Ndërlidhjet

Limaj: I gatshëm ta dorëzoj imunitetin


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj

Deputeti Fatmir Limaj shprehu gatishmërinë që të dorëzojë imunitetin e deputetit dhe se nuk do të lejojë të fshihet mbrapa imunitetit.

“Mbrëmë kam shprehur gatishmërinë time, që për raste të tilla, heq dorë vullnetarisht. E, pastaj si shkohet drejt heqjes së imunitetit, nuk është çështje imja, por e organeve që duhet t’i shqyrtojnë”
, tha Limaj.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, pas fletë-arrestit të lëshuar ndaj tij dhe disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Prokuroria Speciale e Kosovës. EULEX-i i ngarkon ata me krime lufte.

Ai tha se misioni i EULEX-it kryen punën e vet. Limaj tha se ai është ballafaquar me ligjin tash tri apo katër herë. Ai ka theksuar se ligji ka kuptim kur përballesh me të, “edhe atëherë kur jeni të bindur që ka erë politike, ose jeni të pafajshëm".

“Pavarësisht kësaj, vendit tonë më shumë se çdo gjë tjetër i duhen mesazhe që vijnë nga ata që duhet ta respektojnë ligjin, të shkojnë të thonë se sidoqoftë, me gjithë këto mangësi dhe probleme, ne nuk duhet të heqim dorë kurrë nga ndërtimi i një shteti ligjor”
, theksoi Limaj.


* * *
Kritika EULEX-it për arrestimet


EULEX-i nuk i ka shqiptuar asnjë masë ligjore deputetit Fatmir Limaj, ndaj të cilit të mërkurën u lëshua fletë-arresti nën dyshimet se ka kryer krime lufte.

Të mërkurën, EULEX-i arrestoi tetë persona në Kosovë për të njëjtat akuza dhe një tjetër u arrestua jashtë shtetit.

EULEX-i, përmes një deklarate të shkruar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se “mbrëmë një prokuror i EULEX-it ka biseduar me z. Fatmir Limaj rreth statusit të tij si deputet”. Detaje tjera nuk u bënë të ditura.

Mësohet se është pikërisht statusi i deputetit, që ua ka pamundësuar zyrtarëve të EULEX-it, që edhe Limajn ta marrin në pyetje në Gjykatën e Qarkut, siç bënë me të pandehurit tjerë.

Ky mision ka bërë të ditur se nga tetë të arrestuarit ditën e mërkurë, pesë kanë mbetur në paraburgim për 30 ditë, dy të pandehur janë në arrest shtëpiak dhe një i pandehur është urdhëruar të paraqitet në polici tri herë në javë.

Ndryshe, deputeti Fatmir Limaj, i cili mbrëmë u paraqit vullnetarisht tek autoritetet e drejtësisë, është liruar në orët e vona të natës.

Ai, në një bazë të EULEX-it në Fushë Kosovë, ka biseduar për dy orë me prokurorët e EULEX-it.

Pak para mesnatës, avokati i tij, Tomë Gashi, ka thënë se do të vazhdojnë procedurat.

“Pas njoftimit që ka qenë, ne jemi paraqitur në EULEX, po e shihni duke dalë bashkërisht, sigurisht që zoti Limaj ka deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë dhe aktualisht është i vetmi lajm që mund t’ju themi. Ai është duke shkuar në shtëpi te familja e vet. Kjo është e vetmja çka mund të deklarojmë. Sigurisht që do të vazhdojnë procedurat, por për momentin është vetëm kjo”, ka thënë avokati Gashi.

Ndërsa, Limaj, i cili më herët kishte deklaruar se do të bashkëpunojë me drejtësinë dhe se për të, në rend të parë është vendi, ka deklaruar se do ta respektojë ligjin.
Unë jam në dispozicion të plotë
të organeve
të drejtësisë.


“Ajo që e tha edhe Toma... Unë jam në dispozicion të plotë të organeve të drejtësisë. Ligji duhet respektuar, kështu kurdo që të kenë nevojë, do të jem në dispozicion”
, ka deklaruar Limaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, duke theksuar se “veprimet e EULEX-it janë të pabazuara e të papërgjegjshme, me qëllim të njollosjes së luftës çlirimtare dhe për të provokuar një situatë të tensionuar në Kosovë”.

Edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Behxhet Pacolli, përmes një deklarate për media, ka shprehur shqetësimin lidhur me akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, me dyshimin për krime lufte.

"Ne besojmë thellë se lufta e UÇK ka qenë luftë e pastër, çlirimtare e popullit të Kosovës kundër një agresioni të egër me synime asgjësimi dhe gjenocidi. Ajo ka qenë dhe mbetet njëra nga faqet më të ndritshme të historisë sonë. Ne besojmë se akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve do të cilësohen si të pabazuara dhe shpejt do të provohet pafajësia e tyre, sikurse shumë herë deri më tani", thuhet në deklaratë.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka shprehur “shqetësim për veprimet e EULEX-it, që rezultuan me ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së”.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar luftë të drejtë
e të pastër...

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar luftë të drejtë e të pastër, kanë respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare dhe çdo përpjekje për njollosjen e luftëtarëve të UÇK-së do të dështojë edhe kësaj radhe”
, thuhet në reagim.

Komunikata thotë se Qeveria e Kosovëse mbështet sundimin e rendit dhe ligjit në mënyrë të pavarur dhe transparente.

Qeveria fton qytetarët e Kosoves “të përmbahen dhe të kenë besim në pafajesinë e të akuzuarve dhe në sistemin e drejtesisë”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, tani ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ka thënë se Serbia është sponsor i arrestimeve.

Çeku ka theksuar se është i shqetësuar që po vazhdon ngritja e aktakuzave, që, sipas tij, për qëllim kanë njollosjen e luftës së UÇK-së.
Unë kurrë nuk jam pajtuar, kurrë nuk do të pajtohem dhe askush nuk mund të më bindë se ushtarët e UÇK-së kanë bërë krime.

“Po harrohet fakti, që këtu ka ndodhur një luftë, këtu ka qenë pushtuesi e çlirimtarët, në këtë rast UÇK-ja. Dihet shumë mirë, bota e di mirë kush është viktima, e kush është agresori. Unë kurrë nuk jam pajtuar, kurrë nuk do të pajtohem dhe askush nuk mund të më bindë se ushtarët e UÇK-së kanë bërë krime”,
ka nënvizuar Çeku.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendojse ka thënë se arrestimet e EULEX-it janë në shërbim të negociatave me Serbinë.
Për fëmijët e gratë shtatzëna shqiptare, të vrarë e torturuar nga pushtuesit gjatë luftës në Kosovë, kurrë nuk pati drejtës...

“Veprimet e tanishme të EULEX-it e kanë vënë në shënjestër UÇK-në. Ky është një shërbim i shkëlqyer i radhës për Serbinë në negociata. Nëpërmjet kësaj strategjie EULEX-i po mundohet ta diskreditojë Kosovën si dhe t’i japë përparësi morale Serbisë. Akuza e ngritur ndaj të arrestuarve përfshin edhe keqtrajtimin dhe vrasjen e oficerëve policorë e ushtarakë serbë. Për fëmijët e gratë shtatzëna shqiptare, të vrarë e torturuar nga pushtuesit gjatë luftës në Kosovë, kurrë nuk pati drejtësi, e tash po ngrihen raste për vrasjen e pushtuesve të vrarë gjatë luftës sonë çlirimtare”
, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Ndryshe, disa studentë kanë protestuar në kundërshtim të arrestimit të ish - pjesëtarëve të UÇK-së.

UÇK, UÇK”, “EULEX - Go home”, “Lironi çlirimtarët”, ishin disa nga sloganet që studentët brohoritnin gjatë rrugës së përshkuar nga Qendra e Studentëve deri te selia kryesore e EULEX-it.

Në emër të studentëve ka folur Liridon Bujupaj:

“EULEX-i po vazhdon avazin e vjetër si UNMIK-u, duke tentuar që të vë në të njëjtin nivel si kriminelin, ashtu edhe viktimën”.


Po të enjten, një protestë e degëve të Organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, është mbajtur edhe në Malishevë.

Policia raporton se protestat kanë qenë të qeta dhe që të dyja kanë përfunduar rreth orës 12 e 30.
XS
SM
MD
LG