Ndërlidhjet

Gruevski e Cërvenkovski - pa marrëveshje


Nikola Gruevski dhe Branko Cërvenkovski

Nikola Gruevski dhe Branko Cërvenkovski

Pas takimit 10-orësh, LSDM-ja njoftoi se opozita mbetet jashtë Parlamentit, derisa kërkesat nuk përmbushen konkretisht. Kurse, kryeministri Gruevski insistoi që Parlamenti të shpërndahet më 31 mars dhe sa më parë të mbahen zgjedhjet.


Liderët e dy partive më të mëdha maqedonase, Nikolla Gruevski nga VMRO DPMNE-ja, njëherësh edhe kryeministër i Maqedonisë, dhe Branko Cërvenkoski nga LSDM-ja, gjatë takimit maratonë 10-orësh, arritën t’i harmonizojnë qëndrimet vetëm në një pikë, edhe atë rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk pranoi kërkesën e LSDM-së, për zhbllokimin e xhirollogarisë së Televizionit A1, pasi që, sipas tij, kjo është punë e gjykatave, e jo e Qeverisë.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Gruevski insistoi që Parlamenti të shpërndahet më 31 mars dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

"Dhjetë orë kemi punuar pa pushim për të bindur LSDM-në të kthehet në Parlament, duke iu përgjigjur pjesës më të madhe të kërkesave, sugjerimeve, si dhe vërejtjeve të parashtruara pas çdo pauze nga kjo parti",
theksoi kryeministri Gruevski.

Ai shtoi se për partinë e tij nuk është e pranueshme kërkesa që të rritet numri i përfaqësuesve të partive politike në këshillat e votimit, ngase kjo do të ishte në kundërshtime me rekomandimet e OSBE-ODHIR-it.

Nga ana tjetër, Branko Cërvenkovski, akuzoi kryeministrin Gruevski dhe partinë e tij se po aktron konstruktivitet, duke pranuar vetëm disa nga kërkesat, ndërsa në agjendë vendos kërkesa të reja, andaj kjo parti nuk kthehet në Parlament.

“Aktrojnë konstruktivitet, pranojnë një pjese të kërkesave pa u ofruar garanci se të njëjtat do të miratohen nga ana e Kuvendit të Maqedonisë, ndërsa kërkesat kryesore, siç janë kuotat për bashkësitë etnike, komisionet zgjedhore, nuk i pranojnë”, tha lideri i LSDM-së Branko Cërvenkoski.

Me këtë rast, Cërvenkovski theksoi se në harmonizimin e qëndrimeve mes partive politike që kanë të bëjnë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, duhet të përfshihen dhe liderët politikë shqiptarë.

“Ideja është që deri të premten të organizohet një takim liderësh, ku do të përfshihen të gjitha partitë politike parlamentare, ngase vetëm kështu mund të arrijmë konsensusin e nevojshëm si garanci që Kuvendi t’i zbatojë propozimet, për të cilat kemi rënë dakord ne, si liderë të partive politike”,
u shpreh Cërvenkoski.

Mospërfshirja e shqiptarëve në harmonizimin e qëndrimeve mes dy partive politike maqedonase, sa i përket rregullativës ligjore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, u kritikua ashpër nga partitë shqiptare në opozitë.

PDSH-ja dhe Demokracia e Re thanë se zhvillimi i dialogut vetëm në krahun e partive maqedonase, është i papranueshëm, pasi çështjet që janë temë diskutimi, prekin të gjitha etnitetet dhe subjektet politike.

“Mendoj se duhet të takohen liderët e partive politike relevante, në bazë të të cilit takim duhet të dalë një marrëveshje e qëndrueshme, që do të garantojë organizimin e zgjedhjeve në një frymë demokratike transparente dhe të besueshme për të gjitha palët inkuadruara në këtë proces”
, tha zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arjanit Hoxha, duke komentuar takimin e Gruevski-Cërvenkoski.

Ndërkohë, nënkryetarja e BDI-së, pjesë e koalicionit qeverisës, Teuta Arifi, vlerësoi se hapi i parë drejt zhbllokimit dhe arritjes së kompromisit tashmë është bërë.

Përfshirja edhe e partive shqiptare do të mund të paraqesë një impuls pozitiv që çon kah kapërcimi i dallimeve mes partive politike për rregulloren zgjedhore.

“Konsideroj se kontaktet dhe takimet mes partive duhet të vazhdojnë, edhe pse takimi i djeshëm Cërvenkoski-Gruevski nuk rezultoi me sukses dhe është me rëndësi që në këtë proces të përfshihen edhe partitë politike shqiptare, si një vlerë shtesë e procesit. Kjo bëhet duke pasur parasysh faktin se faktorët politikë maqedonas për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve, si dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor”,
u shpreh Arifi.

Nënkryetarja Teuta Arifi, nënvizoi se nëse polarizimi mes partive politike nuk i ndihmon situatës, aq më pak do t’u ndihmojë qytetarëve, ngase atmosfera, në të cilën duhet të mbahen zgjedhjet, duhet të jetë një atmosferë korrekte dhe e pranueshme për të gjitha palët e përfshira në zgjedhje.
XS
SM
MD
LG