Ndërlidhjet

Hoxhaj: Dialogu, instrument për njohje


Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme

Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme

Dialogu i filluar me Serbinë duhet të shfrytëzohet nga Prishtina zyrtare si instrument që të rrumbullakonte procesin e njohjes së Kosovës nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti ministër, para pak ditësh ka filluar dialogu i shumëpërfolur Prishtinë - Beograd. Fillimisht, a mund të na thoni rreth asaj se çka në realitet pret Prishtina zyrtare nga këto bisedime?

ENVER HOXHAJ
Mendoj që vetë përdorimi i fjalës dialog dhe vetë definimi i qëllimeve të këtij dialogu për çështje të natyrës praktike, flet për atë se ky është një proces, i cili zhvillohet ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane për disa çështje, që deri më tash nuk kanë arritur të adresohen, qoftë në 10 vjetët e Kosovës së lirë, qoftë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Mendoj që është një hap i mirë, i cili e mbështetë Kosovën në procesin e normalizimit të relacioneve të saj me Serbinë dhe kuptohet që procesi i normalizimit ndërmjet dy shteteve të pavarura, për mendimin tonë, duhet të ndodhë në kontekstin e agjendës evropiane se si ky dialog, në fund të fundit, t’i përafrojë të dy vendet shumë më afër integrimit evropian, sesa që kanë qenë në të kaluarën.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrë parasysh pozicionin që kanë mbajtur në vazhdimësi Serbia në raport me shtetin e Kosovës, a prisni në fakt që ky dialog të përfundojë me një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve?

ENVER HOXHAJ
Kjo është një çështje dhe një pyetje, për të cilën ndërkohë do të mund të merrni përgjigje të plotë. Jemi shumë të interesuar që një proces i tillë të përfundojë me normalizimin e këtyre relacioneve. Por, kjo do të varet shumë edhe prej asaj se si Bashkimi Evropian, i cili është një lehtësues në këtë proces dhe se si Uashingtoni zyrtar e shohin çështjen e zhvillimeve sa i takon dialogut brenda për brenda, si dhe zhvillimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kuptohet që në Beogradin zyrtar agjendat e së kaluarës janë edhe më tej të pranishme, qoftë në gjuhën e tyre politike, qoftë edhe në qëllimet e tyre politike. Ndërsa për ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës, statusi politik i vendit në formën e pavarësisë së plotë dhe rendi kushtetues i Kosovës me miratimin e Kushtetutës, që buron nga Pakoja e Ahtisarit, si dhe integriteti territorial i vendit janë gjëra të paprekshme dhe në asnjë formë nuk duhet të jenë pjesë e asnjë dialogu dhe të asnjë forme të ndonjë zhvillimi politik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur shumë shqetësime në lidhje me veriun e Kosovës, duke marrë parasysh gjendjen faktike atje. A mund të rrjedhë ky dialog drejt bisedimeve për këtë çështje, domethënë për pjesën veriore të Kosovës?

ENVER HOXHAJ
Kuptohet që përgjegjësia kryesore për dialog është e zëvendëskryeministres Edita Tahiri, mirëpo ajo se çfarë unë mund të them është që ekziston një rezolutë e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si institucion më i lartë, e cila rezolutë ofron edhe kornizën e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Ekziston, po ashtu, një agjendë e definuar e Bashkimit Evropian, e cila agjendë kryesisht fokusohet në çështje të natyrës teknike dhe së treti, mendoj që Republika e Kosovës në këto tre vjet ka pasur një zhvillim dhe një progres shumë të madh sa i takon implementimit të Pakos së Ahtisarit.

Unë mendoj që Pakoja e Ahtisarit edhe më tutje do të jetë agjendë e shtet-ndërtimit të Kosovës. Është një plan ndërkombëtar, i cili u ofron edhe të drejta minoriteteve, mirëpo i siguron edhe Republikës së Kosovës që ta ketë një proces të shtet-ndërtimit efikas dhe të suksesshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti minister, nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër... Është thënë disa herë se njohjet e reja të Kosovës paraqesin një prioritet, si për Qeverinë e kaluar, ashtu edhe për këtë të tashmen. Çka, konkretisht, mendoni të bëni gjatë këtij mandati në këtë aspekt?

ENVER HOXHAJ
Si Ministri e Punëve të Jashtme, ne fillimisht i kemi tri objektiva madhore. Objektivi ynë i parë është që ta përfaqësojmë interesin shtetëror të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Objektivi ynë i dytë është që t'i përfaqësojmë interesat politike dhe interesat ekonomike të Republikës së Kosovës dhe objektivi i tretë është që t’i përfaqësojmë interesat e qytetarëve të Kosovës, atyre që jetojnë në Kosovë dhe të shumë të tjerëve, të cilët jetojnë në vende të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës.

Si ministri, mendojmë që gjatë kësaj kohe, krahas këtyre tri objektivave, t’i kemi edhe pesë prioritete kryesore. Prioriteti i parë është rritja e numrit të njohjeve dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, prioriteti i dytë është vendosja e marrëdhënieve bilaterale-diplomatike me shumë vende që e kanë njohur Republikën e Kosovës, si dhe definimi i disa partnerëve strategjikë që i ka Republika e Kosovës.

Prioriteti ynë i tretë është vendosja e marrëdhënieve ekonomike tregtare. Prioriteti ynë i katërt është rruga e integrimeve euroatlantike dhe prioriteti ynë i pestë është prezantimi i një imazhi modern për Republikën e Kosovës – prezantimi i një imazhi real dhe objektiv për atë se çfarë është Kosova brenda përbrenda saj.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët çështjen e imazhit. Është vlerësuar se raportet si ai i Dik Martit, kanë ndikuar shumë në imazhin e Kosovës. Por, sa, në fakt, do të jetë kjo çështje rënduese në punën, angazhimin tuaj si në sigurimin e njohjeve të reja, ashtu edhe në përmirësimin e këtij imazhi, pamjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare?

ENVER HOXHAJ
Mendoj se këtu duhet ta bëjmë një qartësim në mes raportit të Dik Martit dhe njohjeve. Pa dyshim që një raport i tillë ka krijuar perceptime të gabuara, meqë Kosova është prezantuar në një formë si nuk është dhe meqë një raport i tillë ka pasur për qëllim ta godasë shtetin e ri të Kosovës, qytetarët e saj, lidershipin e Kosovës dhe ta prezantojë në një formë, që realisht nuk është e denjë dhe nuk është reale.

Ndërsa, çështja e njohjes së Kosovës nga vendet tjera është një çështje më serioze, meqenëse këto shtete informohen për Kosovën në mënyrë shumë më të detajuar dhe jo patjetër raporti i Dik Martit ndikon në atë se a do ta njohë apo jo një vend Republikën e Kosovës.

Për ne, si Ministri e Punëve të Jashtme, mbetet punë shumë e madhe që të bëhet, në mënyrë që shtetet, të cilat hezitojnë për arsye të ndryshme - qoftë për arsye të brendshme apo hezitime për arsye të pozicionimeve ideologjike globale - që t’u sqarojmë se çfarë është Republika e Kosovës, cila është historia e krijimit të këtij shteti, çfarë vlera ngërthen në veten e saj shteti i ri i Kosovës. Gjithashtu t’u sqarohet se si krijimi i këtij shteti nuk dallon realisht nga ajo se si janë krijuar të gjitha shtetet në Ballkan, jo vetëm në fazën e fundit të shkapërderdhjes së ish-Jugosllavisë, por të gjitha shtetet në Ballkan në këto 150 vjetët e fundit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, me gjithë vështirësitë që ka hasur Kosova, sidomos nga mungesa e njohjeve nga pesë vendet e BE-së, sa do të arrini që ta përfaqësoni Kosovën në forume, konferenca ndërkombëtare dhe anëtarësoni në organizma ndërkombëtarë, ku edhe e ka vendin si shtet i ri evropian?

ENVER HOXHAJ

Unë mendoj që dialogu teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përdoret si një instrument, i cili do të bëjë që disa prej vendeve që janë anëtare të BE-së ta njohin Republikën e Kosovës dhe në njëfarë forme, kjo është duke ndodhur, por neve na mbetet që të jemi shumë dinamik e agresivë që ta fuqizojmë pozitën e Prishtinës karshi Brukselit.

Ne, si Qeveri, do të bëjmë përpjekje maksimale që kjo edhe të ndodhë, përderisa anëtarësimi i Kosovës në institucione politike, financiare dhe kulturore është ndër qëllimet madhore që ka Ministria e Punëve të Jashtme.

Në një nga mbledhjet e fundit të Qeverisë është marrë vendimi që të dalim me një strategji aktive për lobim dhe advokim dhe pjesë e kësaj nuk është vetëm rritja e numrit të njohjeve, por edhe rritja e numrit të anëtarësimit të Kosovës në institucione politike, financiare dhe kulturore në nivel botëror dhe në nivel rajonal.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG