Ndërlidhjet

Feja në shkolla


Universiteti i Prishtinës
Universiteti i Prishtinës
Në Kosovë vazhdon debati për dhe kundër futjes së edukatës fetare në plan-programet mësimore në shkollat publike. Bashkësia Islame insiston që një gjë e tillë të bëhet, duke argumentuar se kështu nuk do të kishte devijime nga tradita islamike e kultivuar me vite në Kosovë. Disa komunitete tjera fetare janë kundër një ideje të tillë. Ndërsa, Ministria e Arsimit nuk lëviz nga qëndrimi refuzues, duke thënë se mësimi i fesë në shkolla bie ndesh me ligjet në fuqi.


Rikthehet debati për aplikimin e mësimit për fenë në kuadër të sistemit publik të arsimit fillor dhe të mesëm.

Bashkësia Islame sërish bëri thirrje që feja të përfshihet në programim mësimor në shollat publike, ndërsa Ministria e Arsimit këmbëngul në respektimin e ligjeve, të cilat nuk lejojnë mësimin e fesë në shkolla.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava në konferencën “Mësimet mbi fenë në Institucionet Publike të Arsimit”, dha arsyetimet e institucionit që drejton, se përse feja duhet mësuar edhe në shkolla.

“Njerëzit që duan të garantojnë të ardhmen e vet, nuk mund të jenë indiferentë për edukimin e fëmijëve të tyre edhe me edukatën fetare. Familja, shkolla, mjedisi, institucionet e vendit dhe mjetet e komunikimit masiv duhet të bashkëpunojnë të gjithë për të siguruar rezultatin e dëshiruar”,
u shpreh Tërnava.

Por, përfaqësues të komuniteteve tjera fetare në Kosovë, u shprehën se nuk mendojnë që është mirë të ketë edukatë fetare në shkollat publike.

Fehmi Cakolli, pastor i Kishës Protestante, u shpreh kundër kësaj ideje:

“Personalisht dhe nga komuniteti nga ne vijmë, Kisha Protestante Engjëllore e Kosovës, ne mendojmë se feja në shkolla nuk do të duhej të futej për shkak se mendojmë që ky është edhe një përcaktim i rendit shoqëror demokratik, po edhe i vetë rrethanave historike të popullit tonë. Andaj, mund të gjenden forma tjera, qoftë nga vetë BIK-u, në bashkëpunim me MASHT-in dhe bashkësitë e tjera fetare, pra forma të mira të pranuara që mund të futet religjioni në këtë rast”
.

Një nga protestat e mbajtura në Prishtinë në mbrojtje të shamisë në shkolla, pas miratimit të një udhëzimi administrativ të MASHT-it, i cili ndalonte përdorimin e simboleve fetare në shkollat publike.

Nga ana tjetër, eksperti për çështje kulturore e fetare, Stephan Batelede, nga Shtete e Bashkuar të Amerikës, i pranishëm në konferencë, dha disa shembuj se si do të duhet të mësohet lënda e edukatës fetare.

“Departamentet e studimeve fetare në universitete publike nuk ofrojnë trajnime religjioze apo profesionale për priftërinj ose për imamë, ata nuk janë si Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë ose si Instituti Teologjik Françeskan në Sarajevë, të cilat ofrojnë mësime fetare dhe trajnime për profesione fetare. Përkundrazi, departamentet e studimeve fetare kanë si mision studimet akademike të fesë duke përfshirë edhe krahasimin e feve të botës përtej traditave fetare”,
shpjegoi Batelde.

Zyrtarët e BIK-ut, ka kohë që janë duke kërkuar nga institucionet Kosovës që lënda e edukatës fetare të përfshihet të plan-programin mësimor të vendit.

Një gjë të tillë, vitin e kaluar Bashkësia Islame e Kosovës, ua kishte kërkuar përmes një shkrese edhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

Por, zyrtarët e Qeverisë këmbëngulin se kërkesa për futjen e religjionit në programet mësimore bie ndesh me ligjet në fuqi.

Nehat Mustafa, nga kabineti i ministrit të Arsimit, deklaroi se me ligjet në shpjegohet shumë qartë se në shkolla nuk lejohen mësimet për fenë.

“Në nenin katër të këtij ligji thuhet qartë që institucionet arsimore publike do të përmbahen nga mësimdhënia fetare. Çka do të thotë se me ligjin që ne e kemi në fuqi dhe me të cilin veprojmë, për ne nuk është temë diskutimi njëherë futja e lëndës së edukatës fetare në procesin arsimor”,
deklaroi Mustafa.

Viti i kaluar është përcjellë me një seri protestash në mbrojtje të shamisë në shkolla, pas miratimit të një udhëzimi administrativ të MASHT-it, i cili ndalonte përdorimin e simboleve fetare në shkollat publike.
XS
SM
MD
LG