Ndërlidhjet

logo-print

Klinton bisedoi me përfaqësuesin e opozitës

  • RFE /RL

Hillari Klinton

Hillari Klinton

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, mbajti takim me përfaqësuesin udhëheqës të opozitës në Libi, Mahmud Xhibril, i cili po përpiqet të fitojë mbështetje ndërkombëtare për forcat që e kundërshtojnë sunduesin Muamer Gadafi.

Ishte pritur që bisedimet do të fokusoheshin në propozimin, që të imponohet zona e ndalim-fluturimit ndërkombëtar mbi Libinë. Por, as zonja Klinton dhe as zoti Xhibril, nuk bënë komente para gazetarëve, pas bisedës së tyre në një hotel luksoz në Paris.

Filip Rejns, ndihmës i sekretares Klinton, u tha reporterëve se biseda 45 minutëshe ishte “private dhe e sinqertë”.

Zonja Klinton u takua edhe me ministrat e jashtëm të Grupit të 8 vendeve më të zhvilluara industrialisht, për të diskutuar propozimin për zonën e ndalim-fluturimeve në Libi, që në Këshillin e Sigurimit e kanë paraqitur Britania dhe Franca.

Sipas këtij propozimi, aeroplanët luftarakë të Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s, do t’i detyronin forcat ajrore të Gadafit që të mos fluturojnë me qëllim që të mbrohen civilët dhe opozita nga sulmet ajrore.

Ky propozim me gjasë do të kërkojë qindra aeroplanë për të patrulluar në qiellin mbi territorin e madh të Libisë.

Zhvillimet diplomatike u bënë në kohën kur raportohet se forcat besnike ndaj Gadafit në Libi e kanë rimarrë kontrollin ndaj qytetit perëndimor Zvara, që ishte qyteti i parë, të cilin e kishin marrë opozitarët.

Analisti Xhefri Uajt nga Instituti Për Politiën e Lindjes së Afërt, me seli në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se sa më tepër që të avancojnë forcat e Gadafit në lindje, aq më i vështirë do të jetë për të furnizimi i trupave të tij me ushqim, karburante dhe municion.

“Gadafi e ka një avantazh në këtë moment, megjithëqë mbetet të shihet se sa do të mund ta mbajë këtë gjendje. Por, ai ka sfida reale përpara. Ai nuk ka bërë shumë në hapësirën Misurata. Atje ka pasur përpjekje për hyrje në qytet, por ishin ndalur nga kryengritësit”.

“Në pjesën lindore të Libisë, forcat e Gadafit tash po shkojnë gjithnjë e më tepër në lindje dhe kjo nënkupton se ai do ta ketë më vështirë për t’i mbajtur ato forca. Prandaj, duket se do të jetë më lehtë për rebelët që t’i mbajnë dhe mbrojnë këto hapësira në pjesën lindore”
, tha Xhefri Uajt.

Ministri i Jashtëm francez, Alen Zhype, tha se ai nuk ishte në gjendje t’i bindë të gjithë anëtarët e grupit G-8, për nevojën e imponimit të zonës së ndalim-fluturimit.

“Në këtë moment, nuk i kam bindur. Franca, me Britaninë, ishte në udhëheqje të vazhdueshme. Çfarë është situata tash? Gadafi po arrin pikë. Nëse ne do ta kishim përdorur forcën ushtarake javën e kaluar për t’i neutralizuar një numër të aeroporteve dhe disa aeroplanë, që ata i kanë, dëmi që tash po i bëhet opozitës, ndoshta nuk do të ndodhte”,
theksoi Alen Zhype.

Pa përdorim të forcës, tha zoti Zhype, komuniteti ndërkombëtar, me gjasë, nuk do të jetë i aftë t’i ndalë lojalistët e Gadafit që ta rimarrin qytetin Bengazi, bazë e opozitës në pjesën lindore të Libisë.

Ministri i Jashtëm i Kanadasë, Lorence Kenon, tha se të gjitha opsionet për aksion kundër regjimit të Gadafit duhet të mbeten të hapura, përfshirë, edhe zonën e ndalim-fluturimeve. (f. b.)
XS
SM
MD
LG