Ndërlidhjet

Çka sjell epilogu i dialogut?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Analistët në Kosovë vërejnë kundërthënie në deklaratën e kryeministrit Thaçi se në fund të dialogut me Serbinë do të ketë njohje reciproke. Kjo, për arsye se gjatë gjithë kohës flitet për dialog teknik dhe jo politik. Por, çfarë në fakt mund të sjellë epilogu i dialogut, apo kur do të vijë ky epilog?


Epilogu i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sipas kryeministrit Hashim Thaçi, do të jetë njohja reciproke. Kjo deklaratë e bërë një ditë më parë, sipas analistëve kosovarë, bie në kundërshtim me të gjitha deklaratat zyrtare, se dialogu është teknik dhe nuk do të prekë statusin.

Drejtori i Institutit KIPRED, Krenar Gashi, thotë se është gjë e ditur, që çfarëdo që flitet me Serbinë, merr konotacion politik.

Krenar Gashi

“Deklaratat e fundit të kryeministrit Hashim Thaçi, bien në kundërshtim me gjithë deklaratat e mëparshme të të gjithë zyrtarëve të Kosovës, kur është fjala për bisedimet me Serbinë, sepse përzihen çështjet teknike dhe politike. Mirëpo, pavarësisht kësaj kundërthënieje me Serbinë, është ditur dhe dihet se ne do të bëjmë një dialog politik, sepse natyra e problemeve mund të jetë teknike, por baza e problemeve, që ne i kemi me Serbinë, është bazë politike dhe duhet të merren vendime politike për t’u zgjidhur disa çështje që ne i kemi për t’i zgjidhur me Serbinë”,
thotë Gashi.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë përsëritur disa herë se statusi i Kosovës nuk do të preket në bisedimet e nisura në Bruksel.

Por, kundërthëniet në deklaratat e zyrtarëve kosovarë, sipas Ardian Arifajt nga Klubi për Politikë të Jashtme, tregojnë se pala kosovare nuk ka hyrë në bisedime me ide të qarta dhe konkrete.
Kjo tregon se bisedimet me Serbinë nuk mund të jenë teknike, por janë politike dhe synimet e të dyja palëve janë përfitimet politike dhe jo ato teknike.


“Kjo tregon se bisedimet me Serbinë nuk mund të jenë teknike, por janë politike dhe synimet e të dyja palëve janë përfitimet politike dhe jo ato teknike. Ajo që do të ishte më brengosëse për ne, është se kjo tregon se zyrtarët e Prishtinës nuk kanë një ide të qartë, nuk kanë hyrë me një ide të qartë në çfarë bisedimesh po hyjnë, në çfarë qëllimesh dhe me një agjendë të qartë se ku do të shkohet me këto. Prandaj dhe kemi këso deklarata të ndryshme nga zyrtarë të ndryshëm për atë se pse po bisedohet dhe ku do të mbërrijmë me këto bisedime”,
shprehet Arifaj.

Pothuaj secili politikan në Beograd ka shprehur bindjen se pavarësia e Kosovës nuk do të pranohet.

Por, edhe disa politikanë serbë të Kosovës mendojnë se njohja e Kosovës nga Beogradi, për të cilën ka folur kryeministri Thaçi, do të mbetet vetëm një deklaratë politike, meqë, sipas tyre, një gjë të tillë, Serbisë nuk ia lejon vetë Kushtetuta.
...Beogradi nuk guxon ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

“Kjo nuk do të ndodhë. Beogradi dhe nomenklatura e tashme, edhe nëse duan, nuk mund ta bëjnë këtë për shkak se ekziston Kushtetuta e Serbisë, e cila e thotë qartë se kush e pranon ndarjen e një pjese të territorit, shkon në burg për më së paku 15 vjet. Për këtë arsye, Beogradi nuk guxon ta pranojë pavarësinë e Kosovës”,
thotë politikani serb i veriut të Kosovës, Marko Jakshiq.

Kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri ka thënë se Prishtina dëshiron që në afat optimal të përfundojnë bisedimet me Beogradin. Por, nuk ka saktësuar se sa i gjatë është ky afat.

Krenar Gashi shprehet skeptik se dialogu do të mbarojë shpejt.

“Sa i përket deklaratave të kryeministrit se Serbia do ta njohë Kosovën në fund të këtij dialogu, kjo edhe mund të quhet e vërtetë nëse flasim për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë si një gjë e përjetshme, sepse ky dialog do të vazhdojë me vite të tëra dhe eventualisht ne e dimë se Serbia do të duhej ta njohë Kosovën. A do të ndodhë kjo brenda 5 vjetëve, apo 50 vjetëve, këtë nuk e thotë as kryeministri Thaçi e askush tjetër, sepse nuk dihet”,
thekson Gashi.

Takimi i parë me Serbinë që nga pavarësia e Kosovës u mbajt më 8 dhe 9 mars në Bruksel.

Për katër çështjet e para teknike që u diskutuan, regjistri civil, kthimi i dokumenteve kadastrale, vulat doganore dhe CEFTA, nuk u arrit përafrim qëndrimesh mes palëve.

Sipas shefes së ekipit kosovar, Edita Tahiri, takimet pritet të mbahen çdo dy javë, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe me pjesëmarrjen e SHBA-së.

Lexoni edhe këto:
Analistët: Bisedimet në kohë të papërshtatshme për vendin
Reciprocitet gjatë dialogut?
XS
SM
MD
LG