave që ne disponojmë, në QKUK nuk ka korrupsion.

”Përgjigja mund të jetë relative, sepse në bazë të informatave që ne disponojmë, në QKUK nuk ka korrupsion”,
deklaron Emini.

Sipas Eminit, mekanizmi i vetëm që të luftohet korrupsioni është që pacientët të ankohen dhe të paraqesin rastet në kutitë anonime.

Në QKUK janë kutitë e ankesave, ku pacientët tanë, por edhe përcjellësit e tyre, kanë mundësi të vendosin ankesa anonime për keqpërdorimet e mundshme, që nga kushtet jo të mira, e deri të dhënia e mitos. Por, pacientët asnjëherë nuk kanë pasur ankesa të tilla, përpos ankesave për ngritjen e cilësisë së ushqimit”, thekson Emini.

Ndërkaq, Lorik Bajrami nga organizata “Çohu”, organizatë kjo që merret me luftimin e korrupsionit, thotë se brenda Qendrës Klinike Universitare, korrupsioni është njëri nga elementet kryesore që e ka bërë këtë institucion të funksionojë në mënyrë shumë të dobët.

”Korrupsioni është një prej problemeve kyçe që sistemin shëndetësor e ka bërë të funksionojë në mënyrën siç funksionon - në mënyrë shumë të dobët dhe në kualitetin e shërbimeve që ata i ofrojnë. Kur them korrupsioni, po mendoj në prokurimet publike, mitmarrjet, por edhe mosrespektimin e orarit nga ana e stafit mjekësor”
, thotë Bajrami.

Sidoqoftë, sipas sekretarit permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, tashmë disa padi janë përgatitur dhe lëndët pritet të dërgohen në organet kompetente.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG