Ndërlidhjet

Marnak: Presim dëshmi nga Marti

  • Augustin Palokaj

Ksavier de Marnak

Ksavier de Marnak

Ksavier de Marnak ka thënë se misioni i EULEX-it në Kosovë në këtë moment është i përqendruar në përpjekjet për të siguruar rendin dhe ligjin, sidomos në veri të Kosovës, si dhe në ndjekje të rasteve të korrupsionit dhe të krimit të organizuar në Kosovë.

De Marnak ka thënë se në Kosovë më nuk ka mosndëshkim për rastet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, qoftë edhe në nivel politik.

Sa i përket akuzave të Dik Martit, De Marnak ka theksuar se EULEX-i ka kapacitete të mjaftueshme dhe mandat për të bërë hetime dhe se kanë filluar kontaktet dhe bashkëpunimi edhe me autoritetet e Shqipërisë, gjithashtu ka pasur kontakte edhe me Serbinë dhe se EULEX-i e ka marrë këtë punë seriozisht.

Ai ka nënvizuar se, në rast se vendoset që dikush tjetër të bëjë hetime për këtë rast, EULEX-i do të jetë i gatshëm që të gjitha të dhënat, të cilat i mbledh, t’ia dorëzojë atij ekipi.

Mirëpo, ai ka theksuar se është EULEX-i ai që do të duhej, i përforcuar, ta bëjë këtë hetim.

Në shumë vërejtje të deputetëve të Parlamentit Evropian se dëshmitarët në Kosovë nuk janë të mbrojtur sa duhet, De Marnak ka thënë se EULEX-i ka programe për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe se në rastin e raportit të Dik Martit, tash për tash nuk kanë dëshmitarë, por nëse do të ketë, ata do të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur dëshmitarët.

“Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me gatishmërinë në Kosovë dhe programet, por edhe me gatishmërinë e vendeve anëtare të BE-së për të ndihmuar. Ka shumë dëshmitarë, të cilët do të duhej strehuar jashtë Kosovës dhe kjo kërkon kapacitete dhe gatishmëri të vendeve anëtare të BE-së për t’i pranuar“,
ka thënë De Marnak.

Ai ka shtuar se nuk do të jetë e nevojshme që të strehohen vetëm dëshmitarët, por edhe anëtarët e tyre të familjes, prandaj këtu duhen mjete dhe ndihmë edhe nga shtetet anëtare të BE-së.

Sido që të jetë, De Marnak ka thënë se hetimet tash për tash janë të përgjithshme dhe nuk bëhen hetime kundër një personi të caktuar, mirëpo presin edhe nga Dik Marti që ai të japë më shumë dëshmi për akuzat që ka bërë në raportin e tij.
XS
SM
MD
LG