Ndërlidhjet

logo-print

Përse Perëndimi s’e njeh udhëheqësinë rebele të Libisë?


Forcat anti-qeveritare në Libi

Forcat anti-qeveritare në Libi

Udhëheqësit perëndimorë kurrë nuk kursejnë shkopin kur duhet rrahur liderin libian, Muamer Gadafi.

“Çdo ditë Gadafi po brutalizon popullin e tij. Koha është kryesorja. Ne duhet të vazhdojmë ta mbajmë nën presion këtë regjim
”, ka thënë kryeministri britanik, Dejvid Kameron.

Por, vetëm një vend perëndimor, Franca, ka njohur zyrtarisht udhëheqësinë rebele që lufton kundër Gadafit. Të gjithë të tjerët kanë ndaluar të ndërmarrin hapa që do t’u lejonin rebelëve qasje në fondet e Libisë jashtë shtetit, në të ardhurat nga nafta apo armët. Përse?

Duket se Perëndimi di shumë pak për lidershipin rebel. Së fundmi, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Karni, ka thënë se do të ishte hap i nxituar “dërgimi i një grumbulli armësh me postë në Libinë lindore”.

Por, sot identiteti i rebelëve njihet më mirë. Një delegacion i tyre është takuar me sekretaren amerikane të shtetit, Hillari Klinton, në margjinat e samitit të G8-ës, ndërsa administrata Obama ka emëruar një lidhje diplomatike me grupet rebele të Libisë.

Në të njëjtën frymë, shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton, ka thënë se do të dërgojë një mision në Bengazin e kontrolluar nga kryengritësit.

Shahshank Joshi, ekspert për rajonin në Institutin Mbretëror të Londrës, një fakt të tillë e shpjegon në këtë mënyrë:

“Në nivelet e larta të udhëheqësisë, ne njohim disa figura të rëndësishme. Ne dimë, për shembull, se ish-ministri i brendshëm është i përfshirë në një nivel shumë të lartë. Ne dimë se ai komandon besnikërinë e 1,000 apo më shumë forcave speciale".

"Ne dimë, po ashtu, se ish-ministri i Drejtësisë është i përfshirë. Por, ajo që nuk dimë, është ndarja brenda lëvizjes rebele. Si janë të ndarë ata? Si mund të bashkëveprojnë me ndarjet fisnore? A kanë mospajtime mbi synimet e tyre ushtarake dhe zgjidhjet e mundshme?”.


Tani, kur forcat e Gadafit po kthejnë qytetet e marra nga kryengritësit, disa analistë besojnë se është tepër vonë të pritet që qeveritë perëndimore të njohin udhëheqësinë rebele.

Zhan Pierr Darnis, nënkryetar i Departamentit të sigurisë në Institutin për Çështje Ndërkombëtare në Romë, thotë:

“Javën e kaluar, ju mund t’i ndihmonit ushtarakisht kryengritësit, sepse ata ishin në anën e fituesve. Tani, ata po humbasin dhe nëse ju i ndihmoni njerëzit humbës, kjo është e padobishme, ju nuk do të shkonit askund. Pra, kjo ngre një nivel të lartë të shqetësimit”.


Shumica e vendeve duken të bindura se presioni ndaj Gadafit është strategji më e mirë sesa mbështetja e rebelëve. Presioni përfshin masa të drejtpërdrejta siç janë sanksionet.

Vetë ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, ka deklaruar:

“Ne duam të rrisim presionin mbi Gadafain. Është një qëndrim i përbashkët i G8-ës”.


Por, shumë analistë besojnë se objektiv i vërtetë i presionit nuk është vetë Gadafi, por djemtë e tij dhe figura të tjera kyçe rreth tij.

“Të bijtë e Gadafit, posaçërisht dikush si Saif Gadafi, pavarësisht retorikës së tij të fortë, ka ende njërën këmbë në Perëndim. Dhe, bijtë e tij si ky, apo komandantët e tij të lartë, mund të duan të shpëtojnë diçka nga situata. Kjo mund të jetë një pjesë e arsyes përse shtetet perëndimore vazhdojnë të mbajnë një kanal të hapur me Qeverinë e Libisë, në vend se t’i prishin ato krejtësisht
”, thotë Shahshank Joshi.

A do të jetë i mjaftueshëm presioni për të shpëtuar lëvizjen rebele, e cila dita-ditës po humb rajone?

Është e pamundur të gjendet përgjigjja, sepse varet kryesisht nga ajo se sa gjatë mund të luftojnë kryengritësit në Bengazi.

E vetmja gjë e sigurt është se ushtrimi i presionit nga jashtë funksionon më së miri në kohën e duhur... Por, koha tani po kalon shumë shpejt. (v.t.)
XS
SM
MD
LG