Ndërlidhjet

Integrimi i bashkësisë serbe në institucionet e Kosovës ka qenë prioritet i kahershëm i Qeverisë së Kosovës, në të gjitha mandatet dhe për një gjë të tillë vazhdon angazhimi edhe më tutje, vlerësojnë zyrtarët e lartë të ekzekutivit të Kosovës.

Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, thotë se qasja e institucioneve të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë pozitive në përpjekjet për integrimin e bashkësisë serbe në Kosovë.

Hajredin Kuçi

“Reagimi ynë ka qenë që gjithmonë të jemi atraktivë, në kuptimin pozitiv, për popullatën lokale dhe natyrisht, pjesë e sistemit tonë është edhe investimi në zhvillimin socio-ekonomik".

"Por, për një gjë të tillë, përveç që kemi marrë vendime paraprake, ne duhet të kemi edhe partnerë lokalë, gjë që nënkupton se duhet të kemi institucionet e zgjedhura, njerëzit që punojnë mbi bazën e transparencës së plotë dhe të logjikës së institucioneve të Kosovës”,
thotë Kuçi.

Por, Beogradi zyrtar që nga përfundimi i luftës në Kosovë e deri më tash, në vazhdimësi ka ndarë mjete buxhetore për të financuar veprimtaritë socio-ekonomike për serbët që jetojnë në Kosovë. Ditë më parë, ministri për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, u tha mediave serbe se kjo qeveri ka ndarë rreth 250 milionë euro në vit për investimet në Kosovë.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, duke folur për Radion Evropa e Lirë, nuk e precizon shumën e mjeteve financiare për Kosovën, por thotë se ajo sillet afër shumës, të cilën e ka potencuar Bogdanoviq.

Sipas Ivanoviqit, institucionet shtetërore të Serbisë do të vazhdojnë ta financojnë arsimin, shëndetësinë dhe, siç thotë ai, projektet e ndryshme me interes për qytetarët serbë, në mjediset ku ata jetojnë në Kosovë.

“Beogradi rregullisht, për çdo vit, investon. Unë nuk do ta precizoja shumën, sepse ne saktësisht e përcjellim vetëm atë që ministria për Kosovën financon, e që dikur e ka financuar Qendra për Koordinim".

"Por, të gjitha ministritë tjera financojnë pagat, ndihmat sociale, pensionet dhe gjithsesi, financojnë projektet e infrastrukturës në Kosovë, kudo që serbët jetojnë”,
konfirmon Ivanoviq.

Ndryshe, numri më i madh i serbëve që jetojnë në Kosovë, gjenden në veri të vendit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Kuçi nuk jep ndonjë shifër të investimeve që do t’i bëjë Qeveria e Kosovës, në funksion të integrimit të serbëve që jetojnë në këtë pjesë të vendit.

“Momentalisht, nuk e di shumën e saktë që ta them në këtë drejtim, por Qeveria e Kosovës ka pasur parasysh investimet në kuptimin e asaj që të jemi sa më korrekt dhe të jemi të balancuar, në kuptimin e investimeve për atë pjesë”, thekson Kuçi.

Në anën tjetër, Ivanoviq thotë se investimet nga Beogradi, nuk i sheh si pengesë për
integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Megjithëkëtë, sipas tij, Beogradi ka bërë shumë më tepër për serbët në Kosovë, se sa që aktualisht po bën Prishtina zyrtare.
Oliver Ivanoviq

“Unë mendoj se kjo po e mban bashkësinë serbe aty, sepse në gjendjen në të cilën jetojnë, duke u ndier të pasigurt dhe duke mos pasur kurrfarë perspektive ekonomike dhe kur nuk iu ofrohet mundësia që të punësohen në institucionet në Prishtinë, atëherë kjo për ta është mundësia e vetme që të mbijetojnë".

"Prandaj, unë këtë e konsideroj si ndihmë të nevojshme për mbijetesën e bashkësisë serbe. Askujt prej tyre nuk u është ndaluar që eventualisht të marrë mjete financiare si ndihmë sociale ose të ngjashme, apo për projekte infrastrukturore, si dhe mjete që stimulojnë vetëpunësimin , nëse institucionet e Prishtinës ua ofrojnë”,
shprehet Ivanoviq.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Kuçi vlerëson se institucionet e Kosovës nuk do ta ndjekin logjikën e njëjtë sikurse të Beogradit, për të përfituar serbët përmes mjeteve financiare.

“Nuk është logjika vetëm e përfitimit material".

"Ata janë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës. Zhvillimi ynë duhet të jetë gjithnjë i balancuar në gjithë territorin e republikës, por edhe ndaj të gjitha etniteteve. Natyrisht, ne bëjmë që ata të ndihen mirë dhe qytetarë të barabartë të republikës sonë”,
shton Kuçi.

Sidoqoftë, raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Kosovën, ka potencuar se të joshur nga shërbimet që ofron Serbia në veri, serbët refuzojnë integrimin, ndërkaq që, po sipas këtij raporti, as Prishtina e as komuniteti ndërkombëtar nuk kanë bërë shumë veprime bindëse për të arritur deri tek integrimi.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG