Ndërlidhjet

logo-print
Përfshirja e të gjitha shtresave të shoqërisë në jetën ekonomike, shërbimet sociale, si dhe angazhimi i tyre në fusha tjera, është sfidë zhvillimore për Kosovën, thuhet në një raport të publikuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Raporti i titulluar "Zhvillimi njerëzor në Kosovë, 2010", rekomandon institucionet që të zhvillojnë një kornizë zhvillimore mbarëkosovare për përfshirje sociale.


Raporti i zhvillimit njerëzor në Kosovë 2010 - përfshirja sociale, identifikon disa grupe shoqërore që e ndjejnë përjashtimin më shumë se të tjerët, siç janë femrat nga viset rurale, komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane, fëmijët, personat me nevoja të veçanta etj.

Raporti analizon indikatorët tradicionalë socio-ekonomikë nga perspektiva e përfshirjes sociale, duke filluar prej varfërisë dhe papunësisë, e deri te shëndeti dhe arsimi.

Osnat Lubrani, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së, thotë se ndonëse kushtet mund të jenë të vështira pas aq shumë trazirave, fuqia për transformim të gjendjes është në duart e kosovarëve.

“Liderët e Kosovës duhet të ulen dhe të mendojnë se çfarë mund të bëhet më shumë, p.sh, çfarë mund të bëhet për zhvillimin e bujqësisë. Liderët në këtë aspekt duhet të kenë qasje më afatgjate. Kjo është për shkak se kur flasim për zhvillimin e bujqësisë, ne duhet t’i qasemi zhvillimit rural, sepse shumë gra nga viset rurale nuk dinë shkrim-lexim”,
shprehet Lubrani.

Ndër të tjera, në raport thuhet se kapaciteti i dobët i Qeverisë që kufizon zbatimin e politikave për kultivimin e përfshirjes sociale, si dhe konfliktet e fundit që krijojnë tensione ndërmjet grupeve shoqërore, janë faktorë, të cilët kanë shkaktuar diskriminimin e grupeve të caktuara.

Rezultatet dhe rekomandimet për Qeverinë, të cilat janë paraqitur në këtë raport, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do të shërbejnë si pikënisje për zhvillime të reja, të domosdoshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për gjendjen aktuale jo të favorshme për grupet më të ndjeshme të shoqërisë sonë. Ato janë të përkushtuara dhe do të punojnë me ngulm për zhdukjen e varfërisë, krijimin e mundësive për edukim sa më kualitativ për të gjithë, pa dallim, për fuqizimin e rolit të femrës në shoqëri dhe në pozita vendimmarrëse, për ngritjen e cilësisë së strukturave shëndetësore dhe për krijimin e kushteve më të përshtatshme për partneritet ndërshtetëror me vendet e zhvilluara”
, thotë Krasniqi.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i personave me nevoja të veçanta, Faruk Kukaj, thotë se ndiejnë se janë të përjashtuar nga shoqëria në të gjitha fushat e jetës.

“Personat me nevoja të veçantë nuk janë të përfshirë në shumë fusha të jetës”
, thekson Kukaj.

Në raportin e zhvillimit njerëzor në Kosovë 2010, po ashtu është theksuar edhe gjendja ekonomike e familjeve kosovare, ku thuhet se rreth 45 për qind e kosovarëve jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Varfëria është më e lartë në mesin e atyre që jetojnë në familje të mëdha, atyre që jetojnë me shumë anëtarë të familjes që nuk janë të punësuar dhe atyre që kanë nivel të ulët të arsimimit.

Lexoni edhe këto:

Milionerë në shtet të varfër
Shumë fëmijë në Kosovë jetojnë në varfëri
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG