Ndërlidhjet

Reduktimi s'e zvogëlon rëndësinë e KFOR-it


Admirali Samuel J. Locklir dhe presidenti Behxhet Pacolli

Admirali Samuel J. Locklir dhe presidenti Behxhet Pacolli

Kosova dhe NATO-ja kanë bërë një rrugë të gjatë së bashku dhe ky rrugëtim do të vazhdojë, tha të martën në Prishtinë admirali Samuel Loklir, komandant i Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli. Këto komente, ai i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Behxhet Pacolli. Ky i fundit kërkoi sërish nga NATO-ja që t’i angazhojë edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse në botë.


NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha mënyrat e mundshme, tha të martën në Prishtinë, admirali Samuel Loklir, komandant i Forcave të Bashkuara të NATO-s në Napoli.

Këto komente, ai i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Behxhet Pacolli, ku ishte i pranishëm dhe komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler.

“NATO-ja mbetet e përkushtuar për një ambient të qetë e të sigurt në Kosovë
”, nënvizoi admirali Loklir.

Ai tha, po ashtu, se gjatë këtyre gjashtë muajve të fundit ka qenë disa herë në Kosovë, ku ai personalisht ka vërejtur një varg ndryshimesh pozitive.

Vizitat e tij në Kosovë po bëhen në kohën kur KFOR-i po vazhdon shkurtimin e trupave.
Admirali Samuel Loklir gjatë vizitës në Kosovë, u prit nga presidenti Behxhet Pacolli.

“Vendimi i NATO-s që gradualisht të shkurtojë numrin e trupave këtu, reflekton pozitivisht evoluimin që ka ndodhur në gjendjen e përgjithshme të sigurisë në këtë vend”.

“Muajt e fundit, forcat e NATO-s i kanë dorëzuar kompetenca Policisë së Kosovës në fushën e sigurisë dhe ky veprim është treguar i suksesshëm”
, tha Loklir, duke konfirmuar se KFOR-i tashmë është forca e tretë reaguese në Kosovë, pas policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Kosova dhe NATO-ja kanë bërë një rrugë të gjatë së bashku dhe ky rrugëtim do të vazhdojë, u zotua zyrtari i lartë i Aleancës Veri-atlantike.

“I inkurajoj fuqishëm njerëzit e Kosovës që të vazhdojnë përkushtimin për vendosjen e sundimit të ligjit dhe unë mund t’ju siguroj se NATO-ja do t’ju mbështes juve në çdo mënyrë të mundshme”,
theksoi admirali Samuel Loklir.

Ndërkohë, presidenti Behxhet Pacolli falënderoi NATO-n për kontributin e vazhdueshëm në Kosovë, me theks të veçantë për ndihmën që tani po i jep Kosovës në trajnimin dhe profesionalizimin e Forcave të Sigurisë.


Pacolli kërkoi që eprorët e FSK-së të shkollohen në akademitë e ndryshme ushtarake të NATO-s.

Gjithashtu, Pacolli përsëriti kërkesën që pjesëtarët e FSK-së të jenë pjesë e misioneve paqësore në botë, në kuadër të NATO-s, kudo ku kjo shihet e nevojshme.

“Nga ana ime shpreha gatishmërinë e bashkëpunimit pa limite me NATO-n, e sidomos me KFOR-in këtu në Kosovë, shpreha falënderimet e popullit të Kosovës dhe të miat personale për atë që KFOR-i është duke bërë për Kosovën në drejtim të përgatitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të rrugëtuar së bashku në të ardhmen në shtëpinë e madhe të NATO-s”,
deklaroi presidenti Pacolli.

Duke u ndërlidhur me Forcën e Sigurisë së Kosovës, admirali Loklir, sipas një njoftimi nga Presidenca e Kosovës, tha se në periudhën e ardhshme do të bëhet vlerësimi i përmbushjes së kapaciteteve të plota operative të kësaj force.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG