Ndërlidhjet

Mesiq: Serbia duhet ta kuptojë se ishte agresor


Stipe Mesiq

Stipe Mesiq

“Këtu Serbia ka qenë agresor - ajo duhet ta kuptojë këtë dhe duhet ta përjetojë katarzën”, tha Stipe Mesiq, ish-president i Kroacisë.



RADIO EVROPA E LIRË
E keni marrë çmimin për kulturë dialogu dhe paqe. A ka kulturë të dialogut në Ballkan?

STIPE MESIQ
Ka. Mund të them se gjatë kohës së luftës janë takuar humanistët, janë takuar njerëzit që janë të dhënë pas paqes, njerëzit të cilët ishin të interesuar që konfliktet të zgjidheshin me marrëveshje, pa armë. Ata gjithnjë kanë bashkëpunuar. Për këtë arsye, edhe tash është koha për dialog të kulturuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni raportet në rajon., tash kur nuk jeni president i Kroacisë?

STIPE MESIQ
Këto raporte, megjithatë, në fund të fundit, po përmirësohen. Në Bosnje Hercegovinë kemi shumë forca që mendojnë se do të jetë e mundshme të shkatërrohet Bosnjë Hercegovina, por, pasi këtë nuk e arriti Millosheviqi, as me gjenocid, e as me krime të luftës, as me topa e as me tanke, nuk munden as këta iluzionistë, të cilët mendojnë se bota do të lodhet, prandaj do ta shkatërrojnë Bosnjën. Kjo është, thjesht, një kohë, të cilën tash duhet ta mbijetojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mesiq, cili është vlerësimi juaj për rastin Divjak?

STIPE MESIQ
Do t’ju them se kjo që tash po bën Serbia, nuk është në harmoni me ligjet që vlejnë në botë, tek ata që kanë pasur kopnflikt dhe në shoqërinë pas konfliktit. A do të ishte e mundshme në Gjermani, pas Luftës së Dytë Botërore, që Gjermania t’i kishte inicuar proceset kundër gjeneralëve rusë, kundër gjeneralëve amerikanë, kundër atyre anglezë, francezë... A do të ishte e mundshme një gjë e tillë?

Është e qartë se nuk është e mundshme. Këtu Serbia ka qenë agresor - Serbia duhet ta kuptojë këtë, Serbia duhet ta përjetojë katarzën, ta kuptojë se ka shkuar me qëllime të gabuara, se e ka zgjedhur njeriun e gabuar, pasi Serbia e ka zgjedhur Sllobodan Millosheviqin, e jo Bosnja apo Kroacia.

Atëherë kur ta përjetojë këtë katarzë, atëherë do ta kuptojë se Divjaku e ka mbrojtur Bosnjë Hercegovinën, dhe nëse dikush ka bërë krim në Kroaci apo në Bosnjë, atëherë dëshmitë e tilla duhet t’i dërgohen sistemit gjyqësor të atij vendi.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas vlerësimit tuaj, a është sjellë kështu Serbia vetëm në kontektstin e mbrojtjes së serbëve në rajon?

STIPE MESIQ

Jo, ata nuk merren me mbrojtjen e serbëve. Ata merren me politikën e tyre imperiale. Për fat të keq, ata edhe mëtutje mendojnë se mund të krijohet Serbia e madhe.
XS
SM
MD
LG