Ndërlidhjet

logo-print
Dy parti opozitare në Kosovë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, i bëjnë thirrje Qeverisë të ndërpresë dialogun e filluar me Serbinë.

Përderisa partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka vlerësuar si veprim të papërgjegjshëm të Qeverisë, që pa miratimin e Kuvendit, ka hyrë në bisedime dhe është rezervuar nga komentet e mëtutjeshme, AAK-ja dhe Vetëvendosje thonë se ky dialog, siç ka filluar dhe mëtohet të vazhdojë, do t’i sjellë vetëm dëme Kosovës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, thotë se negociatat me Serbinë duhet të ndërpriten, pasi që ato, sipas tij, janë të dëmshme dhe nuk mund t'i sjellin asnjë të mirë Kosovës.

Rrjedhimisht, çfarëdo marrëveshjeje me Beogradin do ta cenojë në një formë apo tjetër sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, si dhe do ta legalizojë këtë okupim të pjesëve të territorit të Kosovës, që ka bërë Serbia prej vitit 1999 përmes strukturave të saj paralele”, thotë Ymeri.

Në rast se Qeveria kërkon ratifikimin e ndonjë marrëveshjeje me Serbinë në Kuvend, Ymeri thotë se Vetëvendosje nuk do ta mbështesë atë.

Ne natyrisht se do të jemi kundër jo vetëm këtyre marrëveshjeve që do të kërkohen të ratifikohen në Kuvend, por do të jemi aktivisht kundër edhe këtyre negociatave, të cilat u filluan nga Qeveria e Kosovës dhe të cilat po vazhdohen nga kjo qeveri”, thekson Ymeri.

Thirrje për ndërprerjen e bisedimeve Qeverisë i bën edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti dhe sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, thotë se procesi duhet të ndërpritet dhe të përgatitet më mirë, pasi vlerëson se Kosova ka hyrë e papërgatitur në bisedime.

Së pari, ne mendojmë se do të duhet të ndalet procesi dhe të rifillojnë përgatitjet. Ne besojmë se në formën se si është futur Qeveria e Kosovës në këto bisedime, nuk do të ketë përfitime për vendin. Ne do të jemi aktivë gjatë krejt kësaj periudhe dhe do të insistojmë që ky dialog të ndalet dhe të shohim se si zhvillohen gjërat”, thotë Ramadani.

Për bisedimet me Serbinë, Qeveria e Kosovës nuk arriti të sigurojë konsensusin me opozitën në Kuvend. Rezoluta e miratuar në mbështetje të këtyre bisedimeve mori vetëm votat e partive në pushtet.

Ky fat besohet se do të mund t'i përcjellë edhe marrëveshjet eventuale që pala kosovare do t'i arrijë me Serbinë gjatë bisedimeve, sidomos ato që kërkojnë ratifikimin në Kuvend.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG