Ndërlidhjet

Insistimi i LDK-së është që Kuvendi ta luajë rolin e tij konstruktiv, vendimmarrës, kushtetues, ligjor dhe jo të jetë në margjina të zhvillimeve, thotë për Radion Evropa e Lirë Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqiri, bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit tashmë kanë nisur. Jeni kundër këtyre bisedimeve?

ISMET BEQIRI
Nuk është se Lidhja Demokratike e Kosovës është kundër bisedimeve, por është kundër mënyrës se si kanë filluar - realisht të papërgatitura, pa agjendë, pa transparencë, pa njoftim të atyre që duhet të njoftohen, që janë deputetët ose përfaqësuesit e qytetarëve.

Si qeveri, nuk ka të drejtë të veprojë kësisoj. Fundi i fundit, qeveria nuk u jep llogari qytetarëve, por i jep kuvendit, e kuvendi u jep llogari qytetarëve, sepse është i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.

Ne i kemi pasur rezervat tona edhe te rezoluta se si është paraqitur dhe si është dashur fillimisht të miratohet. Te gjithë e dinë se në seancën kur është paraqitur kjo rezolutë, në të vërtetë dy rezoluta, në pjesën e parë të fjalës, zoti Thaçi nuk ka thënë asgjë. I ka përsëritur disa gjëra që i ka thënë që tre vjet. Me insistimin tonë ka dalë dhe ka thënë se do ta bëjmë këtë e këtë, por përsëri pa shkrim, të padokumentuar asgjë dhe u shty për ditën tjetër.

Pastaj, ne kemi marrë pjesë në harmonizim, për të treguar vullnetin që ne jemi të interesuar, ne nuk jemi kundër bisedimeve, por nuk jemi për çfarëdo bisedimesh, pa rezultat, pa një qëllim, pa një cak.
Në rezolutën e miratuar nga pozita ka pasur mangësi të shumta. Ne i kemi propozuar disa pika - asnjë pikë që ne e kemi propozuar, e që do ta pasuronte rezolutën, nuk është futur në tekst.

Ajo që e shqetëson LDK-në, është tentimi i qeverisë që rolin e kuvendit ta zbehë, ta margjinalizojë. Ne nuk e pranojmë një formë të tillë të qasjes, sepse insistimi i LDK-së, mes tjerash, është që kuvendi ta luajë rolin e tij konstruktiv, vendimmarrës, kushtetues, ligjor dhe jo të jetë në margjina të zhvillimeve.

Konform kësaj, LDK-ja, përmes kuvendit, do të japë kontributin e saj, pavarësisht se të gjithë e kanë parë se kanë nisur bisedimet. Në rezolutën e miratuar nga pozita ka pasur mangësi të shumta. Ne i kemi propozuar disa pika - asnjë pikë që ne e kemi propozuar, e që do ta pasuronte rezolutën, nuk është futur në tekst.

Nuk është e rëndësishme se sa faqe i ka rezoluta ose sa pika i ka, por është e rëndësishme çfarë ka në të.

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën, me të cilën i jep mbështetje dialogut me Serbinë, por kjo rezolutë nuk u votua nga opozita. A nënkupton kjo se nuk do t’i respektoni as marrëveshjet eventuale që do të mund të dilnin nga ky dialog?

ISMET BEQIRI
Pavarësisht që nuk janë pranuar pikat tona, ajo rezolutë është rezolutë, ne nuk mund të themi që nuk është rezolutë. Por ne, përmes kuvendit, punës sonë në kuvend, do ta japim kontributin tonë. Në asnjë mënyrë në grupe punuese, në asnjë mënyrë nëpër forma të ekipeve të ndryshme... Nëse tentohet që diçka e tillë të bëhet jashtë kuvendit, LDK-ja nuk do të jetë pjesë e këtyre zhvillimeve.

Ne e kemi obligim që përmes kuvendit, si deputetë, si të zgjedhur të popullit, të kujdesemi edhe nga ky pozicion, pavarësisht që s’e kemi votuar, të shohim nëse do të ketë tentim të imponimit të diçkaje që është jashtë Kushtetutës ose bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Unë besoj se edhe po të dojë, nuk do ta ketë guximin që kushdo që të jetë në këto biseda, që do të shkojë në këto ekipe, të bëjë diçka që bie ndesh me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Kjo është edhe arsyeja pse ne e kemi përmendur rolin, sepse roli vendimmarrës është i kuvendit. Mos të harrojmë edhe faktin se ky kuvend e ka shpallur pavarësinë e Kosovës dhe është organi që duhet të pyetet për të gjitha zhvillimet në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka opozita bashkëpunim mes vete në Kuvend?

ISMET BEQIRI
Sigurisht që ne bisedojmë për çështje madhore, të rëndësisë së veçantë, sigurisht që konsultohemi. Është e vërtetë se kemi edhe dallime, gjë që është normale, sepse as programi, as platformat politike nuk janë njësoj. Me disa ka ngjashmëri më shumë, me disa jo.

Motivet nuk kanë qenë të njëjta të LDK-së, as të AAK-së e as të Vetëvendosjes për mospërkrahje të rezolutës, por sigurisht që është parë një koordinim.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqiri, partia juaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dërguar çështjen e zgjedhjes së presidentit në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë vendimi prisni nga kjo gjykatë?

ISMET BEQIRI
Ne i kemi thënë disa herë qëndrimet tona. LDK-ja nuk dëshiron të merret shumë me persona, por dëshiron të merret me procese. Në këtë rast e kam fjalën edhe me procesin zgjedhor.

Ne kemi dyshuar dhe dyshojmë se ka pasur shkelje të procedurave, realisht të Kushtetutës, të rregullores së punës së kuvendit... Për këtë arsye, kemi dërguar një kërkesë, nëse mund të thuhet, për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, si organi i fundit që e bën këtë interpretim.
Cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, LDK-ja do ta pranojë, duke besuar se ai vendim do të jetë i pandikuar.

Me vetë faktin që e kemi dërguar, besojmë se ka pasur shkelje, por cilido që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, LDK-ja do ta pranojë, duke besuar se ai vendim do të jetë i pandikuar.

Ne i respektojmë vendimet e organit më të lartë gjyqësor siç është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
A e njihni ju zotin Pacolli si president? Partia juaj ka thënë se institucionet e krijuara më 22 shkurt nuk janë legjitime për LDK-në…

ISMET BEQIRI
Ne e kemi thënë disa herë me bindje të plotë, posaçërisht pas përfundimit të procesit zgjedhor, dhe e përsërisim se ky proces zgjedhor ka qenë i manipuluar, jodemokratik, i degraduar.

Me vjedhje dhe nga një proces i tillë zgjedhor, ne nuk kemi pritur që do të ketë proces të mirëfilltë të krijimit të institucioneve të Republikës së Kosovës, qoftë të zgjedhjes së presidentit, qoftë të zgjedhjes së qeverisë.

E gjithë kjo që po ndodh dhe që ka ndodhur ato ditë, po e vërteton skepticizmin tonë dhe dyshimin se ka pasur manipulim të votës.

Nuk mund të them që s’e njohim e as e njohim. Tash për tash ne e kontestojmë procedurën dhe presim vendimin e gjykatës. Pastaj, veprimet tona, vendimet tona do të shkojnë në drejtim të asaj që e njohim apo nuk e njohim.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG