Ndërlidhjet

Integrimi i arsimit (s’)pengohet nga politika


Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Synimet e Ministrisë së Arsimit që ta integrojë në sistemin arsimor kosovar universitetin serb të vendosur në Mitrovicë, për përfaqësuesit serbë nuk duken të realizueshme. Zyrtarë të Qeverisë dhe analistë të arsimit, thonë se problemet politike po vonojnë në zgjidhjen e kësaj çështjeje.


Qeveria e Kosovës po bën përpjekje të vazhdueshme që ta integrojë në sistemin e arsimit kosovar universitetin serb që gjendet në Mitrovicë.

Universiteti i Mitrovicës vepron në përputhje me legjislacionin dhe plan-programet e Qeverisë serbe. Pakoja e Ahtisaarit parasheh që ky universitet të jetë autonom, por statuti i tij të jetë konform legjislacionit kosovar.

Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tregon gatishmërinë e autoriteteve kosovare që këtë universitet ta fusin nën ombrellën e kësaj ministrie, por për një gjë të tillë, thotë ai, nevojitet gatishmëria e të dyja palëve.
...gatishmëria duhet të jetë e dyanshme dhe
kjo gatishmëri jorrallë po mungon nga ana tjetër.


“Përpjekjet tona do të vazhdojnë në këtë drejtim dhe i kemi mundësitë e hapura edhe prej atyre bashkëpunëtorëve që janë të gatshëm të na ndihmojnë edhe në mënyrë financiare, edhe në aspektin tjetër, që ta bëjmë këtë gjë. Por, gatishmëria duhet të jetë e dyanshme dhe kjo gatishmëri jo rrallë po mungon nga ana tjetër”,
thotë Buja.

Ministria Buja thotë se problemet e karakterit politik, po ndikojnë në zgjidhjen arsimit të lartë.

“Gjithsesi ka nuanca politike në këtë drejtim, për arsye të vullnetit jo të mirë të palës serbe, që vjen nga Beogradi, e jo nga vullneti i qytetarëve që janë në Mitrovicë, sepse aty shohim gatishmëri të njerëzve për të bashkëpunuar, koordinuar dhe integruar. Megjithatë, ato sinjale politike që vijnë nga qendra, janë ato që prishin krejt rregullsinë e këtyre gjërave”
, thekson Buja.

Ndërkaq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Rangjell Nojkiq, e sheh të vështirë integrimin e Universitetit të Mitrovicës në sistemin e arsimit kosovar, sepse, thotë ai, plan-programi i Universitetit Publik të Prishtinës, është krejtësisht i kundërt me atë të Mitrovicës.

“Para se të ndodhë kjo, Ministria e Arsimit në Qeverinë e Kosovës, duhet t’i shpreh pikëpamjet qartë mbi qëllimet e programit, në bazë të programeve edukative. Unë nuk kam asgjë kundër dhe ndoshta kjo do të ndihmojë në përmirësimin e programeve arsimore, por vlerësoj se është një proces i gjatë, dhe tash për tash një gjë e tillë nuk mund të ndodhë”,
shprehet Nojkiq.

Edhe analistë të arsimit, vlerësojnë se çështjet politike kanë ndikuar që universiteti serb në Mitrovicë të mbetet jashtë sistemit të arsimit kosovar.
Fakti që ky universitet qëndron jashtë sistemit kosovar të arsimit, është një rrethanë e qartë politike.

Në anën tjetër, Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, konsideron se ekzistojnë të gjitha parakushtet që ky institucion të menaxhohet nga autoritetet vendore.

“Fakti që ky universitet qëndron jashtë sistemit kosovar të arsimit, është një rrethanë e qartë politike. Pra, ky universitet e numëron veten në mesin e universiteteve të Serbisë, merr fonde nga Republika e Serbisë dhe tërë bashkëpunimin e zhvillon me universitet e Serbisë. Pra, nuk zhvillon bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës”
, shpjegon Pupovci.

Analistët vlerësojnë se Pakoja e Ahtisaarit u ka dhënë të drejta të avancuara serbëve në të gjitha fushat, por veçanërisht në arsim.

Serbët mund të përdorin plan-programet dhe tekstet e Qeverisë. Ndërsa, me këtë pako, përgjegjësinë për Universitetin Publik të Mitrovicës nuk e ka Prishtina zyrtare, por vetë Komuna e Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG